15 modelet evropiane të Lajçakut për Asociacionin, Kurti: Ka elemente që duhen të merren
Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe vazhdon të jetë një pikë e rëndësishme e presionit ndërkombëtar. Pothuajse çdo ditë, ndërkombëtarët, herë BE-ja e herë ShBA-ja, lëshojnë deklarata e komunikata, ku kërkohet “urgjentisht” themelimi i Asociacionit. Së fundmi, në një intervistë për ATV-në, z. Miroslav Lajçak, tregoi se ia ka dorëzuar Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, 15 modele evropiane në lidhje me Asociacionin.
Javën e kaluar, Lajçak tha se ia ka dhuruar Kurtit 15 modele evropiane, të cilat kudo ku janë zbatuar, nuk kanë çuar në mosfunksionimin e shteteve.
“Unë e kuptoj se kjo është një çështje e ndjeshme, në Kosovë, për zotin Kurti. Por është koha ta ndryshojmë narrativën. Dhe në vend se të thuhet se çka nuk duhet të jetë asociacioni, të shihet si mundësi për të forcuar dhe përmirësuar cilësinë në komunikim ndërmjet qeverisë në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës, dhe po ashtu të ketë transparencë në marrëdhëniet ndërmjet serbëve të Kosovës dhe Serbisë, në përputhje me normat ekzistuese, standardet dhe modelet evropiane. Nuk ka arsye aspak për t’u frikësuar, sepse siç e thashë unë ia kam dhënë kryeministrit Kurti 15 modele evropiane te të cilat mund të gjejë inspirimin. Dhe asnjë prej këtyre modeleve nuk ka çuar në këtë mosfunksionim te shtetet që kanë implementuar këto modele.” – vlerësoi ai.
Ndërsa sot Kurti foli për këto 15 modele evropiane, duke thënë se ato mund të shërbejnë për t’i ngritur në nivelin e duhur të drejtat e neriut, por edhe ato të pakicave kombëtare.
“Janë përmendur 15 raste të tilla, disa janë më rishtas, disa janë më të hershme, edhe para se të ekzistojë Bashkimi Evropian. Por unë besoj që ato janë modele nga të cilat mund të marrim elemente në mënyrë që, jo vetëm të drejtat e njeriut, por edhe të drejtat e pakicave kombëtare të jenë në nivelin e duhur” – tha ai, transmeton Klan Kosova.
Madje, Kurti theksoi se 15 modelet evropiane po shqyrtohen nga disa ministra e këshilltarë të tij.
“Ato po trajtohen nga këshilltarët e mi, nga disa prej ministrave në mënyrë që ta shohim çka është më e favorshme. Natyrisht kushtetushmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit është diçka me të cilin ne nuk bëjmë asnjëherë askund kompromis” – tha tutje Kurti.
Ndryshe, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ditë më parë duke folur rreth 15 modeleve evropiane, kishte thënë se ato modele janë për rregullimin e të drejtave të pakicave, e jo për Asociacionin.
“Nga ne nuk është kërkuar të zgjedhin një nga ato 15 modele, por disa nga ato, të cilat reflektojnë standardet e Këshillit të Evropës dhe që do të mund të shërbejnë si referencë apo orientim për një propozim për të drejtat e minoriteteve, i cili mund të jetë i aplikueshëm, i pranueshëm për Kosovën, si dhe në përputhje me parimin e vënies në fokus të të drejtave të anëtarëve të një komuniteti. Gjithmonë duke qenë në respektimin të kushtetutshmërisë se vendit, pa kompetenca ekzekutive dhe një që nuk përbën nivel të tretë të qeverisjes,”- ka thënë Kryeziu.
Lajçak në Beograd
Kujtojmë që sot, i dërguari i BE-së ka qëndruar në Beograd të Serbisë, ku është pritur në takim nga Vuçiqi, i cili deklaroi se ka folur me Lajçakun reth marrëveshjes evropiane.
Siç raporton Kosovo-Online, ata kanë folur edhe për formimin e Asocaicionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe (sic) hapat tjerë të nevojshëm që kishin për mësymje normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në komunikatën për shtyp të lëshuar past takimit nga Presidenca e Serbisë, thuhet që Vuçiq e theksoi se Serbia ishte e gatshme që me përkushtim dhe përgjegjshmëri t’i qasje negociatave me qëllim arritjen e kompromisit dhe zgjidhjeve të qëndrueshme që ishin të nevojshme për një jetë normale dhe të ardhme më të mirë për krejt qytetarët, raportoi gjatë ditës Nacionale.
Vuçiq u shpreh në llogarinë e tij në Instagram se e kishte një takim të vështirë por domethënës me Lajçakun dhe lajmëroi se diskutime tjera me të do të kishte edhe sonte por edhe nesër.
Ndryshe, më 18 mars është paralajmëruar një takim mes Kurtit e Vuçiqit në Ohër, ku pritet edhe nënshkrimi i marrëveshjes, përkundër që Lajçak ishte treguar i matur në lidhje me mundësinë e nënshkrimit të propozimit evropian.
“Unë nuk pres ndonjë ceremoni nënshkrimi në Ohër, sepse ka shumë palë të cilat po mbështesin këtë proces dhe besojmë se do të ishte e drejtë që edhe ata të ishin pjesë e kësaj.” – deklaroi ai, ndonëse nuk e mohoi se ekziston një ambicie e tillë.
"Kjo është ambicia jonë. Unë me të vërtet besoj se do të kemi ambicien për t’u pajtuar për hapin e dytë, për pjesën e dytë të dokumentit, në mënyrë që ta mbyllin procesin." - theksoi z. Lajçak.



