Veriu në vakum sigurie, por kthimi i serbëve të dorëhequr në institucione “është tallje”, sipas Haxhiut - NACIONALE

Veriu në vakum sigurie, por kthimi i serbëve të dorëhequr në institucione “është tallje”, sipas Haxhiut

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kthimi i të njëjtëve të dorëhequr në po ato pozita pune do të ishte “tallje me Republikën e Kosovës”, ka thënë hiç më larg se dje Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke folur për mundësinë e rikthimit të policëve, gjyqtarëve, prokurorëve, e të tjerëve, të dorëhequr në masë në nëntorin e vitit të kaluar nga institucionet e Kosovës në pjesën veriore të vendit.

E konsideroj që është e papranueshme që gjyqtarët dhe prokurorët serbë që dorëhiqen apo policët në anën tjetër të pranohen të kthehen në institucione sepse kjo është tallje me institucionet e Republikës, si e tillë nuk duhet të pranohet”, ka thënë ministrja Haxhiu, duke e dhënë për fakt të kryer se një gjë e tillë – dorëheqjet – është e pakthyeshme.

Një përgjigje e tillë kaq eksplicite megjithatë s’ishte bërë më herët. Vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte shprehur ca më i butë – thoshte se thjesht “nuk i lusim”, por nuk është se shprehej aq kategorik sa Haxhiu.

Nga Ambasada gjermane, megjithatë, kanë thirrje tjetër. Kthimi i të dorëhequrve nga institucionet e veriut “duhet të lehtësohet nga të gjithë”, rikujton thirrjen e Ambasadorit gjerman, Jorn Rohde, zëdhënësi i tij, Sebastian Leuschner, në një përgjigje për Nacionalen.

Rohde, ishte i balancuar në thirrje, as s’e përkrahte dorëheqjen, por në të njëjtën kohë nuk e përkrahte edhe mosthemelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe. Në këtë linjë Rohde bënte thirrje kështu, na rikujton zëdhënësi.

Është tashmë koha që Marrëveshja e Brukselit të themelohet sa më shpejtë, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Dorëheqja e serbëve të Kosovës nuk është në vijë me Marrëveshjen e Brukselit. Duhet kthimi i menjëhershëm i tyre dhe kjo duhet të lehtësohet nga të gjith. Dua të theksoj se për këtë BE dhe ShBA janë plotësisht të bashkërenduar”, kishte deklaruar Rohde.

Në anën tjetër, një thirrje për qeverinë kosovare e ka pasur kaherë edhe ambasadori amerikan Jeff Hovenier. “Çfarë do të thosha është se ne jemi duke inkurajuar Qeverinë e Kosovës të bëjnë çfarë munden për të dëgjuar komunitetin, të dëgjojnë ato që kanë vendosur të largohen dhe të dëgjojnë atë shqetësime që ato i kanë identifikuar, në mënyrë që ato të ndjehen se mund të kthehen në atë për çka është arritur pajtim, e që është integrimi i komunitetit serb etnik në institucionet qeverisëse dhe është kjo ajo çfarë ne do të dëshironin të shihnim”, pati thënë Hovenier me t’u dorëhequr serbët masivisht.

Afro 600 pjesëtarë të policisë nga komuniteti serb i Kosovës kishin dhënë dorëheqje ndërsa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Brendshëm shpreheshin kryekëput të bindur se do të rekrutoheshin polic të rinj. Një gjë e tillë, megjithatë, s’ka ndodhur as tash pas as gati 6 muajsh.

Ndërkaq se situata në pjesën veriore të vendit është e brishtë kujdeset pothuajse çdo herë të tregojë misionit evropian për sundim të ligjit EULEX. “Situata e sigurisë në veri të Kosovës mbetet e brishtë, pasi vakuumi i sigurisë dhe sundimit të ligjit të krijuar pas dorëheqjes së policëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe stafit mbështetës serb të Kosovës po vazhdon”, thotë EULEX-i.

“EULEX-i në Kosovë është duke e monitoruar nga afër situatën e sigurisë në veri të Kosovës, edhe në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për katër kryetarët e komunave dhe dy kuvendet komunale në veri të Kosovës. Në këtë drejtim, ne jemi duke shqyrtuar skenarë të ndryshëm të mundshëm dhe do të përshtatim praninë dhe aktivitetet tona në përputhje me rrethanat, në koordinim më të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, ka thënë EULEX.

Tensionet në rritje

Djegie të veturave, arrestime, sulme me bomba trullosëse, plagosje, kërcënime me kryengritje të përgjithshme nga Lista Serbe, kanë qenë vetëm disa nga ngjarjet që kanë karakterizuar javët e fundit.

Kosova ka arrestuar katër pjesëtarë të forcës së saj policore pas një ngjarje incidentale të plagosjes së një qytetari të komunitetit serb të Kosovës. Një gjë e tillë është bërë brum për debat të ashpër në vend me ç’rast ka pasur edhe reagime nga ShBA’ja, Gjermania etj.

Lajme të ngjashme