110 mijë euro për Elzën, reagon motra saj: S’është kompensim, janë para për operacionin e ardhshëm
Me 36 vota për, asnjë kundër Kuvendi Komunal i Prishtinës dje e ka miratuar propozim-vendimin për kompensimin e Elza Ujkanit, e cila ishte lënduar rëndë nga rënia e kulmit të objektit të komunës. Komuna e Prishtinës ka ndarë 110 mijë euro për Ujkanin.
Pas kësaj ka reaguar motra e saj, njëherësh edhe deputetja e VV-së, Fjolla Ujkani.
Kjo e fundit përmes një postimi në Facebook, ka thënë se këto pare janë ndarë për një operacion tjetër të Elzës jashtë Kosovës, duke shtuar se publiku është keqinformua se familjes së saj i janë dhënë dëmshpërblim apo komensin për dëmin.
“110.000 euro. Pas shumë vështirësive, netëve pa gjumë e traumave të njëpasnjëshme që kemi kaluar me shëndetin e motrës sime Elzës, dje u përballëm edhe me linçimin e familjes sonë në mediat sociale. Publiku u keqinformua se familjes sonë i është dhënë dëmshpërblim/kompensim nga Komuna për dëmin që i është bërë Elzës.” – ka shkruar Ujkani.
Deputetja e VV-së tutje ka thënë se Elzës i duhet t’i nënshtrohet një operacioni plastik jashtë vendit, për shkak të dëmit të pariparueshëm në pjesën e sipërme të kafkës.
“Për shkak të dëmit të pariparueshëm në pjesën e sipërme të kafkës, Elza duhet t'i nënshtrohet një operacioni plastik jashtë vendit. Kjo ndërhyrje është e domosdoshme për të mbuluar pjesën e dëmtuar dhe për të parandaluar komplikime të mëtejshme shëndetësore. Pa këtë operacion, Elza përballet me rreziqe serioze për shëndetin e saj, që përfshijnë infeksione të mundshme dhe dëmtime të tjera të përhershme. 110.000 eurot janë për këtë operacion. Për operacionin e ardhshëm të Elzes.” – ka shkruar ndër të tjera Ujkani.