100 eurot e Kurtit: 25.8% e popullit të Kosovës në moshë pune është e papunë, masa quhet ‘e pamjaftueshme’
100 euro për të gjithë, në fakt jo bash për të gjithë. Një e katërta e popullit të Kosovës në moshë pune është pa punë dhe nuk do të ketë mundësinë të përfitojë nga masat e Qeverisë – nëse nuk janë të regjistruar si raste sociale apo nuk janë studentë. Pse kjo masë qeverie po quhet si e varfër?
Mëngjesi i 12 prillit 2022 na çeli me një lajm të mirë, por jo për të gjithë. Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, bëri të ditur që do t’i ndante nga 100 euro për qytetarët, prapë jo të gjithëve.
Në konferencën e sotme që u mbajt në ora 09:00, Kurti ka prezantuar një pako ekonomike, e cila në muajin prill do t’i dyfishojë mjetet fianciare për asistencën sociale, pensionistët do të përfitojnë nga 100 euro shtesë, e po ashtu edhe punëtorët e sektorit publik, privat si dhe studentët do t’i kenë 100 euro më shumë në fund të muajit. Mirëpo, problematike është se këtu nuk u përfshinë atë që nuk e kanë një vend pune.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë është 25.8 për qind, dhe kjo kategori do të mbetet pa 100 euro.
Ndarja e 100 eurove nga Qeveria Kurti u prit me shumë reagime. Bile çuditërisht edhe partitë opozitare reaguan shumë shpejt në krahasim me tema të tjera.
Një ndër ta, ishte ish-kryeministri i Kosovës, tani deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK], Avdullah Hoti.
Sipas ish-kryeministrit Avdullah Hoti, pakoja e sotme "reflekton varfërinë e politikave fiskale dhe sociale të Qeverisë".
Hoti ka thënë se pakoja e qeverisë, “sado e dobishme, nuk e zgjidh problemin e tanishëm të rritjes enorme të çmimeve. Për më tepër, kjo pako nuk përfshin mijëra të papunë dhe punëtorë bujqësorë, të cilët mbesin të pasubvencionuar”.
Hoti po ashtu ofroi disa zgjidhje në raport me gjendjen ekzistuese.
Ai mendon se duhet ndërmarrë një numër masash me logjikë më afatgjatë, të cilat janë propozuar në fillim të krizës.
“Masa sikurse janë: shmangia e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, indeksimi i ndihmave sociale dhe pensioneve për normën e rritjes së çmimeve të produkteve bazike, rritjen e subvencioneve, rritjen e pagave minimale dhe të konsiderohet tërheqja e kursimeve personale”, vuri në spikamë Hoti.
Në anën tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës [PDK], Bekim Haxhiu, si iniciues i tërheqjes së 30% të mjeteve nga Trusti, ndarjen e 100 eurove e ka parë si lëmoshë dhe se kërkesa e qytetarëve është tërheqja e parave nga Trusti.
Haxhiu po ashtu ka thënë për Nacionalen se ndarja e 100 eurove është diskriminuese dhe nuk prek të gjithë qytetarët.
“Qeveria po ofron 100 euro lëmoshë për një muaj. Kërkesa e qytetarëve është t’u mundësohet tërheqja e mjeteve nga Trusti. Qeveria do të duhej që me këto mjete të mbështeste të papunët, kategoritë e rrezikuara sociale, pensionistët dhe sektorin privat e publik me të hyra të ulëta dhe jo në mënyrë unilaterale për të gjithë, si ai që ka pagën 1.500 euro dhe si ai me pagë 200 euro”, ka thënë ai.
Më tej, Haxhiu la të kuptohet se PDK nuk ka hequr dorë nga tërheqja e mjeteve nga Trusti, duke bërë thirrje që sa më parë të shkojë në Kuvend të Kosovës projektligji.
“Qeveria nuk duhet ta prolongojë mendimin për Projektligjin për Trustin. Ta procedojë sa më shpejt në Kuvend që ta miratojmë kërkesën e qytetarëve për terhqjen e mjeteve nga Trusti. Duke miratuar kërkesën e qytetarëve, u ndihmon atyre jo vetëm për një muaj, por për ta përballuar krizën ekonomike”, ka thënë ai.
Gjithashtu edhe partia e Haxhiut, PDK-ja, doli me një konferencë për media për rastin 100 euro, të cilët e panë si populizëm vendimin e Kurtit.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës [AAK], Ramush Haradinaj, ka folur sot për vendimin e Qeverisë që të ndaj ka 100 euro shtesa për punëtorët e sektorit privat dhe publik, pensionistët e studentët.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Haradinaj e ka quajtur si shumë të vogël shtesën prej 100 euro, derisa ia ka drejtuar disa kërkesa Kurtit. Ai ka dal me një propozim të ri për pagën minimale. Sipas tij, paga minimale neto duhet të jetë 370 euro.
E Partia Socialdemokrate [PSD], ka thënë se ndarja e 100 eurove për të gjithë njëjtë nuk është e duhur.
Ndërsa, Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka bërë disa krahasime lidhur me këtë çështje duke theksuar se nuk është bërë trajtimi i duhur nga qeveria me ndarjen e 100 eurove.
“Të gjithë njëjtë nuk është drejt! Një punëtor i sigurimit ose një shitës në një qendër tregtare paguhet 180-200 euro në muaj. Ata do t’i ndihmojnë njëjtë sikur menaxherët që marrin 1000 ose 1200 euro. Të gjithë nga 100 euro. Një student i Universitetit Amerikan që arrin ta paguajë 6000 euro vitin nuk mund të trajtohet njëjtë me një student nga Universiteti i Prishtinës që mezi e paguan konviktin e menzën. I pari i harxhon këto 100 euro për një natë, tjetri e paguan konviktin për 1 muaj”, ka shkruar ai.
Më tej Molliqaj ka thënë “as kriza nuk i prek të gjithë njëjtë, por as ndihma nuk na ndikon njëjtë. Trajtimi i njëjtë i njerëzve që janë në situata aq të ndryshme e rrit pabarazinë dhe ia humb efektin parave”.
Reagime po ashtu pati edhe nga anëtarë të tjerë të popullit, të cilët e mirëpritën por edhe e kritikuan vendimin për ndarjen 100 eurove, dhe kryesisht fokusi i tyre ishte se pse nuk u përfshinë edhe të papunësuarit në përfitimin nga kjo pako.