10 sekondat që e tregojnë pushtetin e Bislimit: Si e “detyroi” me pak fjalë Muratin të përgjigjej në konferencë? - NACIONALE

10 sekondat që e tregojnë pushtetin e Bislimit: Si e “detyroi” me pak fjalë Muratin të përgjigjej në konferencë?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, është numri një në hierarkinë e vartësve të kryeministrit Albin Kurti. Përveç dyshi i Qeverisë Kurti, ai është edhe kryenegociator i Kosovës në dialog. Për fuqinë e tij politike e partiake, është shkruar shumë, ndërsa raportohej edhe për një ndarje në VV, duke theksuar edhe “njerëzit” e tij në Qeverinë Kurti.

Krejt këto raportime për fuqinë politike dhe ndikimin e Bislimit, në një formë, i konfirmon konferenca e fundit e tij me Hekuran Muratin, ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës. Më saktë, e gjithë situate zgjati diku afër 10 sekondave, por ajo çfarë ndodhi është simptomatike.

Ishte një moment i shpërfaqjes publike të pushtetit të Bislimit mbi Muratin, i cili tentoi të refuzonte të përgjigjej në pyetjen për vlerësimin e shkëmbimit të pronave në Komunën e Prishtinës. Në fakt, situata ishte pak edhe e sikletshme, sidomos për ministrin Murati. Bislimi arriti që përmes shumë pak fjalëve e pak sekondave të “detyronte” Muratin të përgjigjej në pyetjen e gazetares.

Madje, Murati e bëri të qartë ngurrimin e tij përmes mimikës, duke dhënë sinjale të qarta se pyetja e shtruar në drejtim të tij do të mbetet pa përgjigje.

“Tash zoti Murati a dëshiron…” – ishte fjalia hyrëse e presionit publik të Bislimit mbi Muratin, i cili tentoi t’i shpjegonte Bislimit se nuk dëshiron të përgjigjet.

Ndonëse e shikoheshin në sy me njëri-tjetrin dhe ngurrimi i Muratit ishte lehtë i rrokshëm, Bislimi nuk e honespi atë.

“Unë mendoj se mundesh me ia dhanë një përgjigje shumë, shumë të rëndësishme” – ishte fjalia pasuese e Bislimit, e cila ishte e mjaftueshme për ta bindur Muratit të përgjigjej në pyetjen rreth vlerësimit të Ministrisë së Financave për shkëbimin e pronave.

“Faleminderit! Tash jam në dijeni që ka një çështje apo një temë të ngritur sa i përket çështjes së këmbimit të pronave nga Komuna e Prishtinës. Thënë të drejtën e kam konsideruar të padenjë të merrem me çështjen, sepse s’ka të bëjë me ministrin e Financave, përkundër që në disa raste po tentohet t’i jepet konotacion i tillë” – deklaroi Murati.

Sjellim ndër mend që Bislimi është një nga njerëzit më të besuar të Kurtit, i cili e ka në dorë dialogun me Serbinë, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Bislimi është kritikuar shpesh në lidhje me deklaratat e tij. Madje në një rast Bislimi ishte kritikuar për seksizëm kur gjatë një përgjigjeje ndaj Ariana Musliu-Shoshit, deputet e PDK-së, kishte përmendur “epshin” e deputetes për vëmendje.

“Faleminderit për pyetjen dhe përkujdesin maksimal të përcillni çdo detaj të intervistave të mija në vazhdimësi. Po ashtu është e pakuptimtë epshi juaj për të marrë vëmendje publike por është e pa rëndësishme” – ka deklaruar Bislimi.

Në një moment, Milazim Krasniqi, profesor i njohur universitar kishte shkruar se Bislimi e flet shqipen si mos ta kishte gjuhë amtare.

“Besnik Bislimi e flet shqipen si të mos e kishte gjuhë amtare. Mbrëmë një gazetares së respektuar i tha disa herë: “A po m’len”, “Ti nuk po m’len,” që ndër shqiptarë është shprehje me konotacion problematik. Sot një deputetes së nderuar ia përmendte epshin. Vërtet nuk arrij ta kuptoj këtë zyrtar, pse është aq i papërgjegjshëm në fjalët që flet.” – kishte shkruar Krasniqi.

Lajme të ngjashme