1 Maji e gjen Kosovën si mos më keq: 10 punëtorë të vdekur veç për katër muaj
Sot edhe në Kosovë, sikur në krejt botën, shënohet 1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.
Megjithatë, këtë vit, kjo datë e gjen Kosovën dukshëm më keq.
Veç në katër muajt e parë të këtij viti, 10 vdekje janë regjistruar në vendet e punës. Kryesisht në ndërtimtari, fushë e cila vazhdon të mbetet tejet problematike.
Pas rasteve të vdekjeve nëpër vendet e punës, Inspektorati nisi një aksionpër kontrolle e inspektime.
Sipas raporteve të Inspektoratit të Punës, deri më tani janë kryer rreth 294 inspektime në të gjithë Kosovën.
Nga këto kontrolle, është urdhëruar ndalimi i punës në rreth 123 vendpunishte.
Ndërkaq, vazhdimi i punimeve është lejuar vetëm në 48 prej tyre.
Në rastet e tjera, Inspektorati ka ndërmarrë masa si vërejtje apo kërkesa për eliminimin e parregullsive.
Për nga numri i ndalimeve të punimeve kryeson Komuna e Prishtinës, e ndjekur nga Prizreni, Gjilani, Ferizaji dhe Gjakova.
Sipas raportit 48-orësh, i cili përmbledh aktivitetet e ditës së katërmbëdhjetë të këtij aksioni, fokusi kryesor i inspektimeve ka qenë sektori i ndërtimtarisë.
Sipas raportit, nga gjithsej 32 inspektime, në 14 vendpunishte janë ndaluar punimet, katër raste janë proceduar në Polici, ndërsa në 21 vende janë shqiptuar vërejtje për parregullsitë e evidentuara.
“Inspektorati Qendror i Punës, në zbatim të vendimit të Ministrit të MPFVLÇ-së dhe në përputhje me mandatin e tij ligjor, ka ndërmarrë aksion të jashtëzakonshëm inspektues në sektorët me rrezikshmëri të lartë, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Edhe një aksion protestues ndodhi mëngjesin e sotëm. Kjo nga Kolektivi Feminist.
“Punëtorja e punëtori sot përballet me jetë që po bëhet çdo herë e më e pajetueshme, duke kryer punë të shumëfishta, pa siguri sociale, me çmime të papërballueshme, shpërfillje shtetërore e shfrytëzim privato-publik. Gratë amvise që e kryejnë punën kyçe që e mundëson shfrytëzimin kapitalist mbesin të stërlodhura e pa të ardhura bazë, pensionistet/ët marrin lëmosha që as barnat nuk ua mbulojnë, punëtorët/et në sektorin privat keqpaguhen, keqtrajtohen e edhe vriten në vendin e punës, personat e etnive të racializuara keqtrajtohen e përjashtohen, gratë punëtore abuzohen seksualisht, shtypen shumëfish, personat queer shpesh përjashtohen komplet prej tregut, personat neurodivergjentë e me aftësi të kufizuara ose keqpërdoren, ose shndërrohen në kartë të marketingut korporativ që i shfrytëzon kapitali për fitim. Pra, shumica dërrmuese, jetojmë dhe punojmë në kushte që na tëhuajësojnë nga qenësia, puna dhe komuniteti jonë. Ne po jetojmë për të punuar për shefat dhe pushtetin politik, në një ekonomi e cila çdo herë e më shumë po bëhet më e egër, më ndëshkuese dhe më zhvatëse. Krejt kjo, falë partneritetit të shtetit me kapitalin që bashkë funksionojnë për të na shtypur dhe shpartalluar”, thuhet në reagim.
Sindikata botërore e caktoi 1 Majin – ditë në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.
Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e parë të Gjenevës.
Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.
Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendim, që: dita e 1 Majit do të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet, si Festa e Punëtorëve, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me Kushtetutë e ligje, liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës.