1/3 e votës së diasporës me postë: VV në trend të arrijë ulësen e 52-të, AAK e humb një
Kosovarët jashtë vendit i kanë shtuar deri më tash tre mandate shtesë partisë Vetëvendosje.
Nga 48 sa ishte në votën e brendshme në rezultatet preliminare, partia që drejtohet nga Albin Kurti ka shkuar në 51 ulëse në Kuvend.
Me votat e numërua tërësisht në përfaqësi diplomatike ku vota e përgjithshme për këtë parti ishte 83%, në votat e dërguara me postë Vetëvendosja është në 68%.
Me këtë trend projektohet që Vetëvendosja të mund t’i shtojë vetes edhe një ulëse duke shkuar në 52.
AAK e ka humbur një mandat: nga tetë sa ishte, ka rënë në shtatë.
Ndërkaq ende s’dihet në dëm të kujt, PDK-së apo LDK-së, do të jetë shtimi i ulëses së 52-të për Vetëvendosjen.
Me 1/3-ën e votave me postë të numëruara, Vetëvendosja ka marrë deri tash 12 mijë e 155 vota, përkatësisht 68.39% të tyre.
E dyta rendita Lidhja Demokratike e Kosovës me 17,6%, ose 3 mijë e 128 vota.
Partia Demokratike e Kosovës është e treta me 6.54%, ose 1 mijë e 162 vota.
Ndërkaq e katërta, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.29%, ose 941 vota.

Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim parashikoi që nëse përqindja e votave me postë shkon në këtë trajtë atëherë Vetëvendosja “do të ishte në zonën e 52 mandtave.”
“Megjithatë, gara dhe lëvizjet për të paktën dy mandate tjera mbeten ende të hapura mes partive dhe rezultati përfundimtar do të varet nga mënyra se si do të shpërndahen votat në pjesën e mbetur të procesit të numërimit,” shkroi ai.