Shkenca e seksit, dashurisë, tërheqjes dhe obsesionit - NACIONALE

Shkenca e seksit, dashurisë, tërheqjes dhe obsesionit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Çfarë do të ndodhë kur niveli i neurotransmetuesve të stabilizohet?

Mbase të gjithë e kemi përjetuar atë ndjesinë “mbi re”, apo frikën se “mos jemi çmendur” kur kemi rënë në dashuri. Mirëpo, çka është ajo që në të vërtetë ndodh?
Neuropsikologjia e ka trajtuar veçanërisht aktivitetin e trurit të subjektet e dashuruara, sidomos me avansimin e teknikave të reja shkencore – janë nxjerrë shumë të dhëna rreth asaj që jemi mësuar ta quajmë ‘dashuri’.
Më poshtë do t’i sjellim të përmbledhura me pak fjalë të rejat nga studimet e fundit, të shprehura nga Big Thinkers:

TED FISCHER: Ne e përkufizojmë dashurinë romantike si një dëshirë intensive për tjetrin, me shpresën se ajo do të vazhdojë në të ardhmen. Dhe kjo e dallon atë nga epshi, i cili në përgjithësi është i përkohshëm, dhe gjithashtu nuk e ka atë intensitetin e dëshirës – që të bën të dëshirosh ta zotërosh tjetrin!

GAIL SALTZ: Gjatë studimeve të ndryshme është hulumtuar për aktivitetin që “ushtron” truri kur kujton dashurinë pasionante ose romantike, kundrejt dashurisë së nënës, dhe është zbuluar se gjatë rasteve të ndryshme në tru aktivizohen qendra të ndryshme. Neuropsikologët përdorën teknikën MRI funksionale*, ndërkohë u kërkonin subjekteve të mendonin për partnerin ose të dashurin e tyre. Në këtë rast, u vunë re që u ‘ndezën’ disa qendra në trurin e tyre. Megjithatë, kur atyre u kërkohej ta kujtonin nënën e tyre – në trurin e tyre aktivizoheshin qendra tjera. Atëherë, cilat qendra janë më të rëndësishme, sepse dihet që zona të ndryshme janë përgjegjëse për çlirimin e neurotransmetuesve të ndryshëm? Pikërisht çlirimi i këtyre neurotransmetuesve është përgjegjës për ndjenjat, gjendjet dhe sjelljet e juaja në të ardhmen.

Mirëpo, çfarë është ajo që ndodh gjatë asaj që e quajmë ‘dashuri’, shikuar nga pikëpamja e neurotransmetuesve?
Epo, rritet dopamina!

Dopamina është ndër neurotransmetuesit më të rëndësishëm që shpesh njihet si “lajmëtar kimik”. Çlirohet kur individët përjetojnë përvoja të reja, veçanërisht nëse këto përvoja janë ‘sfiduese’. Njësoj si bixhozi. Apo kur provojmë diçka që ‘na bën të varur’. Në fakt, shikuar literalisht – krijon varësi. Është pikërisht neurotransmetuesi që nëse keni ‘ngrehë një vijë’ kokainë, ju bën të ndiheni ‘uuau, kjo ishte e hatashme’, dhe unë dua ta provoj përsëri dhe përsëri. Shkarkimi i saj rritet kur përjetojmë dashurinë romantike ose pasionante.

Dhe çfarë do të thotë kjo për ju? Do të thotë që do t'ju bëjë ta përjetoni ndjesinë sikur jeni i varur nga partneri juaj. Është e çuditshme se sasia e këtij neurotransmetuesi është e lartë edhe te individët që ‘vuajnë’ nga çrregullimi obsesiv-kompulsiv. A do të thotë kjo që ju do të zhvilloni OCD? Jo. Por kjo nënkupton që ju do të ndiheni të fiksuar pas partnerit tuaj. Kësaj gjendje tashmë i bashkangjitet edhe një neurotransmetues tjetër që njihet si serotonina. Është padyshim një neurotransmetues që është aktiv për çrregullimin obsesiv-kompulsiv. Edhe për depresionin. A do të bini në depresion? Jo, jo, vërtet nuk do të bini.

Por, një nga ‘simptomat’ e depresionit është obsesioni... Dhe ju do të mendoni për partnerin tuaj pa pushim dhe në mënyrë vërtetë obsesive... Dhe, nëse ndodh që të ndaheni nga partneri juaj – ju do të ndjeni mall, do të ndjeheni sikur keni nevojë ta keni pranë, do të provoni të njëjtat simptoma që përjetojnë të varurit nga droga.

Ndryshime ka edhe në neurotransmetues të tjerë. Pra, nëse jeni fizikisht me partnerin tuaj, neurotransmetuesi oksitocinë, i cili njihet disi si “neurotransmetuesi i përqafimit” do t'ju bëjë të ndieni ngrohtësi, qetësi dhe të lidhur intensivisht me këtë person. Lirohet veçanërisht pas orgazmës. Pra dijeni, nëse jeni duke bërë seks me partnerin tuaj dhe gjërat shkojnë mirë, do të ndiheni shumë të lidhur me të, jashtëzakonisht intim me të. Gjë që ndodh pjesërisht për shkak të këtij neurotransmetuesi. Por kjo nuk është e gjitha. Vazopresina, e cila ka të bëjë me nivelin e stresit është një prej neurotransmetuesve që ju bëjnë të ndiheni shumë të fiksuar, të varur dhe të mendoni vazhdimisht për partnerin tuaj.
Në fakt, është një gjendje stresuese, deri në një farë mase, të jesh vërtet i dashuruar me partnerin!

HELEN FISHER: Ndër problemet më të mëdha që lidhen me ndjenjat intenzive të dashurisë është fakti që gjatë ‘përjetimit’ të saj, aktivizohen rajonet më ‘të vjetra’ të trurit. Rajonet e lidhura me nxitjen, dëshirën, obsesionin dhe motivimin. Po ashtu, disa rajone që ndodhen në korteksin paraballor që kanë evoluar shumë kohët e fundit – fillojnë të mbyllen. Pra, rajonet e trurit të lidhura me vendimmarrjen dhe planifikimin. Kjo bën që njerëzit që janë marrëzisht të dashuruar me dikë që mund të jetë i martuar, që jeton në anën tjetër të planetit apo që i përket një religjoni tjetër – ta kenë bindjen e plotë dhe besimin se: mund t'ia dalin!

Pikërisht për shkak të gjithë kësaj energjie intensive të dashurisë romantike që shkakton ‘mbyllje’ të sistemeve të ndryshme të trurit të lidhura me vendimmarrjen ju nuk e mendoni gjatë para se të vendosni të martoheni me dikë, apo të kaloni një pjesë të mirë të kohës me të. Megjithatë, kur niveli i neurotransmetuesve do fillojë të stabilizohet – atëherë...?

* Imazhim i trurit përmes rezonancës magnetike funksionale - teknikë për matjen e aktivitetit të trurit. [shënim nga përkthyesja]

Lajme të ngjashme