Zyra e çmendur e Republikës që s’ekziston ose një tregim për budallain
Shkruan: Arbër Ramadani
Budallenjtë e rëndomtë, fatkeqësisht, deri sa erdhi Republika kanë shërbyer si objekt talljeje nëpër zadrugat e katundeve, për argëtim momental e ikje nga hallet e jetës.
Ishin bizare tregimet mbi budallenjtë e katundit a lagjes së qytetit; kjo edhe për faktin se ata përdoreshin nga më të shkathëtit e katundit a lagjes për lloj-lloj mbrapshtish.
Si fëmijë shpeshherë e kam vrarë mendjen, në mungesë informacioni, se çfarë ndodh me budallain në shoqëri normale.
Në fakt, me aq sa kujtoj, fantazia ime s’ndalej te shoqëria, ta themi normale, por shkonte përtej saj.
Projektoja në mendje shoqërinë perfekte. Kjo pa menduar një konstelacion a sistem, me fjalë të tjera, pa i vënë emër. As qytet e as shtet. Mendoja me vete se çfarë bëhet me budallain në shoqërinë time të imagjinuar si e përsosur?
Në fund të atij mejtimi të gjatë, pas shumë përpjekjesh, budallenjtë i shihja të risocializuar.
Sigurisht, s’e përdorja termin ‘risocializim’. Madje as nuk ia kisha thënë këtë ndonjë miku e as nuk e kisha mërmëritur vetmevete.
Gjithsesi, ata i shihja disi të përmirësuar; diku mes nesh.
Krejt kjo ngjante, gjithnjë sipas fantazisë sime fëmijërore, pasi ata të kishin marrë pilulën magjike. Nuk e di pse, por gjithmonë këtë risocializimin e shihja si një proces që zgjat, madje edhe me ushtrime fizike, por fundin gjithnjë e shihja me një pilulë me ngjyrë e cila e rregullon përfundimisht budallain. Nejse!
Kur u rrita e kuptova se budallai i katundit, do trajtim dhe se nuk ka diçka të tillë si pilulë me ngjyrë. Kjo farë punte donte spital, ekspertë e ekspertizë. Pastaj mbase risocializim.
Tashmë isha djalë i formuar, ose ashtu mendoja.
Rreth moshës 17 vjeçare e ndjeja veten mjaftueshëm kompetent për të qenë kritik i fortë i Republikës të cilës i përkisja.
Kisha shumë brenga, shumë dëshira, tepër shumë ëndrra dhe njëfarë balanci racional për ta kërkuar një jetë të dinjitetshme. Jo veç për vete.
Siç ju thashë, e ngatërroja mendjen edhe me budallain e katundit dhe atë që kur isha fare i vogël.
Shteti ku po jetoja, Republika e Kosovës, shpallur më 17 shkurt, nuk kishte mjaftueshëm kapacitete as rehabilituese e as risocializuese për budallain e katundit.
Isha plotë vrerë.
E arsyetoj veten edhe nga prizmi i sotëm.
Isha shumë i ri për të qenë kaq i duruar. Shteti s’po bënte asgjë, sipas meje, për budallain e katundit tim. Ai po tallej, por jo njësoj si atëherë kur nuk kishim Republikë. Vetëm se këtë e kuptova tek më vonë.
Ai nuk rehabilitohej e as nuk po gjente derman, anipse një mjek po vinte në fshat tri ditë të javës.
Ai s’po risocializohej anipse shteti kishte filluar t’i trajnonte doktorët në lidhje me risocializimin e budallait. Ishte kjo koha e disa projekteve të Bashkimit Europian dhe organizatave që kishin ardhuar nga bota perëndimore.
Isha kaq i zemëruar me pushtetin politik të vendit tim. Ku hyja e ku dilja, njerëzve u flisja për disa gogolë që qeverisin me ne, e që nuk po e shërojnë budallain e katundit tim.
Madje ju flisja edhe për alternativa meqë copëza fantazie për shoqërinë perfekte më kishin ngelur ende në mendje. Ato, madje, ta hajë djalli, përshtateshin pikëpërpikë me alternativën e politikanit tim të preferuar atëbotë.
Isha djalë orator, shpeshherë e rrëmbeja vëmendjen edhe të burrave të moshuar, shumë nga ta miratonin gjithçka thoja, kush më kundërshtonte e gjente belaja; për pak minuta arrija ta vija përfundi këdo që më kundërshtonte. Nga debati me mua, mund të dilje veç i rraskapitur e i mundur.
Në qendër të argumentit tim gjithmonë e kisha budallain më të afërt që bashkfëolësi e njihte: “Hamdia te shitorja qëndron tërë ditën, çfarë bën për të shteti, pushteti a komuna?”, “A e dini se edhe ai do trajtim?”, “A kujtoni ju se jeta vlen vetëm për më të shkathëtit?”, “Po me Hamdiun, a duhet të merret ky mjeku që po vjen veç tri herë në javë?”, e këto ishin veçse pyetjet e para retorike të argumentimeve të mia pa u ndalur. Nejse.
U bë si u bë, rrjedha e jetës bëri që të filloja punën si gazetar.
Si njeri rreptësisht racional, gati deri në bezdi, zanatin e nisa me shumë skepticizëm.
Nuk ishte gjëja më pëlqente më së shumti në botë drejtimi i trasuar nga qeveria e re e sapozgjedhur, por megjithatë nuk isha as mjaftueshëm pasionant për të qenë kritik i saj.
Ditë pas dite, veprim pas veprimi, investigim pas investigimi, gati u binda se kemi të bëjmë me qeveri të padijshme. Epo, kjo nuk ishte fundi i botës. Të padijshëm kishin qenë edhe shumë para tyre.
Meqë përcillja më tepër drejtësinë, fokusi im ishte te politikat në lidhje me reformën në drejtësi.
Ministrja që demek po udhëhiqte me reformën, A.H, sa herë shfaqej në konferenca për shtyp, i gabonte termet juridike, ngatërronte koncepte.
U bëra kujdestar i saj. I shprehja kritikat publikisht e faqe botës në artikuj, shkrime personale ose i kuvendosja me këdo që debatoja për reformën.
Ia rrëzoja ligjet përpara se këtë ta bënte Gjykata Kushtetuese, pasi studioja me llupë nenet e gabuara dhe i dokumentoja ato në artikuj.
Ministrja A.H më bllokoi nga llogaria e saj në Facebook, anipse nuk kisha reaguar kurrë në faqen e saj; thjesht nuk e kisha bezidisur e përballur me padijen e vet.
Sidoqoftë, edhe këtë gjë, sado banale, e kuptova si një nga nivelet e luftës për pushtet. Tjetri që ka pushtetin, nuk e duron kritikun, sidomos kur ai është ustah i fushës.
Ja që kaloi edhe kjo.
Pushteti po çmendej çdo ditë e më tepër.
Marrëzi nga më të llahtarshmet, tregime e narracione nga më të përçudshmet.
Një paloekonomist me syze, një sharlatane tjetër, një gjysmë-budalla tjetër, një tjetër e një tjetër… Si dikush gati bezdisshëm i qetë, gjithmonë e kam shuar zjarrin e përplasjeve të ashpra edhe brenda redaksisë.
Kolegët e mi të zanatit, gazetarë e gazetare, e dinë se unë e merrja me sportivitet edhe marrëzinë më të pabesueshme që dinte ta prodhonte pushteti.
Por, erdhi një natë kur ndryshoi gjithçka.
Isha në ditën time të tretë, ose kushedi të katërtën, i shtrirë e pa lëvizur. Vuaja keq prej një infeksioni në gojë, i cili, si të ishte një ritual i çuditshëm, më shfaqet më së paku dy herë në vit.
S’po më zinte gjumi dhe vendosa hajt t’i lexoj disa nga shkrimet dhe punët që po bënin redaksitë e tjera.
Nuk është që s’i kisha lexuar kohë pas kohe, e që nuk isha argëtuar si ai i shkathëti i katundit me budallain e gjorë, Hamdiun, te zadruga e mëhallës.
Qeshja e tallesha me ta sa për të zhytur në ato çastet kur ishim bashkë me të tjerët, por edhe për të ikur nga lodhja e për ta hequr mendjen nga mundimet e jetës.
Por, atë natë i mora shumë seriozisht.
M’u kthye fantazia ime e fëmijërisë me pilulën me ngjyra, ndaj dhe shfletoja shpejt e shpejt, njërën pas tjetrës, faqet e Vud Xhymshitëve, Rron Gjinovcëve, Jeton Sopëve, Rilind Gërvallëve, Blerim Haxhive e Xhevdet Pozharëve.
Hopa, më kapi ankth. Ishte një diçka si shtrëngim në gjoks.
Nuk po u besoja syve.
Budallenjtë e zadrugës, për të cilët unë si fëmijë u qaja hallin aq shumë, tashmë ishin kaq të risocializuar në Republikën e Tretë, ajo që ishte atdheu i tyre ideal, aty ku më ishin mbivendosur, më kishin shpallur tradhtar e rreth vetes kishin mbledhur një rreth të gjerë prej bashkëbudallenjëve e deri te ata që mbajnë mbi supe grada si profesorë e doktorë, për të vazhduar me studiues, artistë e sportistë.
Budallenjtë e zadrugës ishin rreshtuar krah babës lider, krah pushtetit, kishin bindur me mijëra e mijëra njerëz se realiteti juridiko-politik ku po jetojmë nuk qe tjetër pos e shumëndërruara Republikë e Tretë, ajo për të cilin kishte folur kaherë Baba.
Ata nuk ishin ulur në paketat boshe të zadrugës së katundit, aty ku e kishin vendin në Republikën që unë e kritikoja, as mbi frigoriferin e prishur skaj rrugës, ku i shkathti ndalej e tallej me ta.
Ishin që të gjithë ulur këmbëkryq me llaptopët afër, ose syhapur para ekranesh televizive. Ishte si një zyrë e çmendur e Republikes Utopike, tashmë e materializuar.
A ka pilulë me ngjyra?
A ka shtet, qytet, sistem, ekspert a ekspertizë që i risocializon budallenjtë e Zyrës që kanë shpallur krye në veteRepublikë të Tretë, pa gjak, pa beteja, pa luftë, pa mund, pa diplomaci, pa marrëveshje? Këtë e kishin bërë vetëm me dy akte administrative…