Zgjedhjet në Bosnje dhe ndikimet në Kosovë
Shkruan: Albinot Maloku
Rezultati i zgjedhjeve në Bosnje dhe Hercegovinë, e ulë edhe më poshtë marrëdhënien e saj me Kosovën. Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të cilat u mbajtën këtë të diel në Bosnje dhe Hercegovinë, në nivelin presidencial për anëtar të presidencës tre paleshe nxorën si fitues: Zhelko Komshiqin nga DF, (parti e orientimit qytetar/jo nacionale) i cili sipas ndërtimit kushtetues të vendit përfaqëson kroatët, Denis Beqireviq nga SDP (socialdemokrat) me 11 parti tjera i cili përfaqëson boshnjakët dhe Zhelka Cvijanoviq nga SNSD (partia e Millorad Dodik, një nacionalist i ardhur dekada më parë si socialdemokrat).
Rëndësia e këtyre zgjedhjeve në raport me Kosovën është tek fakti që Bosnje dhe Hercegovina me rrymat aktuale të forcave politike mund të ulë edhe më poshtë marrëdhënien me Kosovën. Nga pala serbe vazhdon të këtë fuqi vendosëse në politiken e jashtme të BeH, partia e Millorad Dodikut, ndërsa partitë fituese rresh PSD-së së Denis Beqireviqit që përfaqëson boshnjakët nuk është se ka pasur ndonjë ndjesi bashkëpunimi me Kosovën. Në raport më rregullimin marrëdhënieve mes BeH dhe Kosovës vazhdon të jetë vetëm Zhelko Komshiq i cili prej mandatit të parë të tij, e ka njohur subjektivitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.
Shteti i Bosnje dhe Hercegovinës nga vendet e rajonit është me qëndrim mjaft refuzues ndaj shtetit të Kosovës, e në disa çështje edhe më e ashpër. Qytetarët e Republikës së Kosovës nuk mund të udhëtojnë pa një vizë e cila duhet të procedohet në atë formë që përgjigjen duhet ta jap vet Ministria e Punëve të Jashtme në Sarajevë, dhe nuk ka viza turistike të cilat do të mund t’i përdornin qytetarët e Kosovë. Nga spektri politik në Sarajevë nuk është se ka pasur hapa konkret drejt përmirësimit të kësaj gjendjeje. Kosova ka treguar mirëkuptim për rendin politik dhe rrethanat në Bosnje, veç rastit kur me të drejtë Qeveria e ish-kryeministrit Haradinaj kishte vendosur taksën 100% ndaj këtij shteti. Vizitat e lidershipit politik e shtetëror të Kosovës në Sarajevë gjithmonë kanë kaluar në hije dhe pa asnjë procedurë zyrtare. Takimet mes krerëve e zyrtarëve shtetëror të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës ka ndodhur vetëm në margjinat e takimeve ndërkombëtare. Këtë lloj marrëdhënie Kosova nuk e ka as me Serbinë.
Në këto zgjedhje ndryshime të orientimit politik kanë bërë vetëm boshnjakët, duke iu larguar subjekteve politike me prapavijë kombëtare, ndërsa forcat nacionaliste serbe e kroate vazhdojnë të mos ndryshojnë.
Zhelko Komshiq është përkrahur edhe nga boshnjakët, e kjo ka bërë që partitë kombëtare boshnjake të kenë thyerje të mëdha. Bakir Izetbegoviq nga Partia e Aksionit Demokratik nuk ka arritur të këtë suksese, gjë e cila mund të jetë hapë drejtë reformave të kërkuara për këtë subjekt politik që tradicionalisht përfaqëson boshnjakët.
Zgjedhjet janë mbajtur për nivele si: Asambleja Parlamentare e Bosnje dhe Hercegovinës, (për dy dhomat: Përfaqësuese dhe të Popullit) Asamblenë e Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Asambletë për dhjetë Kantone, Kuvendit Popullor të entiteti Republika Serbe, Kryetarin e RS si dhe të Kuvendit të Distriktit të Bërçkos. Sistem ky i dizajnuar nga Marrëveshja e Dejtonit. Me të mbaruar ky proces zgjedhor, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkësisë Ndërkombëtare në BeH, Christian Schmidt ka vendosur të imponojë Ligjin Zgjedhor, (çështje kjo problematike) përmes së cilit pamundësohet përdorimi i vetos duke u thirr në NVI-Interes i Lartë Nacional, i cili komplikonte formimin e Qeverisë së Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës.
* Autori është politolog dhe njohës i politikës së Ballkanit Perëndimor. Shkrimi është shkruar për gazetën Nacionale.