Vicklat e Vincës së Veleshtës - NACIONALE

Vicklat e Vincës së Veleshtës

10 muaj më parë

nga NACIONALE

18 shtator 2025 – Në botë ka poetë e letrarë që cakërrohen me pushtete e regjime.

Në këtë përballje të shpërpjestimtë, pushteti ka leva gjithfarëshe dhe monopolin ‘weberian’ të dhunës legjitime.

Shkronjësit, në anën tjetër, kanë fuqinë e vargut dhe fjalës. Ose ngushëllimin që fjala vret larg.

Edhe kur ndodh që paguajnë çmimin epëror – asgjësimin, ata lënë pas vete një “gëk-mëk”, si ofshamë e mbramë e protestës që kushedi kur ose në ç’rrethana rastis të bëhet kodfjalë për rrëgjimin e një regjimi.

Poeti e letrari strugan, Agim Vinca, sot nuk është nga ata që mallkon e truan pushtete e politikanë.

Ai është luftarak vetëm kur bëhet fjalë për të shituar disidencën ndaj regjimit të Albin Kurtit.

Pena e mikut tonë strugan sot nxori një pamflet me titull domethënës “Albin Kurti në gijotinë!” që e botoi Instituti Shqiptar për Gjeopolitikë me drejtor Sadri Ramabajën.

Pas tij, pamfleti mori flatra në mediumthin e Gëzim Mekulit dhe voilà…u bë lëndë e parë ushqimi për mijëra zombi që e duan regjimin dhe në mënyrë morbide jetojnë për të.

Vinca disident ishte krijues i imazherisë sonë kombëtare me vargëzimet e tij të paharrueshme “Pat ikur mësuesi im në Turqi”, kjo vajtojcë maestrale ndaj fatit të zi të shqiptarëve që Jugosllavia i dëbonte në Turqi.

Por, Vinca antidisident është krijues i një imazherie të rreme për një regjim populist që në porta të Evropës ka krijuar një shtet që gulçon toksicitet, antiperëndimorizëm e egoizëm qesharak.

Si lëçitës të mirë të korpusit poetik të tij, ne, në Nacionale, po e bëjmë një dialog eterik ku Vinca antidisident (rrjedhimisht, pro-Albin) përballet me një Vincë imagjinar, disident tamam, që i thotë cok të vërtetat e nuk e mbulon lakuriqësinë e Mbretit me gjethe fiku a me petka të padukshme.

Le të fillojmë këtë kuvendim si poetë me alamet bohemësie e me gota vere në duar.

Tashmë mund të thuhet lirisht se demonizimi i Albin Kurtit është bërë sport nacional ndër shqiptarë. Ngado që të sillesh, kudo që të shkosh, nuk dëgjon gjë tjetër veçse sharje e mallkime për kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje! dhe kryeministrin e Republikës së Kosovës, tani në detyrë, Albin Kurti

Ai që në anëpamjen e pushtetmbrojtësit duket 'demonizim', në anëpamjen e opozitarit është zhveshje e pushtetmbajtësit nga të gjitha luspat dhe torturim i tij me ballafaqim të vërtetash. Kryeministri, këtu e kudo, është adresa e parë ku duhet të trokasin zërat ankimtarë, zemëratat e shkrofëtimat. Albini sivjet i mori 337, 791 vota, një e mbërritur kjo sa për t’u skalitur në regjistrin e historive me zgjedhje. Politikanit nuk duhet t’i shkojë vetëm zemra e shalqirit (lavdia nga vota), por edhe lëvorja e tij që ka përgjegjësitë. Hallku duhet t’i hakërrehet një Albini qyq që as nuk vjen e as nuk shkon, e jo ta zëmë t’i bijmë në qafë Danush Ademit të Partisë së Ashkalinjve që mori 744 vota. Në një të ardhme hipotetike nëse e kundërta do të ishte e vërtetë, atëherë natyrisht që saçmat e kritikave do të mësynin mbi Danushin. Ndërdyshja e madhe ndër ne nuk duhet të jetë a duhet apo jo të fshikullohet Kurti, por a duam një Kosovë që jeton në fantazi politikanësh a një Kosovë të zhveshur në realitetin e vet. Ose siç e poetizonte bukur një varg vincian: “Pesëdhjetë vjet pa u parë: Ëndërrbukur, zhgëndërrvrarë!” Ëndërrbukur sot është ai që i jeton fantazitë e Kurtit, zhgëndërrvrarë është ai që i ka shkërmoqur këto fantazi edhe me çmimin e zhgënjimit dhe dëshpërimit.

Jo rrallë ftohen në studio njerëz që për Albin Kurtin dhe qeverinë e Kosovës flasin me gjuhën e rrugës.”

Edhe gjuha e rrugës është vetëm njëra nga shumë ligjërimet sociolingustike. Është patetizëm mbi patetizma të pandehet, qoftë edhe për një farfurimë sekonde, se gjuha publike do të jetë gjithmonë me mëgojëzat e një edukate evangjeliste. Vetë Albini e desakralizoi atë që dikur e shquante shoqërinë shqiptare këndejpari: konsiderata për tjetrin dhe të tjerët. “Këta hajvanë”, uluronte Albini disa ditë pas zgjedhjeve pa e çarë kokën për konvenca e kodekse morale. Vinca ynë, për çudi, nuk e mori asokohe kamxhikun e qortesës. Ligjërimet, pra, janë kurdoherë në përkitshmëri me rrethanat e jashtme. Kur bota e maleve shqiptare vuante nga izolimi, forma e komunikimit ishte një ‘hee-heee-heeej’ nga bjeshka në bjeshkë. Kur e kishim Rilindjen si këndellje kombëtare, nën darat e Portës së Naltë, rilindësit i shkruanin letra shoqi-shoqit plot mirësjellje e vëllazëri. Sot është viti 2025 dhe sfera publike duhet t’i tolerojë të gjitha ligjërimet e shpenguara e joakademike, përveç atyre që jargëzojnë thirrje urrejtje.

Dhe kjo fushatë linçuese zhvillohet horizontalisht dhe vertikalisht, nga Prishtina në Tiranë, via Shkup, Tetovë, Strugë e Elbasan dhe nga maja e kupolës e deri në bazë. Nga lart rri e vështron Vëllai i Madh, karizmatik, që modelin Kurti e sheh si rrezik.”

Bota shqiptare është sa një kafshore, e vogël dhe e paktë në numër. Shqipníja e bashkuar jeton si një e tërë në metarealitetin digjital, dhe kundruar nga kjo fushëpamje, ato gjëra që më parë ishin të fshatit a krahinës sot janë të të gjithëve dhe anasjelltas. ‘Vëllai i Madh’ – një aluzion i dobët për Edi Ramën – nuk ka pse të tutet nga Kurti e regjimi i tij për aq sa ne duhet t’i kemi frikën një maçoku që ia ka mbushur mendjen vetes se është luan. Për fat, Shqipníja e andej Drinit është kthyer në tokë pelegrinimi për njerëz të mëdhenj nga Perëndimi që po e japin kumtin më të madh të fillimshekullit, bashkëngjitjen e tokës shqiptare në familjen e madhe evropiane. Kosova e pafan (le ta huazojmë këtë shprehje arbëreshe!) është një vend të cilit i është vënë sipri dhe anash një cordon sanitaire. Ajo ka një ekonomi që ka pushuar së ekzistuari dhe njerëzit e devalvuar sakaq janë kthyer në një vargan të gjatë për të ikur. Të rreshtuar në pritje nuk ka vetëm varfanjakë, por gjithnjë e më shumë edhe shtresa që dikur kishin kamje. Modeli Kurti nuk po imitohet nga askush sepse sot askush nuk shpreh gatishmëri që nga bota e veturave ekologjike, banimit me ajër të kondiconuar e mirëqenies ëndërrore të kapërcejë hop së prapthi në botën e transportit me mushka e qé, në ajër të athtë të ligatinave e në skamje. Kosova e Kurtit është bërë ajo që ka vënë kufij e ledhe brendashqiptare, dhe siç e thoshte një shkrepëtimë poetike e Vincës disident, vetëm zogjtë janë: “të vetmit udhëtarë që i kalojnë kufijtë pa pasaportë”.

Disa e quajnë edhe ardhacak (‘njeri nga Mali i Zi’), edhe pse Albini ka lindur dhe është rritur në Prishtinë, ku edhe jeton.”

Secila kulturë politike, prej agimeve klasike në Athinë e Romë, e shfrytëzon ‘ardhacakësinë’ e një politikani a njeriu me staturë publike. Këtu nuk ka vend për habi dhe habia e vetme do të ishte me ata që e bëjnë të habiturin kundrejt një tabiati të tillë. Ardhacakësia e Kurtit fare pak ka të bëjë me historinë e Zaim Kurtit që nga Sukobina e Ulqinit i çau ravat e jetës për të ardhur në Prishtinë e për ta bërë për vete Arifenë, studenten nga Gollaku. Jo! Ardhacakësia e Kurtit është fakti i trishtë që ai i tokëzoi gjërat më të huaja në këtë truall, iu dha nënshtetësi vlerave më joshqiptare dhe kështu edhe vendi u bë i huaj për ndenjësit e vet. I gjithë projekti antiperëndimor në Kosovë – prej urrejtjes vetëvrasëse kundër Amerikës, Evropës apo solidarësia e shtirur me kauzat e pakauza të Levantit – është ardhacak dhe i huaj.

Nuk ka mbetur gjë pa u thënë për të, nuk ka mbetur sharje e fyerje që nuk i është bërë. Edhe kur ia ul rrogën vetes Albin Kurti e shkel ligjin!

Kurtit do t’i thuhet pa kusur çdo gjë sepse sa ishte i papushtet ai i mikloi krenaritë e të nëpërkëmburve, kurse atyre që ishin relativisht mirë iu dha uzdajë se do të bëhej pa hesap më mirë. Me fjalë të tjera, ndryshe nga politikanë të tjerë, Kurti u përbirua hajdutçe edhe në thellësitë oneirike e nënvetëdijësore të njerëzve. Dhe hallku tash, siç edhe pritet, kanë të drejtë t’i ulurojnë në fytyrë se ai as nuk e bëri Kosovën paradis ekonomik e as skamjen nuk e bëri kamje. Dhe, ironikisht, Kurti nuk ia uli vetes rrogën, por e shtoi atë pa e thënë se e shtoi. U quajt me marifet Ligj për Pagat, dhe koficienti 17, aq sa u kategorizua paga e tij, ishte një rritje prej 120 eurosh. Paga e tij është 1 mijë e 785 euro pa përfshirë shtesat e tjera.

Veç një gjë nuk e kuptoj dhe nuk di si ta shpjegoj: si ka mundësi që i njëjti njeri të jetë shqiptari më i urryer në Serbi dhe njëkohësisht edhe njeriu më i urryer në Shqiptari?!

Cili shqiptar nuk është i urryer në Serbi? Por, urrejtja e atjeshme nuk do të duhej të ishte arsye që këndejpari të kontrabandoheshin ‘të urryerit’ e atjeshëm. Politika e Beogradit është më e rysur nga dinakëritë sesa budallallëqet ditore që lëshohen nga mediat e xhepthat e tjerë divulgativë. Cilado qeveri e re apo kryeministër i ri në Kosovë është komentuar në Beograd asisoj që të paraqitej si kërcënim ekzistencial për Serbinë! Kaq mjaftonte që gjindja e ngritur peshë në Kosovë ta legjendarizonte për së gjalli prijësin e vet. Dhe këtë e bënte përmjet një silogjizmi të vajmedetshëm. I shari nga Serbia është i mirë për mua! Tabloja para të cilës po i mbyllim sytë, përfshirë edhe vetë mikun tonë Vinca, është ajo e një pezhishke ku Kurti e Vuçiqi kanë njëfarë sivëllamërie, një dyshe që e ndihin shoqi-shojn duke prodhuar disa herë në vit kriza që hallakasin emocione, ndjesi e sentimente.

Nuk mungojnë as akuzat për korrupsion! Kërkojnë burgosjen e Albinit për ‘hajni’, ata që s’ia dinë skajin pasurisë… Kur kapobanda thërret: ‘Kapeni hajnin!’ edhe qorri e di sa është sahati: në ç’gjendje është katandisur morali, etika dhe politika.”

Duhet bërë dallimi se kush e jep vigmën për korrupsion. Të shumtën e herave kanë qenë gazetarë të guximshëm që i kanë pikasur majat e skandaleve e aferave që nënujshëm kishin përmasa akullnajash. Imazheria e gabuar e ka krijuar imazhin e një politikani të korruptuar vetëm si një hamësr që i numëron në zyrë paratë e vjedhura nga ky e ai tender. Harrohet që korrupsioni i vërtetë është fare më i thjeshtë në tezgjahun e vet. Korrupsion është mosnjohja brutale e ligjit dhe shkelja e tij. Thuajse asnjë kryeministër në botë nuk është përplasur në burg pse u zu me presh në duar, por pse ishte leshko në punë nenesh dhe kësisoj i bëri të mundura pasurimet e përftimet e vartësve. Nuk ka ministri të Kurtit në të cilat nuk kanë rënduar të bëma korruptive, dhe Prokuroria Speciale po i heton dy ministra, nga ata që Kurti i pati më të afërtit dhe nga ata e patën Kurtin padron e dalazotës. Dhe po, Kurti e pati maksimumin e pushtetit sa t’i ndëshkonte të korruptuarit e vjetër e ata të rinj, por e vetmja gjë që ndodhi ishte se korrupsioni u bë një trajtë e gjithëmbarshme që nuk ndëshkohet.

Askush nuk është kundër kritikës, si asaj që vjen nga opozita, ashtu edhe nga shoqëria civile dhe media, por kjo për të cilën po flasim s’është kritikë, por propagandë që ka për qëllim diskreditimin e kundërshtarit politik, i cili trajtohet si armik!

Vinca jodisident e quan propagandë gjithçka i kundërvihet idilit të tij për një pushtet të mbarë, siç i pandeh ai vitet e Kurtit. Një Vincë disident, siç ishte ai dikur me mëzdraka vargjesh, do të duhej të ishte në ballë të atyre që hakërrehen ndaj një qeverie që u bë armikja e vetes, kurse njerëzit i robëroi me psikozën e vet zevzeke. E vërteta e harruar, dhe e mërguar nga kujtesa kolektive, është ajo që vetë Kurti erdhi në pushtet e u bë ky që është tani falë një doktrine të argasur proapagande. Atë nuk e solli në pushtet dija e tij dhe formula e saktë për mbrothësi në Kosovë, por shishet, kavanozët dhe strajcat me propagandë. Gënjeheshin njerëzit për “harta mbi thika”, për pasuri të paskaja xehesh që duhej vetëm të miheshin, për vende të reja pune, për investime e kushediçfarë vegimesh të tjera. Vetë Kurtit iu deshën vetëm disa javë pushtet që të shpërrallisej e ta kuptonte se Kushtetuta nuk e lejon bashkimin kombëtar. Kurse një numër i madh jeton ende me besojcën e një shteti alla-socialist që hap fabrika. Ndaj, shpirtrat e lirë duhet të kritikojnë e kritikojnë pa u kokëçarë për ndjeshmëri e sedra të vrara. A nuk e thoshte këtë edhe një varg i smeraldtë i vetë Vincës poet: “Kur fola, më thanë: hesht!/ Kur heshta, më thanë: fol!/ Folehesht, heshtefol jeta ime.”

Në vitet nëntëdhjetë Albini ishte sekretar i përfaqësuesit politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë, Adem Demaçit, dorë e djathtë e ‘Bacës’, i cili nuk do të mund të funksiononte, sidomos në raport me botën, pa shërbimet e djaloshit flokëgjatë, që e zotëronte në mënyrë perfekte anglishten dhe teknologjinë, e kjo do të thotë se ai u bë edhe vetë pjesë e luftës, për çka edhe u dënua me 12 vjet burg si ‘terrorist’”

Vetëm një botë e ndërtuar së prapthi si kjo e jona, viktimë perpetuale e varfërisë dhe padijes, ka prodhuar aso situata ku parti, formacione e organizime kishin nevojë për dikë që e njihte anglishten! Si fryt i një eksperimenti komunist – një përvojë nën Jugosllavi që mos u ktheftë më! – arsimi shatra-patra krijoi elita thuajse të shkëputura nga Perëndimi. Dhe në kushtet e mungesave të rilla, siç qe ajo për njohës të anglishtes, u bë deriçkë që të përvidhej turlifarë aventurieri. Si përkthyese debutoi në politikë kjo që sot është hanëm presidente, dhe si përkthyes debutoi ky që ishte për pesë vite kryeministër. Shqiptarët janë një nga popujt e hasretit në Mesdhe tek të cilët përkthyesit bëhen politikanë. Dhe kjo ndodh kur vetëshkëputesh nga të gjithë të tjerët nën zekthin e një ksenofobie të pakuptueshme. Sa bukur e gjuhësonte një varg vincian: “Ç’ka që vrapon kjo erë e marrë/ Rrafshit të gjerë pa gjeth e fletë;/ Kërkon të thotë një lajm, një fjalë/ e s’e thotë dot, haj medet?!

Albin Kurti është fajtor kujdestar për gjithçka që ndodh në Kosovë.”

Nëse kjo barrë është kaq e padurueshme për të, atëherë ai nuk ka kurrfarë detyrimi që ta mbajë vendin rob të psikozave të tij. Nëse edhe mbështetësit e tij ndjehen të bezdisur në sedër, atëherë edhe ata duhet të bëhen zëra kërkues që ai të sprapset nga nopranllëku.

Përse PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk e votuan deputetin Nenad Rashiq për nënkryetar të Kuvendit, njeriun që e njeh shtetin e Kosovës dhe institucionet e tij, por kërkojnë që ai të jetë patjetër nga radhët e Listës Serbe, e cila e hap fushatën për zgjedhjet lokale me himnin e Serbisë dhe me sloganin ‘për çlirim nga Albin Kurti’?!

Në ligjërimin e VV-së, i menduar gjithmonë për audienca tuhafësh, gjithçka thjeshtëzohet për t’i bërë vend rrëfimit sikur Kurti dhe VV-ja janë luftëtarët e së mirës, kurse të tjerët janë shërbestarë të së keqës. Me gjithë atë fuqi përkrahje sa pati pas zgjedhjeve të 2021-s, Kurti e pati rastin t’i jashtëligjësonte plot nga krerët e Listës Serbe, e madje edhe vetë organizatën, me rastin e Bajës si testament i papërgënjështrueshëm që kjo parti faqe botës mbajti homazhe për terroristët e vrarë. Pas çdo moralisti fshihet një qenie boshe dhe e privuar nga çdo skrupull, dhe kjo u provua kur dolën përgjimet telefonike dhe krahu i djathtë i Kurtit, Mimoza Kusari-Lila, doli ajo që e kishte pasur muhabetin fjollë me zyrtarë të Listës Serbe, përfshirë edhe epitomën e krimit rajonal, Milan Radojiçiq.

Nuk është pa të meta Qeveria Kurti; disa nga ministrat lënë për të dëshiruar; mjaft nga premtimet nuk janë përmbushur, jo vetëm për mungesë të vullnetit politik, por edhe për shkak të rrethanave në të cilat i ra në hise ta drejtonte Republikën e Kosovës liderit të Vetëvendosjes

Performimi i secilës ministri ishte i tmerrshëm, pasojë kjo e faktit që në krye të tyre ministrojnë njerëz që e patën ministërllëkun si punë të parë. Jo një pjesë, por pjesa dërrmuese e premtimeve të Kurtit kanë mbetur fjalë të shkruara në akull. Ato nuk i ndaloi as lufta në Ukrainë, as bilmezët e Hamasit që popullin e vet e bëjnë mish për top, e as erërat ndërkombëtare. Ato kanë emrin: padije. Padija rrëqethëse e Kurtit shihet nga fakti që funksionarët kryesorë të tij i zgjodhi gjakftohtësisht e pa shtrëngim. Fjalët në erë nuk ndërtojnë asnjë urëz nëse planifikuesit, ustahët e punëtorët nuk marrin vesh sesi funksinon ngrehina e shtetit.

Kurrgjë mos pastë bërë kjo qeveri, e ka ndryshuar dukshëm gjendjen në Veri, duke e shtrirë autoritetin e shtetit edhe në këtë pjesë të territorit të Kosovës, betejë që ende nuk ka përfunduar dhe që kërkon angazhimin e të gjithëve

Vinca jodisident e zbulon si padashje mënyrën sesi funksionoi dhe ende funksionon eksperimenti albinkurtist. Dështimi masiv në gjithçka u arsyetua duke pasur si vëng ‘veriun’. Kështu, kufiri (Elsie i ndjerë do ta quante ‘bota e kufirit’ si nënderivat kulturor) u bë azil arratisje. Në emër të rrahagjoksjeve, fjalëve në hava e simbolizmave me rruaza e teneqe (që funksionojnë në mendësi tribaliste), mbulohej realiteti i zgjyrtë që pjesa tjetër e vendit po bëhej shkretëtirë e pajetueshme. Një Vincë disident, përkundrazi, do të ishte i pari që do ta shkërmoqte këtë kapardisje koti. Qilimi sovranizues është shtruar edhe me parë sesa të vinte Kurti dhe dalazotës të tij janë miq prej së vërteti nga Perëndimi.

Vërtet i ndaloi referendumet që mbante Serbia më parë në Kosovë dhe nuk e formoi Asociacionin, të cilin ia lanë në derë pararendësit, por nuk u ka cenuar asnjë të drejtë pjesëtarëve të komunitetit serb, të cilëve u drejtohet pa kompleks edhe në gjuhën e tyre.”

Serbia nuk mbante më parë referendume në Kosovë. Këtë e di kushdo që është i paaftë për të harruar ose së paku e jeton të vërtetën e këtij vendi pa u namatisur nga interpretime e titrime të gabuara. I vetmi ‘referendum’ pati qenë një palo nismë e serbëve të veriut, të cilët brenda ditës i bën qejf vetes duke sokëllitur çetnikçe. Ai referendum as nuk u njoh nga bota e as nuk prodhoi ndonjë konsekuencë të vetme. Kurti është gjeneral i mirë lufte për të fituar beteja që nuk janë bërë e armiq që nuk janë shfaqur. Për fat të keq, kjo mënyrë dallashe e të parit të botës po bashkëndahet edhe nga njerëz që do të duhej të ishin të parët për të kritikuar një pushtet që sajon fitore, që humbjet i numëron për fitore e gjëmen e shet për selamet.

Ajatollahët e Iranit e falën dikur shkrimtarin ‘heretik’ Salman Ruzhdi, por ai mbeti pa një sy! Ne këtij tonit duam t’ia nxjerrim që të dy!

Salman Ruzhdi ishte njeriu që me shkrimtarësinë e vet e trandi Lindjen e mendësitë e saj refraktare. Ai nuk ishte politikan dhe bota e fiksionit të tij letrar nuk i vuri në lajthim njerëzit sa të shanin njëri-tjetrin në emër të një utopie. Kurti nuk është Ruzhdiu. Dhe kjo demokraci e keqe – por e vetmja formë efektive që na e mban nën fre harambashllëkun – është e tillë që njerëzve zgjedhës ua jep të drejtën t’ia nxjerrin sytë politiakanëve të zgjedhur. Le të urojmë që e kundërta të mos jetë e vërtetë. /Nacionale/

Lajme të ngjashme