Suksesi i Qeverisë apo Zhvatja e Popullit? Pse propaganda nuk kalon!
Shkruan: Dardan Sejdiu
Këtë shkrim po e bëj si përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj valës së mesazheve propaganduese (për mos me i quajt ndryshe) që ma ka vërshu inbox-in këto ditë. Në botën e tyre virtuale propagandistike, Kosova po lulëzon. Qeveria në detyrë ka "rritjen më të lartë ekonomike në Ballkan", se ATK-ja paska mbledhur miliarda dhe se taksat "po i kthehen popullit". Pikë.
Por, matematika e jetës reale nuk mbaron te propaganda virtuale e pushtetit. Përkundrazi, aty fillon mashtrimi i madh. Kur politika mburret me miliarda, ndërsa buka, vezët, mishi, vaji e qumështi shtrenjtohen çdo ditë, kjo nuk quhet sukses, quhet "Tatim mbi skamje".
Po mundohem, kësaj rradhe më shkurt, me i zbërthy këto "fakte" që po na shiten si mrekulli:
1. Rritja e "fryrë" (Inflacioni)
Nëse ekonomia "rritet" vetëm sepse çmimet janë dyfishuar, kjo nuk është pasuri, është numërim i dëshpërimit. Kur çmimi i vajit, vezëve, mishit apo sheqerit fluturon, qarkullimi i parave në letra rritet, por sasia e ushqimit në pjatat tona zvogëlohet. Qeveria po krenohet me vlerën e parasë që po zhvlerësohet. Ky nuk është zhvillim!
2. Rekordi i ATK-së: Kush e pagoi faturën?
Miliardi i mbledhur nga ATK-ja nuk erdhi nga ndonjë revolucion industrial apo hapja e qindra fabrikave. Erdhi direkt nga xhepi i qytetarit që paguan TVSH më të lartë për shkak të shtrenjtimit të çdo produkti. Shteti u bë më i pasur sepse qytetari u bë më i varfër. Të mburresh se ke mbledhur shifra rekord taksash nga një popull që mezi e mbyll muajin, është cinizëm i pastër.
3. "Sadakaja" nuk është Investim
Thonë se taksat po i kthehen popullit përmes pensioneve e shtesave. Kjo quhet "Ryshfet i vonuar". Paratë tona duhet të jenë themeli i një sigurie që nuk tundet pas zgjedhjeve. Sepse paratë e popullit nuk kthehen me "lëmoshë" 100-euroshe që avullohet brenda 48 orëve nëpër markete, duke lënë pas të njëjtën varfëri, por me një shije të hidhur mashtrimi.
Ato kthehen vërtet vetëm atëherë kur një prind NUK detyrohet të dorëzojë gjysmën e rrogës për një çerdhe private sepse ajo publike thjesht nuk ekziston, apo kur një qytetar nuk detyrohet t'i numërojë centët e fundit në xhep për barna sepse nuk kemi arritur të ndërtojmë sistem të sigurimeve shëdetësore.
Duhet ta kuptojmë mirë: e ardhmja e këtij vendi ndërtohet me investime që zgjasin 20 vjet dhe u shërbejnë gjeneratave, e jo me pagesa populiste që "vdesin".
4. Listat e "nderit" vs. realiteti i rrugës
Mund të ngjitemi në 100 lista të antikorrupsionit, por nëse në fund 113,000 njerëz ikin nga vendi sepse nuk shohin perspektivë, ato lista janë vetëm dekor për zyrat e ministrave. Njerëzit nuk jetojnë me "reitingje", por me siguri ekonomike, siguri sociale, prodhues serioz, biznese që zhvillohen, energji elektrike dhe infrastrukturë që funksionon.
Taksat e popullit sot po shkojnë në "Karamela elektorale" për të blerë qetësinë deri në zgjedhjet e radhës. Kjo nuk është ekonomi, është blerje e kohës me paratë tona.
Mund të propagandoni sa të doni, por realiteti i kosovarit është një presje e madhe që vazhdon drejt emigrimit.
P.S. Dhe ta sqaroj një gjë troç: Kritika ime nuk është as mbrojtje, as amnisti për hajnitë e dështimet e qeverive të kaluara. Gabimet e tyre i kemi paguar shtrenjtë, por ato nuk mund të përdoren sot si "leje" për të na mashtruar sërish.
Kosova nuk e ka komoditetin të zgjedhë mes një dështimi të vjetër dhe një mashtrimi të ri. Një gabim i vjetër nuk e bën të drejtë një gabim të ri.
Unë shkruaj dhe kërkoj llogari për rrugën përpara. Dhe këtë e bëj tash e 15 vite!
Matematika nuk gënjen. Politika po.