SI U DEGRADUA THESARI YNË SHPIRTËROR
Shkruan: Luljeta Pula
Është e dhimbshme, por thesari ynë shpirtëror, është rrënuar, është thërmuar , është degraduar , dhe është zbehur në pafundësi. Unë e di se kur ideali realizohet, ai rrezikon të zbrazet nga përmbajtja. Dhe sakrifica tani, zëvendësohet me interes. E përmbushja shpirtërore , shëndrrohet në boshllëk material. Ka humbur armiku i jashtëm. Ai nuk është më. Dhe kjo sjell një shpërbërje të ngadalshme të unitetit të brëndshëm. Kur më kujtohet ngjeshja e radhëve kombëtare në të 90, sepse kishim një të vetmin ideal në masë, një ideal kolektiv , e kur shoh ku kemi rënë sot ! Jemi bërë një masë amorfe, pa shpirt, pa ndjenja, pa entuziazëm, pa ideal, pa asgjë shpirtërore! Dhe kemi kaluar nga ‘’ne ‘’ në ‘’unë ‘’. Ka një luftë të ashpër e agresive për pushtet !
Dhe ajo është bërë qëllim i vetvetes ! Sepse pushteti sjell mirëqenie, sepse pushteti sjell privilegje. Thjesht është zhdukur kuptimi, dhe ai i ka lënë vendin cinizmit, hipokrizisë, ironisë, ndërskamcave, lojërave të shpifura , ‘’ strategjive dhe taktikave ‘’ rrënuese që kanë për shënjestër tjetrin, goditjen e tij dhe rrëzimin e tij përdhe ! Sot idealet dhe shpirtërorja janë para lirisë.
E momenti i kthesës ishte realizimi i lirisë. Dhe kjo solli rënie dhe degradim moral dhe shpirtëror! A ka rikthim ? Nuk e di ! E di vetëm një, se ne as tani nuk jemi të lirë. Nga prangat e sërbit, në pranga të reja, në ato të islamit politik, që po e rrënon përditë qenien tonë kombëtare. Dhe rezistenca ndaj tij , është e domosdoshme. Por përderisa luftën tonë kundër sërbit e mbante vetëdija e ndërgjegja kombëtare, e mbante e vërteta ynë historike, e mbante e drejta jonë për të jetuar dhe për të qenë të lirë, e mbante e drejta jonë e patjetërsueshme për vetëvendosje dhe shtet, e mbante sakrifica, frymëzimi dhe inspirimi kombëtar, e mbante një vetëdije kolektive, kush do ta mbajë sot barrën e luftës për identitet kombëtar, të cilin rrezikshëm e ka cenuar sot islami i importuar politik, dhe mbështetësit e tij jasht dhe brënda. . Kjo rezistencë sot, është shumë më e vështirë, më e paqartë, shumë më e mundimshme, sepse njerëzit këtu shumë pak bëjnë dallim midis islamit tradicional, që nuk e pengon askend dhe islamit politik që është bërë mortaja jonë kombëtare.
Pas luftës shoqëria jonë ndryshoi thellë, në të gjitha fushat, por sidomos në planin shpirtëror. Në këtë realitet të ri, një nga dukuritë më të dukshme, është kthimi i theksuar i një pjese të shoqërisë, veçanërisht rinisë nga feja. Kjo nuk është një ringjallje e pastër shpirtërore dhe as një devijim i njëanshëm. Ai është para së gjithash , pasqyrim i një krize të thellë, krizës së kuptimit, krizës së identitetit dhe vet besimit në rendin shoqëror. Ka një vakum shpirtëror dhe një kërkim për kuptim. Idealet tona që na kanë mbajtur gjallë para luftës, liria, sakrifica, solidariteti dhe aspirata për bashkim ,jo vetëm u dobësuan ndjeshëm.
Ato u zvetënuan dhe rrezikojnë të humbasin në përballje me realitetin e ri. Zhgënjimi me ndërtimin e shpifur të jetës publike, me përhapjen e korrupsionit dhe mungesën e drejtësisë, krijuan një boshllëk të dukshëm shpirtëror. Në këtë boshllëk hyri feja. Një strukturë, që ofron kuptim të qëndrueshëm, orientim moral, dhe një ndjenjë përkatësie të veçantë. Për shumë njerëz, ky nuk është thjesht një akt besimi. Por një përpjekje për të mbushur një zbrazëti që shoqëria nuk arriti ta plotësonte. Në një shoqëri, të pashëruar nga traumat e thella të luftës dhe pasluftës, në një realitet të pasigurt , ku e ardhmja shpesh përceptohet e paqartë, natyrisht se rritet nevoja për struktura të forta, premtuese dhe të kuptueshme.
Dhe , feja, ofron pikërisht një sistem të qartë normash, një ndarje të prerë mes të mirës dhe së keqes dhe një ndjenjë sigurie psikologjike. Kjo natyrisht , fenë e bën veçanërisht tërheqëse për brezat e rinj. Të cilët kërkojnë orientim në një botë që u duket e paqëndrueshme. Dhe natyrisht një faktor i rëndësishëm që përcakton këtë tërheqje, është rënia e besimit në institucionet publike dhe në vet sistemin e vlerave që ato duhet të përfaqësojnë.
Kur meritokracia zëvendësohet nga lidhjet, kur drejtësia përceptohet si selektive, dhe kur suksesi matet kryesisht me përfitimin material, krijohet një ndjenjë padrejtësie dhe boshllëku moral. Në këtë kontekst njeriu kërkon një sistem tjetër referimi. Dhe feja, si një strukturë me autoritet moral dhe rregulla të qarta, për shumëkënd bëhet alternativë e besueshme. Dihet se historikisht, praktikimi fetar , në shoqërinë shqiptare, ka qenë i moderuar, dhe i ndërthurrur ngusht me kulturën, dhe me një ndjenjë të fortë bashkëjetese. Pas luftës, vërehen forma të tjera të shprehjes fetare, më të strukturuara dhe më të dukshme në hapësirën publike. Hapja ndaj botës, globalizimi, ndikimet e jashtme, rrjetet e organizuara dhe të tjera, lidhen me këtë ndryshim dhe qasjet e reja ndaj identitetit fetar.
Këto forma të transformuara , theksojnë më shumë dallimin, dhe më shumë përkatësinë fetare se sa atë kulturore dhe kombëtare. Ka një zbehje të thellë të identitetit kombëtar dhe krizë identiteti. Raporti mes identitetit fetar dhe atij kombëtar është cenuar ndjeshëm. E kaluara jonë lidhet me identitet të fuqishëm kombëtar, i cili gjithmonë ishte i pari. Identiteti kombëtar, pra ishte boshti rreth të cilit organizohej jeta shoqërore dhe shpirtërore.
Ai ishte burimi i krenarisë dhe sakrificës sonë. Sot, në një pjesë të diskursit tonë publik dhe të përditshëm, ky dimension është shumë i dobësuar dhe i manipuluar. Dhe kur përkatësia kombëtare nuk përjetohet më si vlerë e gjallë, atëherë është e qartë se identitete të tjera marrin rol më të madh në formësimin e individit. Përderisa ruhet një ekuilibër, ky mund të mos jetë problem në vete. Por kur ky ekuilibër prishet, ekziston rreziku që lidhja me traditën kulturore dhe historike, zbehet e zvetnohet seriozisht. Rinia, është pra segmenti më i ndjeshëm ndaj këtyre zhvillimeve.
Përballë mungesës së perspektivës, papunësisë dhe pasigurisë, ajo kërkon kuptim dhe vendin e saj në shoqëri. Dhe pastaj feja ofron një komunitet, një ndjenjë vlere personale dhe një rrugë të qartë jetese. Dhe natyrisht, për shumë të rinj, feja bëhet zgjedhje e natyrshme, veçanërisht kur aletrnativat tjera janë të dobëta dhe të paqarta. Dhe ajo që është kryesorja, duhet të bëhet një dallim i qartë ndërmjet besimit si përjetim personal dhe shpirtëror, dhe përdorimit të fesë si mjet ndikimi në jetën publike. Dhe pikërisht te ne ky dallim nuk bëhet i qartë , dhe instrumentalizimi i fesë ka ardhur shumë në shprehje. Sepse dihet, besimi , në esencë, është çështje ndërgjegjeje dhe një çështje shumë personale dhe intime. Ai ka qenë gjithmonë pjesë e jetës sonë , dhe ai si i tillë nuk përbën kërcënim as për bashkëjetesën e as për identitetin. Sfida lind kur feja shëndrrohet në faktor përcaktues në sfera që kërkojnë neutralitet dhe gjithëpërfshirje, si arsimi, politika apo institucionet publike. Dhe pikërisht kjo po ndodhë sot në Kosovë. Prandej kjo prishë balancën mes identiteteve.
Dhe në fund, dua të them se kthimi drejt fesë , sot, është përgjigje ndaj një krize më të gjërë shpirtërore dhe shoqërore. Por shoqëria, megjithtë, duhet të ruajë ekuilibrin midis dimensioneve të ndryshme të identitetit të saj. Pra duhet ruajtur harmonia mes besimit personal, dhe trashëgimisë sonë kulturore kombëtare, identitetit kombëtar , traditës dhe civilizimit tonë .
Sepse forca e kësaj shoqërie historikisht ka qëndruar pikërisht mbi këtë ekuilibër. Dhe në aftësinë për të besuar pa u përçarë, dhe për të rujatur identitetin pa përjashtuar tjetrin.
Dhe zbehja e këtij ekuilibri nuk është vetëm çështje feje. Është çështje e vetë qëndrueshmërisë së identitetit tonë si shoqëri. Dhe si përfundim , kthimi drejt fesë nuk duhet parë si shkaku I krizës sonë, por si simptomë e saj. Ai është pasojë e boshllëkut shpirtëror, zhgënjimit shoqëror, krizës së identitetit dhe mungesës së drejtimit. Sepse nëse këto plagë nuk trajtohen drejt, çdo përpjekje për ta trajtuar fenomenin në sipërfaqe mbetet e pamjaftueshme. Sepse problemi nuk është se njeriu po kërkon Zotin. Problemi është se ai nuk po e gjen më kuptimin e jetës në shoqërinë ku ai jeton. IDEALI-PASURIA E HARRUAR SHPIRTËRORE Ne nuk ishim të pasur.
Nuk kishim shtet, nuk kishim siguri, dhe nuk shihej të kishte të ardhme. Por kishim ate, që duket se sot e kemi humbur, kishim ate më të shtrenjtën që mund ta ketë njeriu, kishim shpirtin. Idealet nuk ishin fjalë të mëdha. Ato ishin mënyrë jetese. Ato ishin ajri dhe fryma jonë, ato ishin frymëzimi dhe inspirimi që të mbanin gjallë, ato ishin dëshirta tona të heshtura dhe iluzioni ynë që nuk tretej, ato ishin arësyeja që na zgjonin në mëngjes me shpresë dhe na linin të qetë në mbrëmje me një shpresë të heshtur. Liria nuk ishte thjesht, një kërkesë politike !
Ajo ishte një ëndërr e shenjtë, ajo ishte një mit i gjallë, të cilin nuk besonim se do ta prisnim e ta përjetonim. Dhe pikërisht, sepse ishte larg dhe dukej e paarritshme, ajo na jepte forcë, na jepte vullnet, dhe na tërhiqte fuqishëm e na bënte të qëndrojmë e të mos dorëzohemi asnjëherë. Sepse një energji e fortë dhe e padukshme, kishte përshkuar shoqërinë. Kishte një ndjenjë të përbashkët e kolektive dhe një mishërim ideje, se jeta kishte kuptim vetëm nëse lidhej me diçka që ishte më e madhe se vetë jeta ynë. Dhe ky ishte thesari ynë i vërtetë, pasuria shpirtërore. Që sot nuk e ndjejmë dhe nuk e kemi. Idealet nuk ishin fjalë të mëdha.
Ato ishin thjesht mënyrë jetese. Ishin ajri që thithnim, ishin arësye që njeriu zgjohej dhe binte me një shpresë të heshtur. Liria, nuk ishte thjesht një kërkesë politike, ajo ishte një ëndërr e shenjtë, ishte një mit i gjallë që nuk dukej se do ta preknim ndonjëherë. Dhe pikërisht pse dukej e paarritshme, ajo na bënte të fortë, na jepte motiv e fuqi, na jepte shpresë.
Dhe ndjehej një energji që përshkonte shoqërinë. Një ndjenjë e përbashkët se jeta kishte kuptim, vetëm nëse lidhej me diçka më të madhe dhe më të shenjtë se vetja jonë. Dhe thesari ynë, ai ishte pasuria jonë shpirtërore. Sepse idealet ishin për ne forcë, motiv, shpresë, shtysë, ato ishin për ne frymë dhe jeta vetë.