Si po e mohon Kurti aleancën për të ardhmen me SHBA-të, qe dikur e “mbronte”?
Shkruan: Afrim Kasolli
Ka kohë që në rrjetet sociale është bërë virale një deklaratë e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, që prej pozicionit të opozitarit mbronte qëndrimin se aleanca e vendit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës i takon një modeli të së kaluarës. Ajo, sipas tij është një aleancë që ka ndodhur për intervenimin e NATO-së, shpalljen e pavarësisë dhe sigurimin e njohjeve ndërkombëtare për shtetin e Kosovës. Prandaj insistonte Kurti atëbotë vendit tonë i duhet një model tjetër i bashkëpunimit me superfuqinë planetare. Ndonëse, nuk e ka ravijëzuar konkretisht se si duhet të të duket ky model i bashkëpunimit ndër-shtetëror ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit.
Nga perspektiva e sotme për shkak të orientimit të ri strategjik të SHBA-ve, ky qëndrim i Kurtit duket plotësisht i qëndrueshëm. Por problemi është se nga pozita e kryeministrit ai sot po e mohon atë model të aleancës për të ardhmen me SHBA-të, të cilin e kërkonte si opozitar. Dhe po ashtu e kishte mohuar atë partneritet që ishte i domosdoshëm për kohën.
Fillimisht, që nga ardhja në krye të SHBA-ve të presidentit Donald Trump, politika e jashtme e këtij shteti e ka përqafuar gjithnjë e më shumë modelin trans-aksional në raport me botën. Pra më nuk do ta kemi një SHBA, që e merr barrën kryesore në garantimin sigurisë së aleateve të saj, ndërsa këta të fundit t’i ndjekin vetëm kalkulimet e tyre ekonomike duke e pasur shpinën e sigurt nga mbrojta amerikane. Kështu, tash e tutje edhe këto të fundit duhet të marrin përgjegjësi dhe ta ndajnë së bashku me SHBA-të në proporcion të drejtë këtë barrë. Me këtë rast, interesat e përbashkëta të sigurisë duhet të përkthehen në partneritet ekonomik.
Për shumë në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit, për Ballkanin Perëndimor, tekstualisht thuhet se për Uashingtonin, “epoka e ndërtimit të shteteve nën udhëheqjen amerikane ka kaluar”, ndërsa politika amerikane në Ballkanin Perëndimor “nuk ka të bëjë me shpëtim apo rindërtim, por me stabilitet dhe partneritete me përfitim të ndërsjellë”. Nuk ka dyshim se pjesë e kësaj formule të fundit është edhe kërkesa e SHBA-ve që edhe Kosova të bëhet pjesë e rrjetit energjetik për Gazin e Lëngshëm Amerikan. Dhe është pikërisht kjo nismë që po sabotohet nga Albin Kurti si kryeministër duke e mohuar skenarin e partneritetit për përfitim të ndërsjelle, që sot është qëndrim zyrtar i SHBA-ve.
Madje si pasojë e këtyre lojërave nuk është e rastësishme që Serbia e filloi dialogun strategjik me SHBA-të, kurse i njëjti i pezullua me Kosovën. Pra derisa fqinjë ynë verior armik po e fiton atë që nuk e kishte, ne po e humbin atë e patëm, duke i kontribuar kështu pikërisht dobësimit ekstrem të aleancës për të ardhmen me SHBA-të.