Si kapitulloi Abdixhiku para presionit të ‘mercenarëve’? - NACIONALE

Si kapitulloi Abdixhiku para presionit të ‘mercenarëve’?

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkodran RAMADANI

Lumir Abdixhiku mbrëmë dha kumtin se do të japë dorëheqje sapo të mblidhet Kuvendi i LDK-së.

Kjo i bie që ky organ partiak e ka në dorë për ta vendosur nëse do ta pranojë ose jo dorëheqjen.

Kumti i Abdixhikut, në dukje paqësor e zëbutë, erdhi pak ditë pasi ai fshikulloi egërsisht mbi media e gazetarë, duke i quajtur mercenarë që po e sulmojnë LDK-në vetëm se ajo është e fortë nga brenda.

Ç’është e vërteta, kjo furi e Abdixhikut ishte një orvatje e parashikueshme.

Është marifet i moçëm në repertorin e atyre politikanëve që duan ta ndërrojnë temën sa herë që ajo nuk u leverdis.

Duket fare e pakuptueshme se si ai brenda njëzet e katër orësh bëri një piruetë kaq radikale.

Lumiri tani e ndau mendjen që të kënaqë kërkesat e atyre që i pështyu si ‘mercenarë’!

Sheshazi, Abdixhiku u përpoq ta jashtësonte origjinën e kërkesës për dorëheqje.

Sipas kësaj pamje të shtrembëruar, zanafilla e idesë për dorëheqje qenka gatuar në kuzhinat e ‘mercenarëve’, dhe nuk ka mbirë nga situata e partisë.

Rezultatet e partisë, rezultatet e tij personale dhe zhvillimet në LDK tregojnë diçka tjetër: që rrënjët e krizës janë në truallin e partisë e sij, jo në media.

Së pari, LDK në regjistrin e saj ka shënuar një prej rezultateve më të dobëta në krejt historinë e saj.

Sot, ajo qëndron në barazlargesë mes pragut zgjedhor dhe partisë së dytë. Një pozicion që, sigurisht, nuk tregon as forcë të jashtme dhe as të brendshme.

Së dyti, siç u pa nga zgjedhjet e sapombajtura, Lumir Abdixhiku ishte bindshëm lideri me më pak vota brenda partisë nga të gjithë liderët e tjerë.

Keqperformanca e tij nuk duhet të kalojë vetëm si mungesë fati e dështim, por në të duhet të spikatet një prirje fort domethënëse. Ai nuk u ndëshkua me vota vetëm nga ish-votuesit e LDK-së. Ai u ndëshkua edhe nga votuesi aktual i LDK-së.

Sa për krahasim, Albin Kurti mori 82% të votave të kontingjencës elektorale të VV-së.

Ndërkaq, Bedri Hamza dhe Ramush Haradinaj morën 84% të votave të kontingjencave përkatëse nga PDK dhe AAK.

Tjetrazi, Abdixhiku i LDK-së mori vetëm 69% të votave të LDK-së.

Pa farë sforcimi për shtjellim, ky rezultat është afërmendsh jo i mirë. Nëse flasim me gjuhë numrash, pothuajse 1/3 e votuesve të LDK-së nuk e shohin atë si një kandidat që e meriton postin e kryeministrit.

Rrjedhimisht, kjo nuk është një fusnotë e parëndësishme në fund të faqes së rezultateve të zgjedhjeve. Kjo është një krizë përfaqësimi në LDK. Kush e di se sa prej tyre e shohin Abdixhikun si të denjë për kryetar?!

Dallgët e krizës nuk goditën askund më shumë sesa në kryeqytet.

Vetëm dy muaj pasi Abdixhiku i dha jomodestisht vetes merita për zgjedhjen e Përparim Ramës si kryetar, rezultati zgjedhor në Prishtinë e la me buzëqeshje të ngrirë.

LDK-ja doli si partia e dytë në kryeqytet, me 3 mijë e 300 vota përpara PDK-së. Megjithatë, Bedri Hamza në Prishtinë mori rreth 2 mijë vota më shumë se Lumir Abdixhiku.

Shpjegimet që jepen mund të jenë gjithfarëshe, si për shembull pohimi se vota e LDK-së u nda midis 33 kandidatëve.

Sidoqoftë, mu këtu bën vend saktësimi se ky numër i lartë kandidatësh ishte arsyeja pse LDK-ja nuk mbeti e treta.

Me më pak kandidatë, Abdixhiku mbase mund të kishte marrë më shumë vota se Hamza, por LDK-ja pothuajse me siguri do të kishte mbetur pas PDK-së.

Së treti, rezultati i tij i ligësht nuk ishte një rrufe në qiell të kthjellët. Storia e brendshme e partisë del të jetë e mbushur spic me bërryla e kleçka.

Pakënaqësi e madhe me të ka shpërthyer edhe midis atyre që janë afër tij. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, ai është akuzuar nga bashkëpunëtorët më të ngushtë se ka manipuluar votat e diasporës për hesap të disa miqve të tij.

E para, Hykmete Bajrami ishte ankuar për këtë. Pas saj, edhe Arben Gashi kishte shigjetuar akuza të rënda, duke thënë se vota e diasporës ishte një “skemë e organizuar kriminale me të cilën duhet të merret edhe Prokuroria,” siç edhe po ndodh.

Kështu, edhe para se të ishin numëruar votat, Arben Gashi kërkoi që Abdixhiku të reflektonte, me nënkuptesën për dorëheqjen e tij.

Për më tepër, njëra nga figurat kryesore të LDK-së në diasporë, duke qenë njëherazi një nga njerëzit më të afërt me Abdixhikun, Hysen Çekaj, kësaj here nuk garoi fare në zgjedhje.

Kjo ndodhi pasi ndaj tij u renditën sa e sa akuza se qe një nga përgjegjësit në makinacionet e manipulimit të votave të diasporës në favor të klikës së Abdixhikut.

Për më tepër, një trysni tjetër për dorëheqje vjen nga precedentët e mëparshëm të dorëheqjeve.

Fjala vjen, dorëheqja e Memli Krasniqit nga pozicioni i kryetarit të PDK-së tregon se si kryetarët duhet të dinë të marrin vendimet e duhura për partitë e tyre.

Kur bëhet fjalë për rastin e LDK-së, mentori politik i Abdixhikut, Isa Mustafa, mori haptas përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, duke u dorëhequr nga posti i kryetarit të partisë.

Qartazi, Lumir Abdixhikut nuk po i kërkohet të vendosë standarde të reja në politikën kosovare, por thjesht të përfillë standardet e vendosura nga të tjerët, shembulli i të cilëve sot qëndron si Shpatë e Damokleut mbi qafën e udhëheqësve politikë.

Mos të harrojmë, Lumir Abdixhiku ishte më i zëshmi në refuzimin e tij për të hyrë në një koalicion qeverisës jo vetëm me VV-në, por edhe me PDK-në.

Çuditërisht, kjo këmbëngulje bëhej pa ofruar asnjë opsion të njëmendët për shtegdalje nga kriza.

Edhe më keq se kaq, ai dështoi për ta përligjur këtë qëndrim me gjuhën e interesit kolektiv, veçanërisht atë të elektoratit opozitar.

Zaten, kokëfortësia e tij dukej sikur të ishte një qëndrim i paprinciptë partiak dhe thjesht preferencë e tij personale, e zhveshur nga çdo motiv në shërbim të së mirës së përbashkët.

Armiqësitë dhe hatërmbetjet e vjetra, me ftohtësi, ia mbivendosi nevojave të reja të Kosovës.

Gjithë kjo shkurtpamësi i kushtoi shtrenjtë Kosovës.

Abstenimi i LDK-së hapi rrugë për zgjedhjet që prodhuan një rezultat pivotal për vendin: Vetëvendosja doli më e fortë nga kriza dhe fitoi sërish 51%, me mundësi të artë për të vazhduar konsolidimin e pushtetit e saj autoritar në vitet në vijim.

E siç rrëfen edhe rezultati zgjedhor, kjo i kushtoi shtrenjtë edhe vetë LDK-së dhe Abdixhikut.

Si për ironi, ekziston një video e vitit 2018 ku Lumir Abdixhiku nga foltorja e Kuvendit i thotë kryetarit të atëhershëm të PDK-së se do të mbahej mend si kryetari që e tkurri PDK-në vetëm në një grusht deputetësh (24).

Sot, nën udhëheqjen e Lumir Abxhikut, LDK-ja jo vetëm që është katandisur thjesht në një grusht deputetësh, por edhe më keq.

Tani deputetët e LDK-së ai mund t’i numërojë me gishta.

Me fjalë të tjera, ajo çfarë po ngjet me LDK-në nuk është një fatkeqësi e ndjellë nga sehiret e analistëve, por një krizë e mbjellë nga kontradiktat historike të LDK-së dhe nga performanca e Abdixhikut si kapiten i pazot i anijes në ujërat e trazuara të politikës kosovare.

Shkurt e shqip, Abdixhiku po ofron një spektakël butaforik për t’i ikur llogaridhënies.

Sepse, tashpërtash, e vetmja garë e tij është mbetja kryetar i partisë, e jo fitorja në zgjedhje.

Derisa LDK-ja në këto ditë po i përjeton ditët e saj më të rënda, udhëheqësi i saj është vënë në gjueti shtrigash.

Ai është në kërkim të arsyetimeve për humbjen, e jo të arsyeve për debaklin zgjedhor.

Vetëm pak javë më parë, Abdixhiku e kishte krahasuar Albin Kurtin me Don Kishotin.

Sipas tij, “Albin Kurti, ashtu si Don Kishoti, zgjohet çdo ditë, çdo mëngjes, në një botë që e ka krijuar vetë. Në atë botë, Kurti i VV-së sheh dhe krijon vetëm kundërshtarë”.

A nuk po bën pikërisht të njëjtën gjë edhe Abdixhiku?

A nuk po krijon edhe ky armiq imagjinarë?

Në vend se të përballet me predikamentin e partisë së tij, ai sot i mërdhezur fantazon se partia e tij është fortesë e pathyeshme.

Dhe kjo bëhet mu në rrënojat e disfatës historike teksa kundërshtari me hubris mbledh plaçkën e luftës së fituar kundër tij.

Lumir Abdixhiku mbase e sheh veten si lider i ri i frymëzuar nga shëmbëlltyra e etërve themelues të LDK-së, por puna e tij tregon se ai është më afër imazhit të bijve që do t’i japin fund kësaj partie të madhe për historinë e Kosovës.

Ajo që kishte thënë Abdixhiku për Kadri Veselin, sot i është kthyer për ta kafshuar pa mëshirë. Dhe fjalët që tha Abdixhiku për Kurtin e Don Kishotin: “Një figurë komplekse, tragjike, idealiste dhe shpesh thellësisht komike...” rrezikojnë të bëhen portreti i tij sot.

Ndoshta LDK-ja nuk ka opsione të tjera më të mira për kryetar sesa Abdixhiku, por përpjekja për ta fshehur arbitrarisht nën rrogoz fiaskon e 28 dhjetorit është diçka që vetëm do ta shkërmoqë partinë.

Prandaj, më e pakta që mund të bëjë LDK-ja në këto momente është të testojë legjitimitetin e Abdixhikut.

Dorëheqja e vendosur tek Kuvendi i partisë është një hap pozitiv, ani pse mund të duket si i kurdisur.

Në rrethana kur kontestohet kaq shumë kryetari i saj, votimi i brendshëm është instrumenti më i mirë për të larë ndershmërisht hesapet rreth kryetarit të ri apo rikonfirmimit të kryetarit aktual.

Lajme të ngjashme