Si i kishim e si i kemi raportet me ShBA-të? - NACIONALE

Si i kishim e si i kemi raportet me ShBA-të?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Si i kishim raportet?

Presidenti Ibrahim Rugova ia ka pasë dalë gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar të punonte me të dyja kampet politike në SHBA për të siguruar përkrahje për kauzën e lirisë, të pavarësisë dhe të demokracisë së Kosovës.

Në ‘paralajmërimin e Krishtlindjeve’ (Christmas warning) më 1992, në fund të presidencës së vet, tri-katër javë para se t’ia linte detyrën Bill Clintoni-it, demokratit të sapozgjedhur President i SHBA-ve, Presidenti Bush Plaku, republikan, i ka pasë shkruar Millosheviqit, presidentit të Serbisë: "In the event of conflict in the Kosovo caused by Serbian action, the United States will be prepared to employ military force against the Serbians in the Kosovo and in Serbia proper." Në shqip: “Në rast të konfliktit në Kosovë shkaktuar prej veprimi serb, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në vetë Serbinë”.

Kur Presidenti Bill Clinton i priu aksionit për ta shpëtuar Kosovën në vitin 1999, ai mori përkrahje të republikanëve në Kongres.

SHBA-ja barti barrën kryesore në fushatën 78-ditëshe të NATO-s kundër caqeve strategjike serbe. Demokrati Clinton pëmbushi premtimin amerikan të republikanit Bush për Kosovën..Kosova u çlirua në qershor të vitit 1999.

Presidenti Bush i Riu, republikan, paralajmëroi pavarësinë e Kosovës më 10 qershor 2007. Pavarësia jonë u shpall më 17 shkurt 2008. SHBA-të dhe aleatët e tjerë perëndimorë e njohën këtë pavarësi menjëherë. Po këta punuan me ngulm për shtimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.

Politikën e Ibrahim Rugovës në vija të përgjithshme e ndoqën edhe liderë të tjerë të Kosovës, duke përfshirë rivalë të tij, por jo kryeministri aktual i vendit, Albin Kurti, që s’mund të ishte as rival i Rugovës për të gjallë të tij.

Si i kemi raportet me SHBA-të sot?

Kryeministri Albin Kurti ka folur me përçmim për aleancën me SHBA-të. “Aleanca me Amerikën nuk është aleancë për të ardhmen”, ka thënë para disa vitesh Kurti opozitar.

Po ashtu, po ky Kurti qe rreshtuar hapur – s’është që ka pasur rëndësi për zgjedhjet atje, natyrisht! - me demokratët në garën presidenciale ndërmjet republikanit Trump dhe demokratit Biden, ndër përkrahësit historikë të kauzës së Kosovës. Nuk i pëlqenin Kurtit as Trumpi as emisari i tij Grenelli.

Nuk po i pëlqejnë tash kryeministrit tonë as emisari Escobar as Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të cilin madje e ka quajtur ‘naiv’, deklaratë gjithësesi naive, për të mos thënë e marrë, e vetë Albin Kurtit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës ia ka dalë t’i antagonizojë të dyja kampet politike amerikane, demokratët dhe republikanët. Të tjerë në në sistemin dypartiak në SHBA nuk ka.

Me Albin Kurti kryeministër Kosova i ka punët keq me SHBA-të, por edhe me aleatë të tjerë perëndimorë, të cilët kanë marrë masa, që s’po duan t’i quajnë sanksione, të cilat, për fat të keq, po e prekin Kosovën për fajin e politikave të Kurtit.

Kosova ka qenë e bekuar me prijësin Ibrahim Rugova, që lidhi fatin e Kosovës me vlerat perëndimore, bindi aleatët e mëdhenj për drejtësinë e kauzës sonë për liri e pavarësi.

Kosova nuk është e bekuar me prijës sot.

Shkruan: Muhamet Hamiti

Lajme të ngjashme