Si e unifikoi Albin Kurti klasën politike në Kosovë kundër Perëndimit? - NACIONALE

Si e unifikoi Albin Kurti klasën politike në Kosovë kundër Perëndimit?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Afrim Kasolli

Ekziston një perceptim i përgjithshëm se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është një figurë përçarëse, antagoniste dhe përgjegjëse për mungesën e unitetit politik në vend. Mirëpo, zhvillimet e freskëta po e tregojnë të kundërtën. Se me në fund, ai po ia del që ta bashkojë klasën politike në Kosovë, madje edhe kundër partnerëve perëndimorë në përgjithësi, e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në veçanti.

Në këtë kontekst, hiç me larg se dje shtetet e Quintit, së bashku me zyrën e BE-së, reaguan njëzëri ndaj sjellës së aktorëve politikë, për të përjashtuar parti të caktuara nga zgjedhjet lokale që do të mbahen me 12 tetor. Pra kjo komunikatë e shteteve perëndimorë, nuk ishte e drejtuar vetëm ndaj Qeverisë në detyrë të drejtuar nga Albin Kurti, por ndaj të gjitha partive politike shqiptare, që janë të përfaqësuara në Komisionin Qendror Zgjedhor.

Një akt i tillë, sipas komunitetit transatlantik i minon parimet e demokracisë si dhe e gërryen besimin në institucionet e Kosovës. Prandaj, vazhdon komunikata, ky trup diplomatik pret që si Qeveria në detyrë, ashtu edhe të gjitha partitë tjera politikë të përmbahen nga hapat e mëtutjeshëm që mund të shndërrohen në obstruksion për regjistrimin e partive tjera politike.

Siç dihet kjo ngjarje mori shkas nga mos votimi për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale. Sjelljet e kësaj partie ndaj shtetit të Kosovës dihen. Mirëpo, përjashtimi i saj nuk mund të bëhet me dekrete politike, por vetëm me procedura ligjore.

Mirëpo, në vend të kësaj rruge të gjatë e rraskapitëse, e cila duhet të bazohet mbi grumbullimin të provave, dëshmive dhe prezantimit të tyre para instancave kompetente juridike dhe të sigurisë, sic veprohet nw cdo shtet demokratik, ashtu sikur në prag të zgjedhjeve nacionale, Lëvizja Vetëvendosje e zgjodhi improvizimin momental për efekte elektorale në mbledhjen e KQZ në javën që lamë pas. Partitë tjera në pamundësi për t’i kundërvënë këtij narracioni zgjodhën abstenimin. Është e vërtetë se ato të gjitha u unifikuan kundër Listës Serbe, por paralelisht me këtë e sollën edhe unifikimin e Perëndimit kundër përfaqësuesve politike në Kosovë.

Nëse ka diçka që i ka ndihmuar Kosovës në procesin e saj historik të çlirimit, si dhe shtet-ndërtimit e konsolidimit ndërkombëtar, mbetet pikërisht unifikimi i Perëndimit kundër Serbisë. Por sot po jetojmë në kohëra tjera. Partitë “tradicionale” politike më të dobishme e konsiderojnë që të behën bashkë me partinë në pushtet kundër Perëndimit se sa të konfrontohen me eksponentët e saj. /TV Arbëria/

Lajme të ngjashme