Sa kushton 100 euro për ekonominë? - NACIONALE

Sa kushton 100 euro për ekonominë?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Shenoll Muharremi

Dje kishim një diskutim rreth vendimit për ndarjen e 100 eurove nga qeveria. Sigurisht, për qytetarin që ndodhet në krizë financiare për shkak të rritjes së çmimeve dhe inflacionit më të lartë në dekada, ky është një lajm i mirë. Qytetari duhet të përballojë sfidat e përditshme, të paguajë rrymën, të furnizohet me ushqime, të blejë medikamentet e shtrenjta, pelenat dhe gjësende të tjera. Në parim, kjo ndihmë i gëzon njerëzit.

Por qeveritë janë aty për të marrë jo vendime të mira, por të duhura. Nuk janë aq pak sa duken këto 100 euro. Kur mblidhen për të gjithë përfituesit, të cilët janë rreth 576,100, këto 100 euro kthehen në 57.6 milionë euro. Kjo nënkupton që rreth 36% e popullatës preken nga ky vendim. Nuk ka si të mos duket si një vendim elektoral.

Ku i gjeti qeveria gjithë këto miliona që nuk ishin parashikuar në buxhetin publik? A duhet qeveria të shpenzojë dhjetëra milionë euro për interesa elektorale? A është kjo një qeverisje e mirë apo një përsëritje e një skenari të njohur?

Sfida fillon kur thellohesh në strukturën ekonomike të Kosovës. Si do të kanalozohen këto 57.6 milionë euro dhe ku do të përfundojnë? A do të përfitojë qytetari realisht apo do të ndikojë negativisht në ekonomi?

Qeverisja nuk është një "fontanë dëshirash" dhe nuk bazohet në emocione. Nuk janë qeveritarët thjesht "njerëz të mirë"; ata kërkojnë votat e qytetarëve, shpesh me një kosto të lartë për ekonominë dhe shoqërinë. Këto dhjetëra miliona euro, në kontekstin socio-ekonomik të Kosovës, përfundojnë në konsum dhe pagesa faturash, si për shembull energjia, medikamentet apo ushqimet.

Shpenzimet përfundimisht dalin jashtë vendit, duke thelluar importin dhe deficitin kronik, i cili në muaj shkon rreth 500 milionë euro në mallra dhe mbi 5.2 miliardë euro në vit. Në dy dekadat e fundit, rreth 50 miliardë euro janë humbur jashtë vendit përmes importit.

Kur stimulohet papritmas konsumi dhe futen më shumë para në treg, rrezikohet rritja e inflacionit dhe çmimeve. Kjo dobëson fuqinë blerëse dhe godet bizneset vendore. Për pasojë, rrezikojmë edhe mbylljen e këtyre bizneseve. Ky vendim nuk e bën Kosovën më të pasur; përkundrazi, mund ta varfërojë.

Me 57.6 milionë euro, do të duhej të investohej në mënyrë strategjike për të adresuar deficitin e lartë tregtar. Për shembull, disa miliona të investuara në kanale të ujitjes do të kishin rritur ndjeshëm produktivitetin e fermerëve. Një investim prej 10 milionë eurosh mund të kthente 100 milionë për disa vite. Këto fonde do të fuqizonin bizneset vendore dhe do të reduktonin deficitin tregtar.

Nëse këto mjete ishin investuar në pasije për procesim, ruajtje dhe frigorifer industrial efekti i tyre kishte me qenë i jashtëzakonshëm pozitivisht. Do ndihmon bizneset vendore të kenë produktet e tyre në treg gjatë tërë viti dhe të ulin importin dhe deficitin. Do të bëheshin më konkurrent në treg.

Nga 100 eurot e ndara për qytetarët, rreth 80 prej tyre do të përfundojnë jashtë vendit. Kjo përkthehet në rreth 46 milionë euro që largohen nga ekonomia vendore. Në vend që të ndihmojmë bizneset vendore, përfundojmë duke forcuar importet dhe dobësuar ekonominë e brendshme.

Nëse këto fonde do të ishin investuar për të fuqizuar bizneset vendore, çmimet do të uleshin sadopak, fuqia blerëse do të rritej dhe ekonomia vendore do të zhvillohej në mënyrë të qëndrueshme. Efektet afatgjata dhe shumëfishuese të një investimi të tillë mund të arrinin deri në 500 milionë euro për 3-4 vite.

Prandaj, ky është një vendim jo i mirë, elektoral dhe me pasoja negative për ekonominë dhe bizneset. Në vend që të fuqizojë qytetarët, rrezikon t’i varfërojë ata dhe të dobësojë më tej bizneset vendore.

Lajme të ngjashme