Rritja e bashkëpunimit ShBA-Kosovë
Kohët e fundit marrëdhëniet ShBA-Kosovë janë përkeqësuar. Kryeministri Albin Kurti nuk po e duron dot presionin e ShBA-së për të zbatuar Asociacionin e Komunave Serbe, i cili do të decentralizonte pushtetin që në bazë. Kurti e sheh Asociacionin si një hap drejt fragmentimit dhe e kundërshton me vendosmëri.
David L. Phillips & Arbana Xharra
Patjetër, Kosova është një vend sovran dhe ka të drejtë të përcaktojë politikat e saj. Por qasja e Kurtit rrezikon të largojë ShBA-në dhe të minojë interesin kombëtar të Kosovës. Pa mbështetjen e Uashingtonit, shtetndërtimi në Kosovë nuk mund të ketë sukses.
Që nga ardhja e Kurtit në pushtet, në mars 2021, ai vazhdimisht i ka rezistuar çdo paraqitjeje të Kosovës si shtet vasal i ShBA-së. Duke e distancuar Kosovën nga propozimet e Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kurti i ka larguar përkrahësit e Kosovës në ShBA. Për më tepër, ai ka dështuar në përmbushjen e premtimeve si kandidat dhe lider i Lëvizjes populiste “Vetëvendosje”, për të përparuar në njohjen e ndërsjellë me Serbinë. Kosova është një vend i vogël dhe me kapacitete të kufizuara. Për t’i rezistuar presioneve të Serbisë, ka nevojë për mbështetje ndërkombëtare. Për të diskredituar Kosovën, Serbia mbështetet te kërkesat e Moskës, e cila e sheh vendin një projekt amerikan. Bllokimi i Serbisë e ka izoluar Kosovën, duke e kthyer në një geto të zhveshur nga investimet dhe mundësitë ekonomike. “Largimi i trurit”, i të rinjve të pakënaqur në Kosovë, është më i madhi në Ballkan.
Me mbështetjen e Rusisë, Serbia ka qenë në gjendje të minojë diplomacinë e Kosovës. Gjatë dy viteve të fundit Kosova nuk ka pasur njohje nga asnjë shtet. Shumica e 117 vendeve me të cilat Kosova ka të vendosura marrëdhënie diplomatike, duke përfshirë ShBA-në, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, kanë ardhur në bord më herët. Izraeli ishte vendi i fundit që njohu Kosovën në vitin 2021, ndërsa vendet e tjera janë duke pritur për një marrëveshje për njohjen reciproke përpara se të veprojnë.
Marrëdhëniet e vështira të Kurtit me të dërguarin special të ShBA-së, Gabriel Escobar, kanë përfshirë edhe marrëdhëniet ShBA-Kosovë. Gjatë një udhëtimi dy-javor në ShBA, në maj të vitit 2022, Kurti nuk pati takime me zyrtarë amerikanë. Megjithatë, ai u takua me udhëheqës të biznesit për të promovuar investimet në Kosovë. Ky udhëtim i Kurtit dhe delegacionit të tij u pasua me shpenzime të larta hoteli dhe ushqimi, që solli kritika në shtëpi.
Në pikën më të ulët të marrëdhënieve ShBA-Kosovë, Kurti zgjodhit të vizitojë Ankaranë më 3 shkurt, për t’u fotografuar me presidentin autokratik të Turqisë, Tayyip Erdogan. Pse Kurti duhej të merrte pjesë në një shfaqje me fotografi me Erdoganin, një autokrat që kundërshton në mënyrë aktive lirinë e shprehjes dhe ka arrestuar më shumë se njëqind mijë opozitarë me akuzën e "fyerjes së turqizmit". Më pas Erdogan kërkoi që Kosova të dorëzojë mësuesit e lëvizjes Fetulleh Gulen.
Pas Iranit, Turqia e ka numrin më të madh të gazetarëve në burg.
Anëtarësimi në NATO është një shtyllë e politikës së jashtme të Kosovës. Vizita e Kurtit në Ankara ndodhi në një kohë kur Turqia është nën mikroskop për dështimin e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, ndërsa tërheq jahtet turke dhe investimet në brigjet e Turqisë. Afrimiteti me Erdoganin, nuk e çoi përpara çështjen e Kosovës me anëtarët e NATO-s që besojnë se Aleanca është më shumë se një marrëveshje sigurie. Ata e shohin aleancën si një bashkim të vendeve me vlera të përbashkëta.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me Erdoganin, Erdogani i mbajti leksione Kurtit për marrëdhëniet me Serbinë. Erdogan bëri thirrje për një qasje paqësore dhe konstruktive nga të dyja palët. E duke pasur parasysh krimet e Serbisë në Kosovë, më shumë se 10,000 civilë të vrarë, një milion të zhvendosur dhe 1,800 të zhdukur, ekuivalenca morale e Erdoganit është e tmerrshme.
Përderisa Turqia është një investitor i madh në Serbi, mbështetja turke për Kosovën është zakonisht për projektet që avancojnë identitetin islamik të Kosovës. TIKA, një degë e Ministrisë së Kulturës së Turqisë, ka shpenzuar dhjetëra miliona për të restauruar dhe rindërtuar xhamitë dhe arkitekturën otomane në Kosovë. Turqia i shpërndan paratë në valixhe, kështu që nuk ka asnjë gjurmë të dokumentuar të kësaj fshehtësie të madhe.
Me më pak se 2 milionë banorë, Kosova tashmë ka mbi 1000 xhami. Bashkësia Islame e Kosovës është duke ndërtuar xhaminë më të madhe në Ballkan. “Xhamia Qendrore” do të kushtojë të paktën 40 milionë dollarë dhe financohet nga Drejtoria e Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet).
Dhjetë vjet më parë, Kurti dënoi qeverinë e Kosovës për dorëzimin e kontrollit të aeroportit dhe rrjetit të shpërndarjes së energjisë, duke pasur shqetësime për vlerën e tyre. Sot ai hesht, për praktikat e biznesit të Turqisë në rajon dhe promovimin e vlerave islamiste mes shqiptarëve.
Administrata e Kurtit është në një udhëkryq në rrugë. A do të thellojë bashkëpunimin me ShBA-në apo do të shkojë drejt autokracive, si Turqia. Ne nuk kundërshtojmë politikën e tij për Asociacionin. Nëse shqiptarët e Kosovës e kundërshtojnë, Uashington injoron opinionin publik dhe kërkon mbështetjen e tyre. Në vend që t’i bie tavolinës, administrata Biden duhet të përshtatë deklaratat dhe politikat e saj për të avancuar pozicionet e përbashkëta që avancojnë interesat e përbashkëta.
Në vitet 1990, ShBA mbështeti luftën e shqiptarëve të Kosovës për të drejta dhe pavarësi. Që Kosova kompensojë sakrificën e popullit të saj, ShBA dhe Kurti duhet të harmonizojnë politikat për të avancuar në mënyrë efektive njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
ShBA-të nuk duhet të bëjnë presion ndaj Kosovës për të zbatuar Asociacionin, një pikë ndezëse për tensionet mes Kosovës dhe ShBA-së dhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nëse Kosova miraton Asociacionin, duhet të kërkojë trajtim më të mirë nga Serbia për minoritetet etnike shqiptare në Preshevë dhe Bujanovc. Simetria në ndjekjet e politikave do ta largojë Serbinë nga një qëndrim i ashpër.
Lajmet për Ballkanin Perëndimor ishin faqe e parë në vitet 1990. ShBA-të mund të ndihmojnë në qetësimin e fantazmave ballkanike duke forcuar bashkëpunimin me Kosovën për të arritur qëllimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke rezultuar në njohje më të madhe globale të Kosovës. Progresi në marrëdhëniet Kosovë-Serbi duhet të jetë një prioritet i përbashkët i qeverisë së ShBA-së dhe Kosovës, duke kërkuar fleksibilitet nga të dy vendet.
* Z. Phillips është Drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Kolumbisë. Ai ka shërbyer si Këshilltar i Lartë dhe Ekspert i Çështjeve të Jashtme në Departamentin e Shtetit gjatë administratave të Clinton, Bush dhe Obama. Zonja Xharra është një gazetare hulumtuese e cila ka shkruar një seri artikujsh mbi ekstremizmin fetar në Ballkan dhe axhendën islamike të Turqisë. Ajo mori Çmimin Ndërkombëtar të Kurajos së Grave nga Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2015.