Rehabilitimi i paralajmëruar i Serbisë - NACIONALE

Rehabilitimi i paralajmëruar i Serbisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Ermal Mulosmani

Kjo që po ndodh në Hagë me udhëheqësit e UÇK-së ka qenë një ngjarje e pritshme për çdo njohës të vëmendshëm të zhvillimeve gjeopolitike.

Dëmtimi i imazhit të luftëtarëve çlirimtarë të Kosovës nuk është qëllim në vetvete, imazhi i tyre nuk përbën kurrfarë interesi për lojtarët e politikës së madhe ndërkombëtare. Qëllimi i vetëm i tyre është rehabilitimi sa të jetë i mundur i serbëve duke e bashkëndarë fajin me viktimat e tyre. Kjo përpjekje ndërkombëtare nuk mund të bëhej përpara 10-15 vitesh pasi plagët e kosovarëve ishin akoma të freskëta dhe, të flitej për “krime shqiptare”, do të tingëllonte e tepërt. Duhej një periudhë 20-25 vjeçare durimi për të hapur “dosjen shqiptare”.

Strategjia e viktimizimit serb u hartua me durim por me këmbëngulje dhe pati herë pas here ndihmën e shqiptarëve të Kosovës apo Shqipërisë. Ismail Kadare ka qenë i pari dhe ndoshta i vetmi që tërhoqi vërejtjen shqiptarëve për dozën e lartë të kozmopolitizmit dhe njëfarë droje për të denoncuar krimet serbe në vitet e para të çlirimit. Ai duket e ndjente se do të vinte shpejt një kohë kur serbët dhe ndërkombëtarët do të barazonin luftën genocidale, shfarosëse të serbëve me luftën çlirimtare të Kosovës.

Sot shqipatrët e kanë shumë më të vështirë të bëjnë diçka, kundër tyre në këtë gjëmë të re është aleati i tyre më i madh. Rehabilitimi i Serbisë po bëhet me miratimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pasojë e këtij rehabilitimi politik të serbëve është kriminalizimi i UÇK-së. Me këtë rast Amerika po u kërkon edhe njëfarë ndjese të pathënë serbëve për bombat e ’99-ës.

Ja sesi shkruan shkrimtari në esenë e tij “Ra ky mort e u pamë”:

“Vajza ime e madhe kap në internet një koment te shkruar në anglisht të një intelektuali e politikani të shquar shqiptar, që nuk dua t’ia përmend emrin, ngaqë e çmoj. (Nganjëherë më duket se po bëjmë kritika më shumë se ç’duhet. Mirëpo, nga ana tjetër, ç’të bësh, kur e keqja duhet ndrequr me çdo kusht?)

Komenti titullohet “Fashizmi kosovar, turp i shqiptarëve“ dhe i është dërguar Institutit të Paqes e të Luftës. Merret me mend përse flet: në mbrojtje të serbëve kundër hakmarrjes shqiptare.

Në parim, shqetësimi është i drejtë. Para pak kohe, në një intervistë në “Kohën ditore“, e kam prekur unë vetë këtë problem, duke u kërkuar haptas bashkëkombësve të mi të mos kryejnë hakmarrje, sepse kjo nuk e forcon, përkundrazi, e dobëson një popull, edhe në rastin kur ai ka shkaqe për ta kryer.

Mirëpo komenti i mësipërm është shqetësues. Është bërë pa kurrfarë kujdesi, për të kuptuar rrethanat në të cilat po ndodh kjo. (Administratori i OKB-së, Kouchner-i, nuk harron kurrë ta kujtojë këtë.) Do të mjaftonte kujtesa për mijëra të burgosurit shqiptarë, që mbahen peng në mënyrën më banditeske prej regjimit serb, për të shpjeguar një pjesë të nervozizmit të shqiptarëve. Është i palejueshëm, sidomos titulli i shkrimit.

Edhe më dëshpërues është zelli i një tufë djemsh e vajzash shqiptare, që punojnë, siç duket, pranë organizmave ndërkombëtarë, për ta shpërndarë me shumë entuziazëm këtë shkrim. Shtrohet pyetja: çfarë i ndezi kaq shumë këta të rinj në këtë artikull? Si është e mundur kaq shpejt e harruan martirizimin e Kosovës, për të klithur për fashizmin kosovar, në kohën që Serbia kriminale nuk pipëtin asgjëkund për të kërkuar ndjesë për krimet e saj?

Shpjegimi nuk është i ndërlikuar, po të kihet parasysh ajo sëmundje e rëndë i ra një zhgani intelektualësh në Shqipëri, për t’u ngritur kundër popullit të tyre. U ngritën në emër te paanësisë, të „mungesës së nacionalizmit“, të një vizioni kinse të emancipuar,

modern të politikës etj., etj., kurse, në të vërtetë, u ngritën te shtyrë nga interesat më meskine: të fitojnë simpatinë e zyrave sterile ndërkombëtare, e bashkë me simpatinë, të fitojnë paratë e tyre, bursat, udhëtimet, stazhet etj.

Djemtë e vajzat e reja shqiptare, që e vazhdojnë këtë hulli, kujtojnë se janë modernë, kujtojnë se, duke e përçmuar popullin e vet, jané sipéranö ndaj tij, kurse, në të vërtetë, s’janë veç një mjerim i pafund.

Shpesh në shtypin shqiptar në Tiranë, Prishtinë ose diasporë ndeshet kjo alternativë: ta mbrosh popullin tënd në mënyrë primitive, apo ta shesësh në mënyrë moderne.

Alternativë e aspaktë, e mosqofshme, tragjike."

Lajme të ngjashme