Putini po çalon drejt fundit të lojës në Ukrainë. A duhet ta ndjekë Perëndimi?
Lajkatimi është mallkimi i autoritarëve. Vladimir Putini ka ushtruar aq shumë pushtet për një kohë aq të gjatë, saqë të gjithë përrenjtë e informimit janë ndotur. Rrethi i brendshëm i siguron rehatinë e privilegjet nga aftësia e vet për t’ia thënë udhëheqësit atë që dëshiron ta dëgjojë; rrethi i jashtëm – me dëshirë për t’u futur më brenda – vëzhgon dhe mëson se si të gënjejë.
David Von Drehle, "The Washington Post"
Herët a vonë, udhëheqësi merr një vendim vërtet të keq, që e nxjerr realitetin nga burgu i gënjeshtrave. Për Putinin, ai vendim i keq është pushtimi i Ukrainës. E tërë Rusia nuk është aq budallaqe sa do të linte të kuptohej ky vendim – por rusët që e kuptuan në mënyrën e duhur patriotizmin e popullit ukrainas, nuk kishin asnjë mënyrë për ta paralajmëruar Putinin. Rusët që dinin për dobësinë e ushtrisë së tyre, nuk kishin rrugë për ta informuar Putinin. Rusët që e kuptuan fuqinë e heshtur të Perëndimit, nuk ishin të mirëseardhur përreth Putinit. Rusët që kishin njohuri për mungesën e përgatitjeve të rezervave civile, nuk u konsultuan nga Putini. E tëra që udhëheqësi dëgjoi ishte jehona e puthadorëve për vetë idetë e tij të këqija.
Që Putini tash po i fajëson lajkatarët që i krijoi për dështimin që ta përkulnin realitetin për t’u përputhur me lajthitjet e tij, ishte e parashikueshme. Njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm, kur ecin në Moskë këto ditë, duke e marrë parasysh hedhjen e burokratëve nga dritaret dhe shtyrjen e tyre poshtë shkallëve.
Në të njëjtën kohë, megjithatë, shefi duket se është duke sajuar edhe një gënjeshtër për t’i shpenguar të gjitha të tjerat dhe bota do të duhet të vendosë nëse do ta strehojë atë për hir të paqes. Nën sytë e vëmendshëm të ushtarëve të armatosur rusë, njerëzit e Ukrainës lindore po inkurajohen – dhe po ngacmohen – për të votuar për aneksim. Ndërkohë urdhri i Putinit për rekrutim masiv dhe fjalët e tij të shkujdesura për luftë bërthamore e kanë qëllimin që të na tregojnë se ai është “all in”.
Duket se ai po manovron drejt një oferte për t’i dhënë fund luftës së tij të planifikuar keq me kufij të rinj, të caktuar nga aneksimi i rremë. Një armëpushim i tillë do ta kursente Putinin nga përplasjet e mëtejme e të palumtura me realitetin. Ai nuk do të ishte i detyruar që ta shikonte shpërbërjen e rangjeve ushtarake ruse, posa ato të mbushen me rekrutë të pakënaqur. As nuk do të ishte i detyruar që ta shihte dështimin e industrisë ruse për të zëvendësuar mijëra tanke, kamionë e pjesë artilerie, të shkatërruara që nga fillimi i luftës në shkurt. Ai do të kursehej nga mospërputhja në zgjerim e sipër mes arsenalit në tkurrje të Rusisë dhe fuqisë në rritje të Ukrainës. Ai mund të lehtësohet pak nga sanksionet ekonomike, që po fillojnë ta pickojnë popullin e tij gjithnjë më të pakënaqur dhe ai do të mund ta vazhdonte shitjen e gazit natyror dhe naftës në Evropën Perëndimore.
A është kjo një marrëveshje që Shtetet e Bashkuara duhet ta mirëpresin – nëse vjen vërtet?
Kjo nuk është pyetje e lehtë. Rezistenca krenare e popullit ukrainas dhe lidershipi i frymëzuar i presidentit Volodymyr Zelensky kanë tronditur zemra përreth botës. Administrata e Bidenit ndoshta do të paguante një çmim politik, nëse do të dukej që ai do ta zmbrapste dëshirën e Ukrainës për t’u çliruar plotësisht nga pushtuesit rusë. Pas tërheqjes së planifikuar dobët nga Afganistani më 2021, pranimi i aneksimit rus mund t’i bëjë Shtetet e Bashkuara të duken thjesht të përshtatshme për udhëheqëse botërore, e jo parimore.
Për më tepër, një marrëveshje me Putinin për t’i ricaktuar kufijtë e Rusisë më në perëndim do ta shpërblente sjelljen e pamatur e vrasëse. Duke nisur pushtim të plotë të një fqinji paqësor, Putini me një dorë e krijoi krizën më të thellë të sigurisë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Bombardimi i tij pa dallim i qyteteve ukrainase dhe mizoritë e kryera nga trupat ruse sigurisht se përbëjnë krime lufte.
Shumica e botës do të shihte drejtësi vetëm duke e lënë vrapimin e marrëzishëm të Putinit në rrjedhën e tij, duke e shtypur ekonominë ruse, duke e copëtuar ushtrinë ruse dhe duke e thyer shoqërinë ruse.
Në anën tjetër, ka arsye të mira për ta kërkuar rrugëdaljen më të hershme nga ky dështim. Nëse Putini do të pranonte një armëpushim pas aneksimit, Ukraina nuk do të humbte shumë, në aspektin e territorit, në krahasim me kushtet para fillimit të pushtimit. Ndoshta disa pagesa nga rifillimi i eksportimit të karburanteve ruse mund të drejtohen drejt rindërtimit të Ukrainës.
Edhe Ukraina do të kishte përfituar shumë në aspektin e kohezionit, patriotizmit e identitetit kombëtar. I njëjti Putin që e filloi luftën duke e mohuar vetë ekzistencën e një Ukraine të pavarur, do ta përfundonte vitin me poshtërimin duke qenë i rrahur me frushkull nga një Ukrainë e pavarur.
Ukraina as nuk është faktori i vetëm në këtë ekuacion të vështirë. Një luftë shtypëse në mes të Evropës përbën rrezik për të ngjallur jostabilitet, pasi refugjatët i testojnë rezervat e vendeve pritëse dhe mëritë antike do të rishfaqeshin në vende si kufiri i kontestuar mes Armenisë e Azerbajxhanit.
Në fund, rreziku bërthamor. A është Putini mjaftueshëm i çmendur për ta hapur shishen bërthamore? Zor. A do ta zbatonte komanda ruse urdhrin e tij për sulm bërthamor në një kauzë të cilën të gjithë ata e shohin se është e pashpresë? Zor.
Sidoqoftë, edhe një mundësi e vogël për një ngjarje të tillë të rrezikshme duhet të shmanget. E vërteta e rëndë është që fundi i lojës i Putinit duhet të përqafohet, nëse vjen.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli