Pse ideja e qarkullimit njëkahor në Prishtinë është e mirë? - NACIONALE

Pse ideja e qarkullimit njëkahor në Prishtinë është e mirë?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Beni Kizolli

Iniciativa e Komunës së Prishtinës për riorganizimin e trafikut brenda qarkut qendror është një hap i mirë dhe shpresëdhënës. Ky është tregues i vullnetit për të siguruar zgjidhje të qëndrueshme, duke mos vazhduar me zgjidhjet klasike e trajtimet parciale, ku vazhdimisht kërkohet vetëm rritja e kapacitetit të rrugëve.

Duke i marrë për bazë qasjet bashkëkohore me qarkullimin njëkahor, krijojmë kushte shumë më të mira për transportin alternativ, përkatësisht, me të e mundësojmë organizimin e transportit publik në një shirit të veçantë. Krahas tij, mund ta kemi edhe mundësinë e shtrirjes së shiritave të biçikletave.

Testi për qarkullimin njëkahor meriton vëmendje dhe durim, është zgjidhje që siguron infrastrukturë për transportin alternativ. Zgjidhja e problemeve duhet të jetësohet mbi infrastrukturën ekzistuese dhe me një buxhet optimal, përkatësisht nuk duhet të vazhdohet qasja vetëm për ta rritur kapacitetin e rrugëve, por duhet t'i ofrohet përparësi transportit me mjetet me kapacitet të lartë, përkatësisht transportit alternativ.

Nuk dëshiroj të ndalem te mënyra e testimit. Sigurisht që zyrtarët e Komunës së Prishtinës kanë ndonjë arsye për ta testuar këtë riorganizim në terren. Mbi të gjitha, problemet e krijuara gjatë testimit janë kaluese krahas vullnetit për të arsyetuar një zgjidhje të qëndrueshme. Me këtë shkrim dëshiroj ta ndaj qëndrimin tim lidhur me riorganizimin e qarkut qendror:

Traseja ku po zhvillohet testi aktual, nuk duhet të jetë kufiri, sepse traseja e qarkut qendror, sipas PZhK-së, është rreth gjashtë kilometra dhe ky model duhet të zbatohet mbi qarkun qendror, madje për një kilometër duhet të zgjerohet qarku, duke e përfshirë edhe rrugën përreth Fakultetit të Bujqësisë deri te stacioni, me qëllim të integrimit të transportit ndërurban me atë urban.

Organizimi mbi brezin e qarkut, pjesa dërrmuese e të cilit është 22 metra, duhet të jetë kjo: tre shirita për trafik të përzier nga tri metra, një shirit të veçantë për autobusët në drejtim të kundërt me transportin e përzier, me gjerësi katër metra, në të dy krahët nga një metër shirit për biçikleta dhe trotuar të gjerë dy metra.

Mundësi për organizimin e transportit urban në formë radiale: me këtë organizim, në kuadër të qarkut, shpeshtohet shërbimi (intervali), me qëllim të përfshirjes së sa më shumë zonave. Po ashtu, brenda rrugëve të qarkut qendror mund të organizohet një linjë në formë të numrit 8.

Të mirat e tjera: eliminimi i pikave të konfliktit nëpër udhëkryqe, mundësia e infrastrukturës për bileta të integruara, mundësia për integrimin e transportit urban me biçikletat dhe mundësia për jetësimin e strategjisë “parko dhe vazho”, me parkingje nëntokësore. Kjo duhet të jetë prioritet pas funksionalizimit të qarkut njëkahor. P.sh.: hapësira në hyrje të qarkut, sikur stadiumi “Ramiz Sadiku”, stacioni i autobusëve dhe parkingu ekzistues mbrapa “Pallatit të Rinisë”.

Pas gjithë këtyre intervenimeve e investimeve, unaza e brendshme duhet të ndërtohet duke e reflektuar modelin brenda qarkut qendror, ku u jepet përparësi transportit urban dhe biçikletave.

Për fund, brezi hekurudhor jofunksional, Podujevë – Prishtinë – Fushë-Kosovë, duhet të analizohet për ta shndërruar në shërbim të transportit urban-periferik nëpërmjet formës së metrobusit.

* Autori është ekspert i trafikut dhe transportit dhe ligjërues universitar

Lajme të ngjashme