Pse Berisha po trash zërin përditë e më shumë kundër SHBA - NACIONALE

Pse Berisha po trash zërin përditë e më shumë kundër SHBA

1 vit më parë

nga Mero Baze

Ka një përpjekje të shtuar të Berishës të identifikojë betejën e tij si betejë me SHBA dhe aty ku nuk është nevoja. Nëse në fillimet e tij deri para pak kohësh përpiqej të fshihte betejën me SHBA pas betejave të tjera, fjala vjen pas betejës me Lulzim Bashën, tani ka filluar të bëjë të kundërtën. Tani dhe kur e pyesin për gjëra që nuk kanë lidhje me SHBA, ai e lidh betejën e tij me SHBA.

Fjala vjen sot, pyetjes së një gazetari “përse nuk jep dorëheqje”, ju përgjigj me agresivitet se kjo ishte dëshirë e ambasadores Yuri Kim dhe ish- zyrtarit të FBI McGonigal, por ai “nuk dorëzohet”.

Në fakt SHBA e ka të qart qëndrimin jo me Berishën, por me çdo person “non grata”. Ata nuk duhet të jenë pjesë e pushtetit politik në një vend mik me SHBA. Në një vend armik me SHBA ata mund të jenë dhe heronj, siç është rasti i Dodik në Bosnjë.

Por SHBA ka kërkuar izolimin e Berishës duke e konsideruar Shqipërinë vend mik dhe një politikan të tillë si minues të demokracisë dhe të përfshirë në korrupsion madhor.

Pra SHBA nuk ka kërkuar dorëheqje të Berishës, ka kërkuar më shumë se kaq, pastrimin e tij nga skena politike.

Deklaratat e tij se ai do të rezistojë dhe triumfojë kundër SHBA, nuk është se shqetëson njeri, por tregon se atij tani i ka dalë turpi që kishte në fillim, dhe po bën deklarata lufte kundër SHBA.

Madje dhe televizioni i djalit të tij, në “parashikimet e veta opimiste” për 14 majin, një nga objektivat e lidhte me ambasadoren Yuri Kim, pra që Berisha do fitonte më 14 maj dhe më 20 maj ambasadorja do të largohej (deri tani e kanë larguar disa herë).

Ky është një zhvillim i ri sa i takon Berishës në raport me SHBA. Ai po hyn në zgjedhje lokale me një retorikë të rritur anti-amerikane, dhe me një qëndrim lufte ndaj tyre. Dhe kjo e ka një shpjegim.

Shpartallimi që ka pësuar Berisha para këtyre zgjedhjeve dhe katandisja e kandidatëve të tij duke mbledhur firma nëpër lagje të kandidojnë, e bën të sigurtë një rezultat qesharak për ta në zgjedhjet e 14 majit.

Është e qartë se pas vendimit për vulën, Berisha nuk do të krijojë më parti të re, por dhe në zgjedhjet e 2025 do të shkojë me këtë stil, duke u qëndruar këtyre nëpër këmbë, që të mos numërohet kurrë sa vota ka.

Berisha do të viktimizohet si humbës përballë SHBA dhe jo përballë Edi Ramës apo Lulzim Bashës.

Duke rritur retorikën anti-amerikane, duke sulmuar përditë ambasadoren Yuri Kim, duke akuzuar zyrtarë të DASH si të korruptuar, duke konsideruar SHBA një të keqe për demokracinë në rajon, Sali Berisha po përpiqet që më 15 maj të thotë: “Humbëm thellë se kishim përballë SHBA!”.

Në fakt SHBA ka përballë vetëm Sali Berisha, jo PD. Kandidatët e primareve ngjajnë në këtë rast si ata ushtarët e Faraonit që duan të varrosen bashkë me të. Pasi siç e kanë diktatorët zakon, kur nuk vrasin dot kundërshtarin, flijojnë të vetët.

Lajme të ngjashme