Për çfarë Kosove pas zgjedhjeve janë partitë politike?
Deri tash, siç e do zakoni kosovar, kemi ndëgju mjaft kundër çkahit janë partitë politike, përfshirë edhe "numrat" që janë apo s'janë. Numrat në këtë rast janë njerëz që kanë fituar besim që të jenë të zgjedhurit e qytetarëve, e që lejojnë të reduktohen në numra. Kemi ndëgju edhe kujt "i takon" pozicioni i kryeministrit.
Ilir Deda
Ajo çka po ndëgjojmë pamjaftueshëm është për çfarë objektivash qeverisjeje janë akterët politik, sidomos duke e marrë parasysh presionin e faktorit kohë për këndellje socioekonomike dhe vendosjen e Kosovës në binarë pozitiv të forcimit të shtetësisë.
Për shembull, a do ta bën VV qeverinë, apo PDK ose LDK, njëra me tjetrën apo të gjitha së bashku ka kuptim nëse pajtohen se cilat janë objektivat e qeverisë së re.
Për shembull a pajtohen partitë që rryma duhet të shtrejtohet apo jo? A pajtohen partitë që duhet rritja e menjëhershme e rrogave, pensioneve dhe pakos ekonomike për sektorin privat apo jo? A pajtohen apo jo partitë që marrëdhëniet me shtetet kyqe perëndimore janë të dëmtuara apo jo? A pajtohen partitë që Kosova duhet t'i përmbushë obligimet e veta nga dialogu me Serbinë, që lidhet me përmirësim të marrëdhënieve me SHBA dhe shtetet e BE-së, apo jo? A pajtohen partitë që duhen veprime dhe masa të qeverisë së re për ndërtim të besimit me popullatën serbe në Kosovë, apo jo? Dhe në këtë rrafsh - a pajtohen partitë që kërkesa e vjetër 16 vjeçare për komuna me shumicë boshnjake, e riaktualizuar tash, është legjitime apo jo?
Pajtimi apo mospajtimi për këto pyetje (dhe shumë të tjera) e bëjnë më të lehtë edhe diskutimin se kush me kënd mund, duhet apo nuk duhet të bëj qeverinë.
Këtu vijmë te faktori kohë. Për shembull, nëse brenda 2 jave Kosova nuk ka qeveri të re, atëhere humbet mundësia për anëtarësim në Këshill të Evropës, e për pasojë edhe për shqyrtim të kandidaturës për BE në dhjetor. Humbet mundësia për shembull për vendosjen e bazës për pavarësi energjetike. Humbet mundësia për shembull për çfarëdo marrëveshjeje për investim të huaj. Humbet mundësia për shembull për hartim të një agjende të përbashkët me perëndimin për afirmim të Kosovës. Humbet për shembull mundësia për rritje të rrogave dhe pensioneve. Humbet viti 2025 dhe agjenda për 2026, varfërohet edhe më tepër sektori privat dhe qytetarët e Kosovës në përgjithësi. Nëse nuk mirren një sërë vendimesh për trasim të rrugës drejt Evropës 2030, mbesim jashtë loje. Dhe, ka mundësi reale që Kosova të përfundoj në "meny" në tryezën e ndryshimit të raporteve ndërkombëtare.
Kosova mundet edhe të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare këtë verë nëse partitë nuk pajtohen për objektivat për Kosovën. Pastaj të presin përfundimin e zgjedhjeve lokale para se të formojnë qeverinë e re. Por mundësitë e vitit 2025 NUK do të kthehen më. Pasojat tek e fundit i bartin qytetarët dhe shteti. Por jo edhe militantët që do të bërtasin gjithandej se pikërisht ky apo ai lider është "më i miri" për Kosovën, ndërkohë që Kosova do të jetë edhe më e varfëruar, më e cunguar dhe më e vetmuar.