Pajtimi politik, një domosdoshmëri për Kosovën - NACIONALE

Pajtimi politik, një domosdoshmëri për Kosovën

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Ermal Mulosmani

Është kaq trishtuese situata konfliktuale në Kosovë sa, për të gjetur një të tillë acarimi, duhet të shkojmë në fillimet e pasluftës, në vitet 2000-2002.

Atëherë ishte një mundësi e madhe pajtimi. Duhej që Hashim Thaçi i asaj kohe të shpallte amnistinë e popullsisë për gjërat e ndodhura në luftë. Të hidhte dorashkën i pari duke u takaur me Ibrahim Rugovën dhe tejkaluar mëritë. Lufta është plagë e rëndë, duhet kurajo e fortë morale për të shëruar plagët e thella që jep ajo në shoqëri.

Këtë mundësi ua jep historia vetëm fitimtarëve, është momenti i tyre për të fituar edhe paqen. Por nuk është e lehtë…

Thaçi ndoshta mendoi se historia tashmë i përket atij, ndoshta e kishte të pamundur të hidhte ujë të ftohtë në kazanin ku vlonte urrejtja dhe ndarja. Kur e kuptoi që të heshturit ishin shumë më shumë se të zëshmit (fitorja e Rugovës në vitin 2004) ndoshta e kuptoi gabimin. Por dëmi ishte bërë…

Tani situata është kthyer përmbys. Të heshturit e asaj kohe ose pasardhësit e tyre, janë demonët e rinj. Kanë edhe një argument më të fortë kundër të tjerëve: janë shumicë absolute!

Gjuha e urrejtjes që shpërthen në rrjete sociale kundër votuesve opozitarë është e pashembullt. Pëprlot pështymë e jargë linçuese, zarat e vetëvendosjes të kthehen sapo mendimi yt shkon kundër Krishtit të tyre. Të bindur se zotërojnë një epërsi morale ndaj të ndryshmit, është e kotë të përmendësh fakte apo të vërteta kundër Kurtit. Mjerë fakti kur del kundër Albinit.

Vjosa Osmani është po aq larg votuesve opozitarë sa edhe Kurti. Mirëpo kjo s’do të thotë asgjë. Në psikozën e fanatikut VV, të dalësh kundër Kurtit është baraz me tradhti dhe urrejtja që shfryhet ndaj aleatit tënd më të afërt e tejkalon atë ndaj kundërshtarit më të fortë.

Kosova ka nevojë para së gjithash për një pajtim politik. Është një shtet i brishtë dhe në një kohë shumë të rrezikshme botërore. Duhet të ulen tensionet, të shihet Kosova si projekt i përbashkët i kosovarëve jo çiflig politik i dikujt. Kurti ka shansin e madh që në emër të maxhorancës që përfaqëson të shtrijë dorën e pajtimit. Duhet një konsensus politik. S`ka gjë më fisnike se toleranca kur nuk je i detyruar ta bësh.

Albin Kurti ka mundësinë e madhe të një pajtimi, është në zenit të pushtetit të tij politik. Mundet që tua japë Presidentin opozitës, të komunikojë me liderët e tyre, të gjejë ura komunikimi, të konsultohet me ta për vendime të mëdha. Kosovarët nuk duhet të rrinë në transhetë e urrejtjes në pritje të “vrasjes” së sivëllait të tyre. Duhet të bashkëpunojnë për tua bërë shtetasve të tyre jetën më të relaksuar. Do ishte një shërbim i madh për Kosovën.

Lajme të ngjashme