Një vizitë e “gabuar” në kohë të “gabuar” - NACIONALE

Një vizitë e “gabuar” në kohë të “gabuar”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Afrim Kasolli

Republika e Turqisë është një vend aleat i Kosovës. Dhe është në interesin strategjik të vendit tonë të ketë raporte të mira edhe me këtë shtet, anëtar të NATO-së, e që e ka një pozitë qendrore gjeopolitike ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, Rusisë dhe Lindjes së Mesme.

Mirëpo, vizita e të parit të qeverisë kosovare, në këtë shtet po ndodhë, pikërisht në një kohë, kur liderët e dy vendeve, si kryeministri i Kosovës Albin Kurti ashtu edhe Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjenden në një pozicion tejet fragjil politik, për shkak të presioneve të shumëfishta vendore dhe të jashtme.

I pari ka kohë që është duke iu nënshtruar një trysnie ndërkombëtare për ta zbatuar marrëveshjen për themelimin e Asocacionit, kurse i dyti për shkak të afrimit të zgjedhjeve presidenciale në këtë vit. E ku rezultati i tyre do të përcaktojë se a do ta ruajë pushtetin apo jo, lideri më jetëgjatë politik prej se është themeluar Turqia moderne. Sepse, tashmë R.T.Erdogan, në këtë drejtim ia kaluar edhe themeluesit të këtij shteti, Ataturkut. Prandaj, sa më shumë që po afrohet “dita e gjykimit final” politik, aq më të paparashikueshme mund të bëhen veprimet e presidentit turk, për ta tejkaluar edhe këtë sfidë.

Të gjitha hulumtimet e fundit tregojnë se tashmë presidenti i Turqisë nuk gëzon suport të mjaftueshme në publik për ta fituar edhe një mandat. Zhgënjimi i opinionit është i madh për shkak të krizës ekonomike. Shkalla enorme e inflacionit e ka dëmtuar tej mase mirëqenien ekonomike të kësaj shoqërie.

Me këtë rast, shumë vende perëndimore janë të shqetësuara se çfarë veprime taktike në politikën e jashtme mund të ndërmarr R.T. Erdogan, për t’i kompensuar këto dështime të brendshme.

Në fund të fundit, siç pohon Hneri Barkey, në shkrimin e fundit, “Turkey’s Turning Point-What Will Erdogan Do to Stay in Power?” në Foregin Affairs, asnjë shtet anëtarë i NATO-së që një vit, nuk i ka shkaktuar më shumë ngatërresa kësaj aleance, se sa Turqia. Prej se ka filluar lufta në Ukrainë vendet tjera u angazhuan ta ripotencojnë unitetin brenda aleancës, kundër një armiku të përbashkët dhe madje ta zgjerojnë atë, kurse “Turqia jo vetëm që i ka mirëmbajtur raportet e ngrohta me Rusinë, por ka kërcënuar se do ta bllokojë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në kuadër të kësaj strukture Veri-Atlantike.

Ndonëse vazhdon ky autor shumëkush mund ta kontestoj këtë konstatim, duke marrë parasysh kontributin e Turqisë në ofrimin e dronëve Bjaraktar, për ushtrinë së Ukrainës, e të cilët janë treguar goxha efektiv në terren.

Megjithatë R.T.Erdogan, pavarësisht paralajmërimeve të SHBA-ve, i ka ndihmuar edhe Moskës që t’i shmang sanksionet perëndimore dhe ta lehtësoj dëmin e tyre për ekonominë ruse. Natyrisht këto raporte u kanë ndihmuar të dy liderëve si Putinit ashtu edhe presidentit turk, për shkak të rrjedhjes së rublave ruse në ekonominë turke dhe importimit te energjisë nga Rusia. Ndonëse, kjo politikë duale, sic ka argumentuar studiuesi i njohur Soner Cagaptay, në librin e tij “Erdogan's Empire: Turkey and the Politics of the Middle East”, mund të jetë problematike sa i përket interesave afatgjate për sigurinë e Turqisë. Sepse në fund të fundit, kërcënim kryesor për sigurinë e Turqisë duke filluar që nga shekulli 19, ka qenë Rusia. Dhe se Ankara kurrë nuk ka qenë me sigurtë se sa kurë është bërë pjesë e NATO-së.

Në këtë kontekst, sipas shumë strategëve perëndimorë, intervenimet e liderit Turk në politikën e jashtme, me qëllim të përftimeve të brendshme, mund të manifestohen si në Lindje të Mesme, dhe atë kryesisht ne Siri kundër pjesës kurde që janë aleat të Amerikës në terren, në Qipro si dhe po ashtu t’i përshkallëzoj raportet me Greqinë. E ku me këto masa tenton ta paralizojë opozitën, sepse edhe ajo duke marrë parasysh disponimin popullor do ta ketë të pamundur të dalë kundër këtyre lojërave të tilla taktike dhe strategjike.

Natyrisht, krahas këtyre sjelljeve, kryetari turk me qëllim që ta shmang me çdo kusht humbjen eventuale, është duke u përkujdesur që ta pengojë me të gjitha mjetet kandidaturën e mundshme të kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu. Sepse të gjitha indikacionet tregojnë se nëse ky kandidat do të jetë si përfaqësues unik i opozitës ai do t’i fitojë zgjedhjet. Kurse një fitore e mundshme e opozitës nuk është rotacion i thjesht i pushtetit, ngase kjo e fundit ka premtuar që nëse ia del ta mposht sundimtarin për mbi dy dekada të këtij shteti, po ashtu do t’i hy punës për t’i bërë ndryshimet kushtetuese me qëllim restaurimin e kompetencave të plota të republikës parlamentare.

Të gjitha këto fakte, tregojnë se muajt që shtrihen para nesh mund te jenë një periudhë turbulente sa i përket raporteve ndërmjet ShBA-ve dhe Republikës Turke si dhe kësaj të fundit dhe Bashkimit Evropian. Prandaj, vizita e kryeministrit Kurti në këtë kohë është problematike. Dhe uroj që ajo të mos jetë e nxitur nga kalkulimi miope politike, ku me anë të kësaj vizite synohet t’i transmetohet një mesazh vendeve perëndimore, në radhë të parë SHBA-ve, që ta ndalin presionin mbi të për Asocicacion, sepse nëse vazhdohet me këtë trysni, Republika e Kosovës mund të kërkojë alternativa tjera gjeopolitike.

Lajme të ngjashme