Një orë e gjysmë ‘bullshitting’, intervista e pishmantë e Kusari-Lilës në Rubikon
Mbase vetëm ndihma telepatike (d.mth, e magjikshme, mistike ose paranormale), e komunikimit mend-më-mend nga distanca me Dejona Mihalin, do ta kishte shpëtuar mbrëmë Mimoza Kusari-Lilën në “Rubikon”.
Para se të dalim deri aty...
Anekënd botës në universitete e tekste akademike fjala “bullshit” tashmë merret për term krejtësisht teknik e jo si fyerje/sharje; e kjo në veçanti si cilësor për politikanët.
Në shqip rëndom “bullshit” është përkthyer si “gjepura”; por megjithatë në kuptimin teknik bashkëkohor mbulimi semantik është më i madh. Filozofi i madh amerikan, Harry G. Frankfurt, në veprën e tij kanonike “On Bullshit” të përqafuar fort nga bota akademike perëndimore e nis kështu:
“Respekti për të vërtetën dhe brengosja për të janë në mesin e themeleve të civilizimit. Për kohë të gjatë jam shqetësuar nga mungesa e respektit që kam hetuar... ‘bullshit’-i është një nga këto deformitete”.
“Bullshit”-i këtu, e jep ai, është një mënyrë e të folur me qëllim të bindje së audiences ose bashkëfolësit pa kurrëçfarë konsiderate për të vërtetën.
Një orë e gjysmë në “Rubikon” Mimoza Kusari-Lila e provoi “bullshit”-imin para intervesituesit, Adriatik Kelmendit, e cili ia policoi pothuajse krejt pohimet me një ballafaqim stër-aktiv duke ia servuar negacionin. E ky konfrontim, Shefen ‘de jure’ të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, e la ‘me plagë’ gjatë tërë kohës. E vërteta, rëndom, prodhohet nga konfrontimi.
Edhe poligrafi më i fuqishëm do të kishte kapitulluar teknikisht për një orë gjysmë po të kishte qenë sinjal-marrës i pulseve psiko-fiziologjike të saj.
U desht diku kah minuta e 40’të që Kelmendi t’i lutej Kusari-Lilës që “të mos të bëhem cinik” kur kjo e fundit i tha se Kurti i ka takuar “katër nënkryetaret e komunave veriore” në kontekstin e hapave të paprakthyeshëm dhe konkretë drejt Asociacionit (Scholz, Macron).
Se kjo punë e kërkon “nga poshtë-lart” e jo anasjelltas, tha ajo. Qysh? Thuase Nenin 7 është marrëveshje brendavendore me leposaviqasit e jo me Serbinë në Bruksel; dhe se Qeveria e Kosovës nuk është pajtuar që krejt rruga evropiane të bëhet e pashkëputshme nga përparimet në dialogun me Serbinë (Marrëveshja e Ohrit); dhe thuase nuk e ka në Pikën 39 të Bakoyanis kërkesë ndaj 46 ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të KiE-së që të shohin – në gjuhë të Vetëvendosjes “çka ka, çka s’ka” – hapa drejt Asociacionit “për t’u pranuar anëtarësimi i Kosovës në KiE” në rend të parë.
E kemi rrit GPD-në, pastaj, për të rënë në belbëzime nga grafikoni me rritjet e GDP-së ndër vite (2010-2019). E vërteta që GDP-ja matet në krahasim me vitin paraprak e jo në grumbullime qysh-të-duash-ti – sigurisht se pjesë e “bullshit”-imit, por, megjithatë, duke mos rrëshqitur në absurdizma të llojit të Donika Gërvallës si në “El Indipendiente” ku kjo e fundit hiç më larg se dje tha se “kemi rritur pë tri vite 50% të GPD-së”.
Megjithatë, shikuesit nuk i duhet të jetë njohës e i trajnuar në të gjitha temat – e as ndofarë vëzhguesi natyralisht i vëmendshëm ndaj ngjarjeve në vend – për të parë sikletin e personifikuar në ekran.
Një orë e gjysmë ‘gjepura’, në një orë gjysmë intervistë e ‘pishmantë’, e për një orë e gjysmë para një lie-detector.
Kusari-Lila sot duhet të jetë diku duke shëruar plagët.
Intervista, në anën tjetër, duhet parë për ekzemplar të ballafaqimit aktiv dhe të mposhtjes së "bullshit"-imit të politikanëve në zejën e gazetarisë.