LVV po bën gabim pas gabimi. Pse? - NACIONALE

LVV po bën gabim pas gabimi. Pse?

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Shenoll Muharremi

1. Sfidat e para me Lëvizjen filluan gjatë qeverisjes. Kapacitetet jo të mira për të qeverisur filluan të ekspozojnë mungesën e eksperiencës dhe kompetencës që kjo parti ka. Për çudi, Albin Kurti, në vend se të ndërmerrte masa dhe të riorganizonte ministrat dhe qeverinë, vazhdoi t’i përkrahë. Gabimet u sforcuan në vend se të përmirësohen dhe adresohen. Sikur të insitosh kur je në gabim. Publiku u dëmtua, LVV filloi të humbë mbështetjen.

2. Kur erdhën zgjedhjet, Lëvizja i mori me shumë "lehtësi". As një program nuk u lodhën me zhvillu. Menduan që përkrahja është diçka statike dhe do të vijë pa kushte. Kjo ishte një befasi tjetër: si ka mundësi një parti kaq e madhe të futet në zgjedhje pa program? Pa premtuar asgjë? Ky ishte një gabim fatal dhe një shpërfaqje e arrogancës së skajshme, kur ti i kërkon gjithçka publikut, por nuk jep asgjë në këmbim.

3. Rrjedhimisht, strategjia elektorale, mbi këto baza, nuk kishte si të dilte e shëndoshë dhe e suksesshme. Pa bërë asgjë, pa ofruar absolutisht asgjë për publikun, kërkuan 500,000 vota, 70%, dhe aplikuan një strategji "O krejt, o asgjë". Me fjalë të tjera: nëse nuk i fitojmë 500 mijë vota, humbim krejt, që nënkupton "asgjë". Ky ishte basti më i rrezikshëm në historinë zgjedhore të Kosovës, ku në vend të një qasjeje dhe strategjie pragmatike, luan sikur në kazino. Në fund, rezultati ishte i lartë, por siç edhe u projektua, nënkuptoi "asgjë". Përkundër lutjeve të Kurtit si "aman zaman, na jepni 500 mijë vota... vetëm kësaj radhe... o tash, o kurrë", kjo nuk funksionoi. E kur i shtohet edhe një fushatë e keqe, polarizuese dhe pa shije, kjo e kompleton pamjen e një fushate që LVV duhet ta harrojë sa më parë dhe që thërret për ribrendim të thellë.

4. Si rezultat i dështimit të strategjisë zgjedhore, lindi frustimi më 9 shkurt. Në vend se të sillej i matur si fitues, Kurti u soll si një humbës fatal dhe ndodhi akti më i dëmshëm për LVV. Doli në shesh dhe, në vend që të festonte dhe të tregonte se është përfaqësues i të gjithëve, i quajti opozitën, që tashmë kishte më shumë përkrahje bashkë se ai, "hajvana". Kjo e përshkallëzoi edhe më shumë gjendjen, dhe këtu u krijua një ndarje e thellë mes LVV dhe partive të tjera, prej të cilave, së paku dy, kishin pasur fushata pozitive me programe të avancuara socio-ekonomike dhe projekte konkrete.

5. I gjendur në një situatë të vështirë, Albin Kurti dhe LVV vazhduan me zvarritje të procesit sepse nuk e pëlqyen dhe nuk e pranuan realitetin e ri. U përdorën të gjitha mjetet për të zvarritur procesin e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Më pas, partia nuk u angazhua për një koalicion stabil dhe kompetent. Kjo e solli partinë në një gjendje të vështirë dhe, me gjasë, e detyroi të bëjë gabime edhe më të thella.

...

Në fund, në një gjendje ku refuzohet realiteti i ri dhe me çdo kusht insistohet në qëndrime që nuk kanë dhënë rezultate, Albin Kurti dhe LVV shkuan te NISMA për të kërkuar përkrahje. Problemi këtu është se lideri i tyre është ndoshta personi më i atakuar ndonjëherë nga vetë ata për keqqeverisje dhe afera. Kjo nënkupton që LVV ka tradhtuar të gjitha parimet dhe standardet që i ka kultivuar me vite, vetëm për të ruajtur një strategji të gabuar.

Kjo do të ketë kosto të jashtëzakonshme negative për partinë. LVV, e cila arriti kulmin me 50.2% në vitin 2021, tani është në trend të rënies. Në zgjedhjet e fundit, doli me 42.3%. Por menjëherë, në matjen e Omnibus në mars, një muaj më vonë, partia është matur në rreth 40%. Kjo tregon se trendi i rënies jo vetëm që po konfirmohet, por rënia mund të përshpejtohet.

Ky vendim i fundit për koalicion me NISMA mund të jetë fatal, sepse do t'i shkatërrojë të gjitha parimet dhe standardet për të cilat ka ekzistuar LVV. Oponentët do t’i përdorin këto argumente intensivisht gjatë fushatës së ardhshme që duket se është afër.

E në një situatë me krizë të energjisë, ku LVV nga pozita në pushtet u pajtua, edhe pse kishte premtuar ulje të çmimit të rrymës, që ai të rritej sërish, dhe të shkaktonte një valë të re të inflacionit, kjo parti tashmë mund të jetë në nivelin, ku ta di, rreth 36% pas krizës së fundit të faturave astronomike.

Në këtë kontekst, koalicioni me NISMA do të jetë fatal për rezultatet e LVV-së në zgjedhjet që po afrohen. Kjo parti bëri diçka që ndoshta sjell pak dobi afatshkurtra, por me pasoja dhe kosto shumë të larta afatgjata. Me këtë trend, LVV po graviton drejt nivelit të përkrahjes rreth 25%. Kur do të ndodhë kjo, varet edhe nga faktorë të tjerë, por me këtë vendim për koalicion me NISMA, LVV mund të bie në zgjedhjet e ardhshme në ose rreth 30%.

Për këto gabime pas gabimesh dhe strategji të gabuara, fajin mund ta kërkojnë vetëm te vetja.

Lajme të ngjashme