Liria e shprehjes dhe tallja me besimet e figurat fetare
Liria e shprehjes apo respekti për besimet fetare: ku është vija e kuqe? Kjo pyetje vazhdon të ndez debate në mbarë botën, e tek ne, rasti i fundit përfshin një gazetar të mirënjohur që u tall me një klerik islamik nga Prizreni. Përpos reagimeve, gazetari u përball edhe me sulm fizik, nga persona që morën ligjin në duar, para se të arrestoheshin. Incidente të tilla shtrojnë nevojën urgjente për të trajtuar këtë temë.
Shkruan: Lulëzim Blaka*
Liria e shprehjes është një e drejtë themelore e njeriut, pjesë integrale e shoqërive demokratike dhe e sanksionuar në kushtetutat e shteteve dhe me instrumentet ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut. Megjithatë, kjo liri nuk është absolute, pasi që shpesh kufizohet me ligje që mbrojnë të drejta të tjera, përfshirë sigurinë kombëtare, rendin publik dhe të drejtat e të tjerëve.
Historikisht, tallja me klerin apo edhe me dogmat e doktrinat, ka qenë një mënyrë për të sfiduar ortodoksitë mbizotëruese fetare. Pavarësisht motivit, veprime të tilla mund të ofendojnë dhe lëndojnë thellësisht ata që i mbajnë këto besime të shenjta. Balancimi i lirisë së shprehjes me lirinë e mendimit dhe fesë është kompleks, pasi respektimi i besimeve fetare është thelbësor për nxitjen e harmonisë shoqërore, por që nuk duhet të mbysë kritikat ose mospajtimet legjitime.
Kornizat ligjore që adresojnë talljen me fenë ndryshojnë në të gjitha juridiksionet. Disa vende kanë miratuar ligje blasfemie, si Pakistani dhe Irani, të cilat kriminalizojnë shkeljet kundër besimeve fetare. Të tjera shtete i japin përparësi mbrojtjes së lirisë së shprehjes, siç ështe rasti i Amandamentit të Parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë, vende si Austria dhe Gjermania kanë dispozita që mbrojnë besimet fetare nga disa lloje të fjalëve fyese, por kornizat e tyre ligjore janë më të nuancuara dhe nuk fokusohen ekskluzivisht në blasfemi.
Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtën e lirisë së shprehjes dhe mbron të drejtat e komuniteteve fetare. Megjithëse nuk trajton në mënyrë specifike talljen e figurave fetare, ajo ofron mbrojtje të përgjithshme për lirinë fetare, me kufizime në lirinë e shprehjes për të parandaluar nxitjen e urrejtjes fetare, dhunës ose diskriminimit. Pra, Kushtetuta ofron vetëm definime të përgjithësuara, e për një interpretim të saktë, duhet ndihma e Gjykatës Kushtetuese, Parlamentit apo ekspertëve. Sidoqoftë, prapë do të përballeshim me dallime të thella në mendimet e ligjvënësve dhe njohësve të Kushtetutës.
Konservatorët i japin përparësi rendit shoqëror dhe respektimit të vlerave fetare, shpesh duke mbrojtur kufizime të caktuara në lirinë e shprehjes, ndërsa liberalët anojnë më shumë nga liria e shprehjes dhe shoqëria e lirë. Socialistët kanë fokus më të vendosur sekular. Për ta, religjioni ka qenë historikisht mjet që ka penguar barazinë sociale dhe ekonomike, të cilën e synojnë ata.
Nxitja e dialogut dhe mirëkuptimit është jetike, përmes bisedave të hapura dhe me respekt, që ndihmojnë në kapërcimin e hendekut midis pikëpamjeve të ndryshme. Po ashtu, arsimimi i publikut për rëndësinë e respektimit të besimeve fetare, të drejtës së shprehjes dhe sundimit të ligjit, mund të kontribuojë në një shoqëri më tolerante, ku të drejtat e të gjithë individëve njihen dhe mbrohen.
Duke qenë se është thelbësore gjetja e një balansi mes lirisë së shprehjes dhe respektimit të besimeve fetare, një kompromis edhe mund të gjendet. Unë nuk kam autorizim të flas në emër të besimtarëve, por për mua si besimtar mysliman, do të mjaftonte që askush të mos tallet me besimin e as me figurat historike, ato që nuk jetojnë më. Përndryshe, sa i përket dogmave apo personazheve me mercedesë, në asnjë mënyrë nuk duhet të rreshtohemi pas tyre, duke bërë kompromis me fjalën e lirë. Fundja, dogmat janë të lezetshme për tu tallur me to, e po ashtu edhe të gjallët gjithmonë kanë hapësirë për të gabuar, por edhe për tu mbrojtur nga talljet apo kritikat.
*Autori është Drejtor i Departamentit të Informimit në AAK. Mendimet e shprehura në artikull janë personale.