Letër e hapur kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza
Kushtrim GASHI
I nderuar Kryetar, z. Hamza,
Para pak ditësh, ju njoftuat opinionin publik për arritjen e një marrëveshjeje me Kryetarin e Nismës për Kosovën, z. Fatmir Limaj, për mbështetjen e tij ndaj PDK-së dhe shkrirjen e subjektit të tij në partinë tonë. Si aktivistë që kemi investuar jetën, mundin dhe sakrificën familjare në këtë shtëpi politike, e kemi të pamundur të heshtim përpara një vendimi që nuk përfaqëson as vullnetin e bazës dhe as parimet mbi të cilat duhet të ndërtohet e ardhmja e PDK-së.
Ky vendim u mor duke shpërfillur hapur dhe në mënyrë arbitrare institucionet legjitime të partisë:
- U mor në kundërshtim me votën e vetë Kryesisë Qendrore të PDK-së.
- U mor në kundërshtim me vullnetin e prerë të Degës së PDK-së në Malishevë.
- U mor duke shkelur mbi dinjitetin e atyre aktivistëve që për 13 vite rresht bënë sakrificën më sublime në Malishevë, duke humbur vendet e punës, duke u përballur me përndjekje politike dhe duke mbetur të papunë, vetëm e vetëm për t'i qëndruar besnikë logos dhe idealit të PDK-së.
Nëse kalkulimi juaj elektoral është se përmes këtij rikthimi do të fitoni 5 mijë vota më shumë në Malishevë, po harroni një ekuacion të thjeshtë por fatal, duke kërkuar 5 mijë vota të lëkundura, po humbni po aq vota të pastra e besnike që ju kanë qëndruar pranë në ditët më të vështira. Për më tepër, ky vendim vjen në një absurditet total politik, në Malishevë, Nisma bashkëqeveris në koalicion me LDK-në dhe jo me PDK-në. Z. Limaj po kërkon strehë në PDK vetëm sot, kur projekti i tij politik ka dështuar përfundimisht dhe kur nuk i ka mbetur asnjë rrugë tjetër mbijetese.
Kriza e ideve dhe iluzioni i "Shpëtimit Politik"
I nderuar Kryetar,
Problemi real këtu nuk është nëse Fatmir Limaj po e dëmton PDK-në. Problemi është shumë më i thellë. Fakti që udhëheqja e PDK-së e sheh rikthimin e z. Limaj si një "shpëtim politik", tregon se sa thellë ka hyrë kriza e ideve dhe e guximit brenda partisë sonë.
Po të ishte z. Limaj një figurë me peshë reale elektorale sot, ai nuk do të kërkonte shkrirje e rikthim. Një lider që ka fuqi politike, e mban partinë e tij gjallë dhe rritet jashtë saj. Realiteti është i pamëshirshëm, z. Limaj po mbijetonte politikisht në margjina dhe prej vitesh nuk arriti të ndërtonte asnjë alternativë serioze. Ironia më e madhe është se ai ka kaluar më shumë kohë politikisht duke luftuar PDK-në nga jashtë, sesa duke kontribuar brenda saj. Pra, këtu nuk po flasim për një "energji të re", por për një riciklim mekanik që nuk sjell as frymë, as vizion dhe as zgjerim real elektoral.
Kthimi mbrapa nuk është strategji
Zgjedhja për të ecur mbrapsht është pranimi i heshtur se partia ka mbetur pa ide të reja, pa kuadro të reja dhe pa guxim për një transformim të vërtetë. Një parti që synon të rikthehet forcë e parë në vend nuk mund të ringrihet mbi nostalgjinë politike dhe mbi emra të konsumuar.
Ringritja vjen kur krijon brez të ri politik, hap rrugë për figura të reja, prodhon ide moderne dhe ndërton besim të ri te qytetari e jo kur mundohesh ta zgjosh emocionin e vitit 2007 në vitin 2026.
Koha ka ndryshuar, Kosova ka ndryshuar, dhe kërkesat e qytetarëve kanë ndryshuar.
PDK nuk ka nevojë për lëvizje artificiale taktike apo për kthime simbolike që kënaqin vetëm apetitet e individëve që s'duan të zbresin nga skena.
PDK ka nevojë për reformë radikale dhe meritokraci. Sepse votuesi i sotëm nuk pyet se kush keni qenë dikur, votuesi sot pyet vetëm një gjë, Kush jeni sot dhe cili është vizioni juaj për të nesërmen?
Me respekt dhe shqetësim të thellë për të ardhmen e shtëpisë sonë politike.