Le t’i thërrasim arsyes - NACIONALE

Le t’i thërrasim arsyes

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Sibel Halimi

Politika nuk duhet vetëm të përshtatet me realitetin shoqëror, ajo duhet t’u prijë proceseve që ndërtojnë progres, emancipim dhe kulturë demokratike.

Një shoqëri nuk matet vetëm me zhvillimin ekonomik e institucional, por edhe me cilësinë e gjuhës publike që prodhon.

Kur urrejtja normalizohet në diskursin publik, ajo nuk mbetet thjesht retorikë, shndërrohet në kulturë komunikimi, në model sjelljeje dhe në mekanizëm përjashtimi që dëmton vetë strukturën e funksionimit të shoqërisë.

Sot, këtij degradimi i është shtuar edhe një fenomen i ri dhe tepër shqetësues, linçimi përmes profileve të rrejshme dhe përdorimi i inteligjencës artificiale për manipulim, shpifje dhe dehumanizim publik.

Anonimiteti virtual dhe teknologjitë që prodhojnë përmbajtje të fabrikuar po krijojnë një hapësirë ku e pavërteta qarkullon më shpejt se reflektimi, ndërsa sulmi ndaj dinjitetit njerëzor po bëhet gjithnjë e më i lehtë dhe më i normalizuar.

Sociologu dhe filozofi gjerman Jürgen Habermas theksonte se demokracia mund të mbijetojë vetëm përmes një etike komunikimi, ku fjala publike ndërtohet mbi arsyen, respektin dhe përgjegjësinë ndaj tjetrit.

Në momentin kur debati publik dominohet nga përbuzja, linçimi verbal, manipulimi digjital dhe polarizimi, atëherë politika çdo ditë po e humb funksionin e saj emancipues dhe po na kthehet në prodhuese të frikës kolektive.

Hannah Arendt paralajmëronte se banalizimi i së keqes fillon pikërisht atëherë kur shoqëria mësohet me gjuhën e dhunës dhe pushon së reflektuari mbi pasojat e saj.

Prandaj, kemi nevojë urgjente për një etikë të përgjegjësisë publike, për një vetëdije se fjala e thënë apo e shpërndarë në hapësirën virtuale ka peshë sociale, politike dhe njerëzore.

Përndryshe, duke e ushqyer përditë gjuhën e urrejtjes dhe manipulimin anonim, rrezikojmë të ecim drejt një shoqërie që humb orientimin dhe nuk e di më as vetë se ku po shkon.Bottom of Form

Lajme të ngjashme