Kushtet moderne të filozofisë
Shkruan: Afrim Kasolli
Jemi mësuar shpesh që figurën e filozofit ta imagjinojmë si një qenie të zhytur në “burgun vetmisë së tij transcendetantale”, të vetëmjaftueshëm, të shkëputur nga kushtet e botës së jashtme dhe që është përgjegjës vetëm për idetë e tij. Këtij imazhi pa dyshim që i ka kontribuar jeta dhe veprimtaria e mendimtarëve antikë. Kurse në rrethanat moderne, personalitete të tilla janë vetëm relikt i një të kaluare ideale, por që mungojnë në jetën reale. Prandaj, mënyra se si historikisht ka ndryshuar jeta e jashtme e filozofëve, flet më mirë se asgjë tjetër, edhe për kushtet e ndryshme të ushtrimit të kësaj veprimtarie.
Kështu, bie fjala, arratisja e mendimtarëve të vjetër në mbretërinë e tyre ideale të mendimit, si bie fjala Sokrati dhe Platoni, kishte ndodhur kur këta mendimtarë nuk gjenin më asnjë kënaqësi në kushtet e jashtme politike të shtetit të Athinës. Sepse kjo e fundit, sipas G.W.F Hegelit, në librin e tij “Lectures of the History of Philosophy, vol I” kishte hyrë në procesin e rënies së pashmangshme. Ngjashëm kishte ndodhur edhe me filozofët e qytetit të Miletit, të cilët u shpërfaqën kur ajo botë kishte filluar ta humbte shkëlqimin e dikurshëm. E të mos përmendim këtu Herkalit-in, i cili ishte larguar nga qytetit i i tij i lindjes, Ephes-i, në shenjë proteste ndaj bashkëqytetareve të vet, sepse ata jetonin në pushtetin e opinioneve të çastit dhe nuk e njihnin të vërtetën. Ky model i filozofimit, kishte ndikuar që shpeshherë ata, të cilësoheshin nga njerëzit e zakonshëm si qenie përtace, e tëra kjo për shkak të abstenimit të tyre nga jeta reale në parajsën e tyre të mendimit.
Mirëpo, kjo strukje vetëm në pastërtinë e ideve dhe indiferencë ndaj raporteve objektive shoqërore, ishte edhe pasojë e kushteve në cilën zhvillohej filozofia atëbotë.
Filozofët antikë, duhej të jetonin në përputhje me atë që e proklamonin. Prandaj, sipas mendimtarit gjerman të lartë përmendur në veprën “Lectures of the History of Philosophy, vol III”, kërkohej që kjo “specie” të mbanin një qëndrim “përbuzës” ndaj botës dhe nuk duhej të hynin në lidhje më të. Ata ishin asi “individualitete plastike” ku qëllimet e brendshme shpirtërore të filozofisë rrallë i përcaktonin kushtet e jashtme dhe objektive. Sepse, filozofët e kësaj epoke jetonin vetëm në brenda Idesë së tyre, dhe nuk e trazonin veten me gjërat që s’i takonin sferës së tyre të mendimit. Kështu mendimtarët antikë grekë dhe romakë, bënin një jetë pavarur, që ishte e veçantë vetëm për ata, në pajtim me parimet e profesionit që e kultivonin, madje duke ushtruar këtë pavarësi dhe në jetën private dhe të çliruar nga shtrëngesat e jashtme. Në shumëcka ky imazh i ngjason, jetës së murgjve të cilat i kishin mohuar të mirat e kësaj bote. Në mesjetë këtë profesion kryesisht e ushtronin kleri dhe teologët.
Mirëpo, vazhdon Hegeli, në kohën moderne, gjërat janë krejtësisht ndryshe, sepse për shkak të kushteve të kësaj bote, ne nuk shohim më “individualitete filozofike” që e konstituojnë një klasë nga vetvetja. Në rrethana të tilla të gjitha diferencat janë zhdukur, filozofët më nuk janë murgj, sepse ne i gjejmë ata në lidhje (connetcion) më botën, dhe duke participuar me të tjerët, në punë dhe detyra të përbashkëta, Ata nuk jetojnë të pavarur vetëm për vete, por si qytetarë, duke zënë pozita publike, apo duke marrë pjesë në jetën e shtetit. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se ata nuk janë private, mirëpo kjo nuk i izolon dhe nuk duhet t’i izolojë nga të tjerët. Jeta është bërë uniforme, e përbashkët, e zakonshme, dhe e ndërlidhur me raportet e dhëna të jashtme. Thelbi i kësaj jete është konektiviteti. Prandaj, edhe filozofi nuk mund të shkëputet nga kjo botësi e ndërvarur. Sepse askush më nuk është i mjaftueshëm për vetveten. Prandaj është e domosdoshme për çdo individë që të behët pjesë e këtyre raporteve komplekse. Kështu nëse në te kaluarën trimëria, konstaton ky filozof, ishte individuale, sot ajo nuk qëndron që secili të veprojë sipas modës së tij, por në lidhje më të tjerët, dhe kjo mund të jetë merita kryesore e saj.
Dhe nuk ka dyshim se këto kushte manfestimin e tyre më eksplicit, e kanë demonstruar edhe në jetën e filozofëve. Ndoshta kjo edhe është arsyeja kryesore që sot nuk prodhohen asi personalitete origjinale dhe të pavarura. Ngase në fund të fundit, prirja e tyre, siç thamë, nuk është nuk zhvillohet sipas modelit të jetesës së murgjve.
Por kjo edhe mbase mund të jetë shkaku, që me Hegelin, i cili më mirë se askush tjetër e kapërtheu “frymën e kohës” në të cilën jetojmë, kjo disiplinë e ka arritur edhe klimaksin e saj. Dhe nëse ai e mohoi ardhmërinë e filozofisë, siç ka pohuar Ernest Bloch, “asnjë ardhmëri nuk mund ta mohoje filozofinë e Hegelit”.