Kur logjika emergjente bëhet standard qeverisjeje dhe mënyrë e përfitimit
Shkruan Diana Metushi Krasniqi
Kosova Democratic Institute
Ka një moment kur “përjashtimi” fillon të imponohet si “rregull operimi”. Në prokurimet publik në Kosovë, duket se kjo “mënyrë e re operimi” tashmë ka zënë rrënjë. Ajo që fillimisht ishte menduar si një rrugëdalje ligjore për blerjet në situata emergjente, e njohur si “procedura e negociuar pa publikim të njoftimit”, po përdoret gjithnjë e më shpesh. Çështja është: a kemi të bëjmë me urgjencë, apo thjesht me shmangie të konkurrencës?
Procedurat e negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë ishin prezente edhe para pandemisë por përdoreshin në një masë relativisht të kufizuar, kryesisht në raste të ndërlidhura me aneks-kontrata. Në vitin 2019, rreth 7% e kontratave ishin zhvilluar përmes kësaj procedure. Megjithatë, pandemia e COVID-19 krijoi kushte që ky mekanizëm përjashtues të zgjerohej ndjeshëm përtej rasteve tipike të përdorimit. Në vitin 2020, pjesëmarrja e këtyre procedurave u rrit në rreth 12%, ndërsa vetëm gjatë këtij viti u nënshkruan mbi 800 kontrata emergjente me vlerë rreth 65 milionë euro. Megjithëse blerjet urgjente ishin të pashmangshme dhe të arsyeshme për kohën dhe rrethanat, vetëm rreth 37% e këtyre kontratave lidhen drejtpërdrejt me nevojat e pandemisë. Pjesa tjetër përfshinte mallra dhe shërbime të parashikueshme, të cilat lehtësisht do të mund të ishin prokuruar përmes procedurave të hapura dhe konkurruese.
Të dhënat për prokurimin publik në platformën e KDI-së “Integrity Watch Kosova” tregojnë se blerjet “urgjente” vazhduan të shfrytëzoheshin edhe në vitet pas pandemisë. Mbi 63.5 milionë euro blerje me negociim - pa publikim të njoftimeve në 2021, mbi 64 milionë në 2022, rreth 120 milionë në 2023 dhe mbi 73 milionë në 2024, bënë që edhe Komisioni Evropian të ngrejë alarmin.
Ky trend tregon që blerjet me negociim nuk janë më vetëm devijime të përkohshme nga procedurat, por po shndërrohen në modele të blerjes. Problemi nuk është vetëm sa shpesh përdoren këto procedura, por ndikimi që ato mund të kenë në konkurrencë, transparencë dhe besimin në sistemin e prokurimit publik. Edhe pse në dukje numri i tyre mund të duket i vogël, ato shpesh përfshijnë vlera të larta, më pak konkurrencë dhe më shumë konfidencialitet. Ndonjëherë mjafton një kontratë e madhe për të ndikuar ndjeshëm në strukturën e përgjithshme të shpenzimeve publike gjatë një viti, apo edhe për të mundësuar arritjen e qëllimeve të keqpërdorimit.
Por, konkurrenca nuk dëmtohet vetëm përmes blerjeve me procedura të mbyllura dhe platforma “Integrity Watch Kosova” na e tregon këtë përmes rasteve kur blerjet bëhen sipas procedurave të hapura, por duke shkurtuar “tinëzisht” afatet e tenderimit. Dhe kjo, në mënyrë të heshtur e kufizon konkurrencën. Shkurtimi i afateve është i lejuar me ligj vetëm në raste urgjente, ndërsa të dhënat tregojnë se rreth një në pesë tenderë zhvillohen me afate të shkurtuara. Dhe kjo ka peshë reale. Sa më i shkurtër afati, aq më pak operatorë mund të përgatisin oferta cilësore dhe aq më shumë avantazh krijohet për ata që tashmë janë të pozicionuar. Nuk ka nevojë për procedurë të mbyllur, mjafton të kufizohet periudha kohore. Efekti është i njëjtë, vetëm duket më “i pastër”.
Shumë nga këto praktika janë formalisht të ligjshme. Por rreziku për integritetin nuk lind vetëm nga shkelja e rregullave, por edhe atëherë kur ato përdoren në mënyrë të përsëritur dhe të njëanshme. Kur të njëjtat institucione mbështeten vazhdimisht në të njëjtat përjashtime, dhe të njëjtët operatorë përfitojnë në këto kushte, atëherë nuk kemi më raste të izoluara, por një model të përsëritur. Në thelb, kjo nuk është çështje teknike. Është çështje e qeverisjes. Sepse kur urgjenca përdoret për nevoja të parashikueshme, kur afatet shkurtohen pa arsyetim bindës, dhe kur përjashtimet bëhen normë, atëherë prokurimi nuk ka të bëjë më vetëm me efikasitet, por ka të bëjë me kontrollin e asaj se: kush merr pjesë, sa kohë ka për të konkurruar, dhe kush fiton.
Dhe koston e mungesës të këtij kontrolli e paguan qytetari.
Zgjidhja nuk është e komplikuar, është thjeshtë “jo e volitshme” për dikë për t’u zbatuar. Procedurat e negociuara pa publikim të njoftimit duhet të mbeten përjashtime, jo sistem I punës. Arsyetimet për blerjet “emergjente” duhet të jenë të qarta dhe të verifikueshme. Planifikimi duhet të funksionojë, në mënyrë që vonesat e parashikueshme të mos quhen më urgjencë. Mbikëqyrja duhet të fokusohet te modelet, jo vetëm te rastet.
Sepse të dhënat tashmë ekzistojnë. Transparenca nuk është problemi kryesor në prokurimin publik, mungesa e integritetit dhe keqpërdorimi i rregullave për përfitime personale është.
*Artikull nga Diana Metushi Krasniqi!
Kosova Democratic Institute!