Kronika e një ngritje të paralajmëruar
Shkruan Afrim Kasolli
Të gjitha hulumtimet e opinionit publik tashmë po e konstatojnë një tendencë konstante elektorale, ngritjen graduale të LDK-së. Shumëkujt ky proces mund t’i duket befasi. Kthesë e papritur. Dhe zhvendosje tektonike politike. Madje, kishte të atillë që duke u bazuar në të dhënat e fundit që i disponon një kompani që merret me hulumtimin e opinionit publik, e që u prezantuan dje nga mediat, e quajtën si rritje të “frikshme” këtë ngritje të LDK-së. Dhe kjo sidomos kur marrim parasysh rezultatin e 14 shkurtit për këtë parti, që ishte më i keqi në historinë e saj politike.
Personalisht, gjykoj se këto ndryshime në trupin elektoral të shoqërisë kosovare nuk janë diçka e rastësishme. Madje që kjo parti do të konsolidohej gradualisht dhe do të shndërrohej në alternativën e vetme ndaj pushteti aktual, e pata paralajmëruar shumë kohë më parë. Menjëherë, pas ndryshimeve që ndodhen në strukturat e saj drejtuese pas humbjes së zgjedhjeve.
Entuziazmi për partinë në pushtet filloi të venitet shumë shpejt. Madje thuajse pas 14 shkurtit ajo mbeti pa mision politik. Sa ishte në opozitë ajo kishte ngjallur shpresa mesianike në opinion, duke krijuar bindjen dhe përshtypjen, se ishte terapia e vetme politike për të gjitha anomalitë e shoqërisë. Mirëpo, shumë shpejt u shndërrua në peng të vetvetes. Sepse, nuk mund ta realizonte misionin për të cilin opinioni i besoi në mënyrë gati thuajse absolute.
Në këtë situatë ishte e kuptueshme që LDK-ja, pas ndryshimeve që bëri do ta kishte mundësinë ta kapitalizonte zhgënjimin gradual të shoqërisë që do të akumulohej, për shkak të pamundësive të pushtetit. Sepse partia tjetër opozitare, PDK-ja, ia ofroi si alternativë shoqërisë mbartësit e atij modeli qeverisës që është në kundërshtim me prirjet për ndryshim që kanë marrë hovë në këtë shoqëri. Ajo u përkujdes vetëm se si ta ruante dominimin e të njëjtave grupe që kishin qenë deri në atë kohë në pozitat më të larta të këtij formacioni politik. Pra e ofroi atë mall që tashmë i kishte skaduar afati. Ngase, ishte konsumuar dhe stërkonsuamuar për më shumë se një dekadë në pushtet. Me improvizimet që bëri shihej qartë se qëllimi ishte si të ruhej pushteti i të njëjtëve njerëz. Kështu në vend të pranimit të përgjegjësive politike, kjo kastë kërkonte amnsitim moral nga shoqëria. Mirëpo, politika nuk është religjion. Ajo nuk mund ta ofrojë shpëtimin e shpirtrave. Në këtë sferë atyre që janë sprovuar dhe u ka kaluar koha i vetmi shpëtim për ta u mbetet pensionimi politik. Shpresa për ringjallje është utopi “metafizike” që deri më tani nuk është e verifikuar politikisht.
Pra janë këto dinamika të brendshme të sipërcekura që i krijuan kushtet e favorshme që LDK-ja nën drejtimin e Lumir Abdixhikut ta gëzojë këtë rritje spektakulare elektorale. Natyrisht, beteja nuk ka përfunduar. Se sa ai do jetë në gjendje ta mbajë këtë ritëm, mbetet të shihet. Fusha e antagonizmave politike gjithmonë është e hapur.