Kosova që nuk lëviz - NACIONALE

Kosova që nuk lëviz

1 orë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Shenoll Muharremi

Aktualisht kemi përfunduar në një situatë të ngërçit dhe ngulfatjes sistematike. E kemi një qeveri që fiton shumë vota, por kryesisht gjeneron kriza, nuk e menaxhon dhe rregullon ekonominë, nuk investon në energji dhe asnjë projekt serioz nuk ka kapacitet ta zbatojë.

Pra një drejtim i pashpresë për Kosovën nga partia që drejton qeverinë dhe fiton deri në 50%, apo sa tri partitë tjera bashkë, por nuk ofron shprese po kriza, e as energji pozitive e mundësi apo projekte thelbësore zhvillimore.

Kjo është një situatë specifike historike për Kosovën, që nuk e kemi hasur më herët dhe e cila gjithashtu u vërtetua jo një herë, por tri-katër herë radhazi në zgjedhjet nacionale. Nga viti 2021 deri në 2026, në katër palë zgjedhje, LVV po fiton 42% deri 51% dhe asnjë parti tjetër nuk i afrohet.

Në parim, kjo nuk do të ishte aspak telashe, sikur kjo parti të bënte punën mirë dhe gjënë e duhur dhe të kishte kapacitete të bënte gjëra të mira për Kosovën. Por, fatkeqësisht, ky triumf elektoral nuk përkthehet e nuk ka asnjë lidhje me qeverisje të fortë dhe transformim pozitiv të Kosovës.

Përkundrazi, me këtë qeverisje, ekonomia e Kosovës është më e dobët, izolimi ndërkombëtar më i madh, kapja e shtetit dhe institucioneve vazhdon, e gjithashtu jepen qindra miliona kontrata pa garë e meritokraci, e as transparencë e llogaridhënie.

Asnjë projekt serioz i theksuar nuk është zbatuar për pesë-gjashtë vite, derisa qindra mijëra kosovarë po largohen nga vendi e rreth 72% të rinisë mendojnë me u largu nëse kanë mundësi, sipas anketave.

Një situatë ku Kosova është ngulfatur dhe aktualisht konfirmohet se nuk mund të dalë nga kjo kurth me mjetet aktualisht në dispozicion.

Sigurisht që këtu theksi vendoset te alternativat dhe partitë opozitare. Pyetja kryesore është, si ka mundësi që, me një qeverisje kaq negative, pa rezultate, e ku varfëria rritet, inflacioni po ashtu, ndërsa deficiti tregtar është bërë kronik... partitë opozitare nuk po arrijnë të krijojnë dhe ofrojnë alternativa që ta ndryshojnë gjendjen? Kjo u vërtetua jo një herë, por 2-3 herë.

Rrjedhimisht, në këtë situatë ngulfatjeje, duket me kuptu që nevojitet, si pikë e parë, durimi. Asgjë nuk duket se do të ndryshojë shpejt apo brenda natës. Kjo për shkak se nuk kemi një parti që po arrin t’i sfidojë, ekspozojë dhe komunikojë dështimet e qeverisë.

E pika tjetër është që sistemi aktual, i fragmentuar dhe pa drejtim e koordinim i partive opozitare, nënkupton që, nëse nuk ndryshon diçka, kjo situatë agonie dhe ngulfatjeje e Kosovës mund të zgjasë së paku deri në vitin 2030.

Në një situatë ku i kemi partitë opozitare jofunksionale sa duhet dhe disa edhe me telashe të thella brenda tyre, atëherë ose do të duhej të lindte diçka e re, ose të riorganizohej rrënjësisht opozita, diçka që nuk duket e mundshme, marrë parasysh gjendjen aktuale të brendshme të tyre.

Pra, ngulfatja e Kosovës do të vazhdojë, eventualisht derisa diçka e re të fillojë ta ndryshojë lojën. Kjo ta kujton edhe Ligjin e Parë të Njutonit për lëvizjen, i cili thotë se "Një trup mbetet në gjendje qetësie ose vazhdon të lëvizë me shpejtësi të pandryshueshme në vijë të drejtë, përderisa një forcë e jashtme ta detyrojë të ndryshojë atë gjendje."

E nëse kjo "forcë e jashtme" do të krijohet nga partitë ekzistuese apo nga lëvizje e parti të reja qytetare e politike, mbetet të shihet. Apo ndoshta mund të gjenerohet edhe një opcion i tretë në vitet e ardhshme, ku nga qeverisja e dobët, mungesa e rezultateve dhe vetëdijesimi gradual i votuesve, partia që fiton gjithçka mund ta rrëzojë vetveten.

Deri atëherë, Kosova duket se do të mbetet në këtë gjendje ngërçi sistematik, ku të gjithë e shohin problemin, por askush ende nuk po arrin të krijojë forcën e nevojshme për ta ndryshuar drejtimin.

Lajme të ngjashme