Kosova dhe debati për shamitë e kokës së vajzave në shkollë
Vite më parë, në një vend perëndimor u zhvillua një sondazh ku pjesëmarrësit u ftuan të jepnin mendime lidhur me perceptimin e tyre për demokracinë. Kritikat ishin shumë të shumta, të ashpra, të frikshme. Më pas, kur sondazhi vazhdonte me një pyetje tjetër, e cila i ftonte të ata të jepnin edhe një ide të tyre mbi një sistem më të mirë se ai që po e kritikonin, gati të gjithë zgjodhën përsëri demokracinë. Leksioni i dhënë duket fare i thjeshtë.
Shkruan: PËLLUMB NAKO
Demokracia si sistem nuk është më ideali, por më i miri që ekziston. Ndaj dhe natyrshëm ky sistem duhet përsosur pambarimisht. Kritikat për demokracinë më së shumti lindin në radhë të parë për shkakun se aktualisht kudo në vendet demokratike dhe sidomos në vendin tonë është reduktuar shumë besimi i njerëzve te klasat politike që qeverisin vendin. Në vendet perëndimore, gjatë viteve tetëdhjetë të shekullit të shkuar, dhe në vitet e para të pluralizimit në vendin tonë, shkalla e pjesëmarrjes së popullatës në ngjarje politike ishte mjaft e madhe, masive. Aktualisht, nuk është e njëjta gjë. Por kjo nuk do të thotë që publiku i gjerë nuk është i interesuar për mbarëvajtjen e shoqërisë, ndaj dhe ndodh shpesh që ai të jetë i pranishëm më i shumtë në forma të tjera të pjesëmarrjes të tij siç janë referendumet, peticionet, presionet e organizatave shoqërore e forma të tjera organizimi, jashtë atyre me natyrë politike. Pra, dashur pa dashur, po shkohet drejt formave të reja të aplikimit të demokracisë, jo vetëm dhe ekskluzivisht nëpërmjet përfaqësimit politik.
Pikërisht në një kontekst të tillë po zhvillohet edhe në këto momente debati në Kosovë lidhur me lejimin e vajzave që të shkojnë në shkollë me shami në kokë si formë e të vetëkonsideruarit myslimane. Natyrshëm ky debat, që me një shpejtësi rrufeje mori forma pasionante me përplasje të forta, do të pushtonte edhe vendin tonë. Për hir të së vërtetës, natyra e diskutimit në vendin tonë, mënyra se si është trajtuar çështja, duket shumë larg konceptimit real të asaj që po zhvillohet dhe duhet të ndodhë në Kosovë. Kjo, sepse nuk bëhet fjalë të diskutohet feja islame në vetvete, por kufijtë ndërmjet besimit fetar dhe institucioneve publike të përbashkëta për të gjitha llojet e feve, përfshi edhe ateizmin. Pra, një debat ky, deri tani i përjetshëm, për raportet ndërmjet doktrinave sociale dhe besimeve fetare. Sa këto të fundit ndikojnë në marrëdhëniet sociale dhe institucionale duke mos mbetur thjesht shpirtërore, të brendshme si bindje private për secilin individ.
Në thelb, duke qenë se në Kosovë ka mjaft zëra edhe pro edhe kundër propozimit të bërë nga qeveria dhe debati në fjalë është ndezur dhe shuar disa herë duke përfshirë masivisht shoqërinë kosovare dhe atë shqiptare, nuk duhet sulmuar qeveria se përse beri këtë apo atë zgjidhje. Nuk shtrohet thjesht problemi nëse është mirë apo keq që të merret vendimi për këtë çështje, por mënyra se si duhet të merret ai.
Nëse vendimi për lejimin e mbajtjes së shamive në kokë nëpër shkolla merret nëpërmjet diktatit parlamentar, në mënyrë klienteliste për të rritur votat, kjo nuk është në të mirë të vendit. Raste të ngjashme ka në vendin tonë, megjithëse konflikti ka pasur natyrë krejt të ndryshme. Parlamenti shqiptar mori vendim për të prishur një ndërtesë si Teatri Kombëtar me simbolikë jo të vogël dhe përsëri shpirtrat e njerëzve nuk janë qetësuar. Në rast se vendimi në Kosovë do të merrej nëpërmjet një formë direkte të demokracisë siç është referendumi, nuk do të kishte asnjë diskutim. Askush nuk duhet të kompleksohet nëse pjesa më e madhe e popullatës në Kosovë do të ishte pro mbajtjes së shamive në shkollë nga vajzat. Dhe vendim në këtë rast do të ishte edhe ligjor edhe legjitim. Kjo nuk do të thotë që Parlamenti nuk është i ligjshëm në një vendimmarrje të mundshme, por dihet që krahu përbërës politik i tij ndodh rëndom që t’i bindet pa kushte vullnetit të Kryeministrit, si ndodh çdo ditë në vendin tonë. Referendumi do të përbënte formën më të mirë nisur edhe nga fakti se kjo çështje ka debate të shumta dhe masive për shoqërinë e Kosovës dhe nuk është çështje e dorës së fundit. Pra, rëndësi në radhë të parë ka funksionimi i demokracisë në marrjen e vendimeve të tilla dhe një fakt i tillë as i jep argumente Serbisë e as i ul pikët Kosovës.
Nga ana tjetër, do të ishte mjaft me vend nëse një referendum i mundshëm do të paraprihej nga një dialog intensiv ndërmjet qeverisë dhe gjithë komuniteteve fetare. Madje, në rast se referendumi do të quhej i tepërt, do të ishte mjaft e udhës që projekti qeveritar të paraprihej nga një studim në formën e sondazhit. Ky i fundit do të jepte një ide të përafërsisht të saktë se sa për qind të qytetarëve janë të besimit mysliman, por nuk e praktikojnë atë, sa për qind prej tyre falen dhe sa shkojnë rregullisht të premteve në xhami. Pasja e këtij informacioni do ta bënte projektin edhe me realist e transparent duke shmangur zhurmën e grupeve të presionit dhe duke dëgjuar më mirë zërin e qytetarëve. Kjo, sepse projekti duhet të jetë i qartë dhe pa tekst të rrumbullakosur që lejon interpretime. Në këtë drejtim ka praktika të ndryshme, në vende të ndryshme. Për shembull, në vendet me shumicë kristiane nuk lejohet jo vetëm vënia e shamisë në kokë në shkollë, por as mbajtja e simboleve të tjera fetare me madhësi të ekzagjeruar. Megjithatë, shteti i Kosovës ka një kontekst tjetër social.
Parë me pozitivitet, vënia e shamisë në kokë nga vajzat e shkollave mund të mos konsiderohet i dëmshëm dhe në përplasje me institucione publike me karakter laik siç janë shkollat, por baza fetare në të cilën bazohet vënia e shamisë në kokë, është e njëjtë edhe me burkën, apo perçen, e cila mbulon edhe fytyrën. Do të lejohet edhe ajo? Kudo ka korente fetare që e përkrahin edhe mbajtjen e perçes. Debatet për këtë të fundit janë po realisht të shumta në shumë vende me prani të fesë myslimane dhe me standarde të larta demokratike.
Duke e rimarrë edhe një herë argumentin e kufijve ndërmjet besimeve fetare dhe institucioneve laike, në thelb nuk duket shqetësuese mbajtja e shamisë, por problem mbetet futja e sjelljeve fetare në praktikat e civilizimit të njohur botërisht. Kjo, sepse nëse nëpër shkollat e Kosovës, si kudo në botë, mësohen sjelljet civile, sjelljet sesi të përshëndetesh (ku futet edhe shtrëngimi i duarve) dhe në rast se për motive fetare, këto vajza me shami në kokë nuk do t’i jepnin dorën për t’u takuar shokut të tyre të klasës, atëherë (megjithëse shtrëngimi i duarve në dukje mbetet diçka periferike për nga rëndësia) do të kemi interferim të koncepteve fetare, të cilat modifikojnë një civilizim të caktuar. Në tërësi në këtë debat, me rëndësi mbetet fakti që gjithçka të kryhet konform rregullave të demokracisë, pa imponim, me transparencë, të menduar mirë në mënyrë që të arrihet konsensusi maksimal i shoqërisë, pra, kohezioni social. Debatet lidhur me tërësinë e besimit fetar, nuk kanë vend në këtë kontekst sepse ato thjesht respektohen edhe kur nuk i kupton, edhe kur nuk i dëshiron.
Shkrimi është marrë nga Gazeta Panorama.