Këshilli apo Komisioni, zgjedhja është e anëtarëve
Efekti i vetërregullimit nuk mund të shihet shpejt. Megjithatë, nëse i shohim gazetat e vitit 2004, para themelimit të KMShK-së, dhe më 2020, kur perënduan, e shohim që për disa vite vlerat e vetërregullimit kanë pasur efekt të pashmangshëm në përmirësimin e gazetarisë në gazetat e Kosovës. Ngjashëm mund të ndodhë edhe me mediat online, nëse vendosin ta mbajnë këtë trupë funksionale, të qëndrueshme, të pavarur dhe profesionale.
Shkruan: Alban Zeneli
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK), i themeluar më 2005, është organi i vetëm vetërregullues i mediave, që mundëson zbatimin e përgjegjshëm të Kodit Etik për mediat online në Kosovë. Por, që nga themelimi, kjo trupë profesionale përballet me probleme të sigurimit të qëndrueshëm të mbështetjes financiare, qoftë nga anëtarët, qoftë nga aktorë të tjerë shoqërorë. KMSHK-ja, si organi që pati vendosur në “vijë” gazetat që dikur u ngjanin portaleve të sotme, që nga themelimi është mbështetur financiarisht nga organizatat ndërkombëtare në Kosovë, kryesisht OSBE-ja, por edhe të tjera, të cilat kanë bërë punë shumë të mirë në financimin dhe mbajtjen gjallë të ndjenjës së përgjegjësisë nga ana e mediave të shkruara dhe atyre online. Duke pasur parasysh që tashmë ky institucion rrezikohet seriozisht nga mungesa e një financimi të qëndrueshëm, pyetja që shtrohet është: kush duhet ta financojë, në mënyrë që të mos ia humb profesionalizmin dhe pavarësinë e vendimmarrjes së deritanishme?
Hisedarët kryesorë janë anëtarët. Nëse nuk preferojnë rregullim nëpërmjet aktorëve të tjerë, ata duhet ta mbajnë këtë organ vetërregullues. Pra, rruga është e thjeshtë: ose të mbahet e qëndrueshme edhe financiarisht KMSHK-ja, ose mediat online t’i rregullojë një trupë shtetërore, siç është rasti i televizioneve dhe radiove. Nga përvoja e deritanishme këto trupa rregulluese të shtetit, me përjashtime të rralla, nuk kanë qenë gjë tjetër përveç zbatim i urdhrave të politikës në drejtim të mediave, nga anëtarët që emërohen në parlament. Rasti i fundit ishte thirrja e nënkryetares së Komisionit të Pavarur të Mediave, znj. Drita Morina, që të trajtohet mbyllja e një emisioni debatues. Natyrisht, mbyllja apo jo e një emisioni nuk mund të bëhet me deklarata e aq thjesht nga KPM-ja, por për këtë në një rast tjetër. Për t’u kthyer te KMSHK-ja, zgjidhja për anëtarët e kësaj trupe është veç me dy opsione: vetërregullim funksional, profesional e parimor, të qëndrueshëm edhe financiarisht, ose rregullim nga trupa që do të kenë në vazhdimësi anëtarë, nënkryetarë e kryetarë që bëjnë thirrje të mbyllen emisione e mediume. Kushdo që e kupton që mediat online nuk shfrytëzojnë infrastrukturë dhe të mirën publike për të shpërndarë përmbajtjen e tyre, si në rastet e frekuencave televizive e radiodifuzive, e ka të qartë që nuk ka nevojë të rregullohen nga një trupë shtetërore. Këtë duhet ta kenë sa më të qartë vetë anëtarët e KMShK-së, të cilët vullnetarisht janë anëtarësuar në këtë organizatë dhe kanë pranuar Kodin Etik të saj.
Më poshtë po i listoj disa nga opsionet e qëndrueshme të KMShK-së, duke prezantuar përparësitë dhe mangësitë e opsioneve:
Ka modele të financimit të këshillave të mediave tërësisht nga paratë publike dhe kjo e zgjidh këtë problem në shumë vende, që tashmë demokracitë e tyre i kanë tërësisht të konsoliduara. Shembull, Austria, si një vend me nivel të lartë të zhvilluar të demokracisë, Këshillin e Mediave e mbështet me së shumti nga buxheti që ndahet nga parlamenti. Mirëpo, në raportin e demokracisë të institutit V-Dem, ky shtet qëndron lart në renditje për demokraci, ku politikanët nuk e kanë as idenë të mendojnë për ndërhyrje nëpërmjet financimit në institucione të pavarura e të rëndësishme të shoqërisë. Në të njëjtin raport, Kosova qëndron në një kategori tjetër të demokracive, atyre të demokracive elektorale, që janë shumë afër në rangim me kategorinë e autokracive elektorale. Këto dy kategori të demokracisë janë shtrat i papërshtatshëm për financim publik të institucioneve siç është KMShK-ja, meqë rreziku i ndërhyrjes nëpërmjet financimit, apo rreziku i perceptimit të ndërhyrjes, është shumë i lartë. Pra, në rastin e Kosovës, ky shembull nuk mund të aplikohet. Në këtë rast, bien poshtë edhe opsionet e financimit të plotë nëpërmjet mekanizmave të tjerë rregullues, KPM-së, Agjencisë për Informim dhe Privatësi etj.
Financimi i qëndrueshëm i KMShK-së, duke përjashtuar financimin nga buxheti publik, mbetet në duart e anëtarëve të saj. Kostoja e një financimi të tillë, në rast se dëshirojnë ta mbulojnë tërësisht mediat anëtare, do t’u kushtonte diçka mes 200 e 250 euro pagesë mujore të anëtarësisë. Për shumicën e mediave anëtare të KMShK-së, kjo pagesë nuk paraqet problem nëse krahasohet me benefitet e vetërregullimit dhe mundësinë që, nëse kjo dështon, të rregullohen nga trupa shtetërorë që nuk e kanë qasjen e njëjtë. Pra, me shumë pak kosto operative nga anëtarët, KMShK-ja mund t’i mbulojë shpenzimet dhe të mbetet financiarisht në këmbë të sigurta. Përtej kësaj, anëtarët e KMShK-së do të mund të eksploronin edhe mundësi të tjera që ndajnë koston e përgjithshme. Për shembull, shpenzimet komunale, qiratë për zyrat dhe gjëra të ngjashme mund të mbuloheshin edhe nga institucione autonome, siç janë universitetet publike, akademia e shkencave etj., të cilat do të duhej t’ia dinin vlerën vetërregullimit të kësaj sfere. Po ashtu, një opsion tjetër, që redukton kostot financiare, sado që është më pak i qëndrueshëm, është hapja e mundësive për individë, biznese dhe organizata që dëshirojnë të kontribuojnë për këtë organizëm publik, deri në një shumë të caktuar që anëtarët e konstatojnë se nuk ndikon në vendimmarrjen e KMShK-së. Të gjitha këto opsione duhet të shqyrtohen. Asnjëra nuk funksionon vetëm, mirëpo kombinimi i tyre mund të sjellë një qëndrueshmëri financiare për KMShK-në.
Në pikëpamjen time, efekti i vetërregullimit nuk mund të shihet shpejt. Megjithatë, nëse i shohim gazetat e vitit 2004, para themelimit të KMShK-së, dhe më 2020, kur perënduan, e shohim që për disa vite vlerat e vetërregullimit kanë pasur efekt të pashmangshëm në përmirësimin e gazetarisë në gazetat e Kosovës. Ngjashëm mund të ndodhë edhe me mediat online, nëse vendosin ta mbajnë këtë trupë funksionale, të qëndrueshme, të pavarur dhe profesionale.