Kapitullimi i opozitës para pushtetit në mos mbrojtjen e rendit kushtetues
Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë seancës së djeshme në Kuvendin e Kosovës, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ndër të tjera paska deklaruar se kjo parti nuk do t’i dërgojë më në Gjykatë Kushtetuese projektligjet e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas deputetës në fjalë kjo zbythje juridike vjen si pasojë e faktit se “pushteti po e përdor dërgimin e ligjeve në Kushtetuese si justifikim për mosrealizimin e politikave dhe dështimet në qeverisje”
Mbase ky arsyetim më mirë se asgjë tjetër e shpalos mjerimin politik se ku është katandisur opozita në raport me pushtetin. Tashmë e para po tregon hapur se në pamundësi për të sajuar argumente politike për t’i mbrojtur betejat juridike do të abdikoje nga kjo detyrë. Se ajo me qëllim që të mos humb politikisht nuk e ka telashe të solidarizohet me pushtetin sa i përket shkeljeve eventuale kushtetuese nga ky i fundit.
Ndërkohë, edhe Partia Demokratike e Kosovës kohën e fundit gjithnjë e me tepër është duke abstenuar nga një ballafaqim i tillë. Kjo Parti madje as që kishte denjuar të adresonte komente pranë Gjykatës Kushtetuese me rastin e dekretetit të Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, pasi ky i fundit pat dështuar ta zgjedh Presidentin/en e re 30 ditë para skadimit të mandatit të asaj që ishte në atë detyrë.
Ky kapitullim juridik i opozitës shënon njërën nga fitoret më të mëdha politike të Lëvizjes Vetëvendosje. Sepse kjo tregon se tashmë dy partitë kryesore opozitare janë në gjendje ta braktisin edhe mbrojtjen e rendit kushtetues vetëm që të mos humbin në sytë e opinionit politikisht nga Levizja Vetëvendosje. Pra është kjo edhe një dëshmi se si të parat janë brenda kafazit politik të Albin Kurtit. Dhe se sjellje e tyre nuk janë asgjë pos incercion që kushtëzohet nga pushteti.