Gjykimet në Hagë dhe Institucionet e Kosovës - NACIONALE

Gjykimet në Hagë dhe Institucionet e Kosovës

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkruan, Robert Muharremi:

Për gati një dekadë, institucionet e Kosovës kanë qëndruar si spektator pasiv ndërsa Dhomat e Specializuara (Gjykata Speciale) kanë gjykuar krerët dhe pjesëtarët e UÇK-së. Kohëve të fundit po shtohen zërat dhe reagimet ndaj Gjykatës Speciale duke e cilësuar atë të padrejtë dhe të anshme, dhe e cila, nëse dënohen krerët e UÇK-së, mund të dëmtojë legjitimitetin e UÇK-së dhe të vet shtetit të Kosovës. Po shtohen protestat brenda dhe jashtë Kosovës, peticione të ndryshme, vizitat në Hagë me fotografi para selisë së Gjykatës dhe me fjalë të mëdha për krerët e UÇK-së. Nuk mungon as përkrahja e fuqishme e udhëheqësve shqiptarë nga Shqipëria dhe Maqedonia Veriore, nganjëherë edhe më e fuqishme se ajo e udhëheqësve kosovarë. Por çfarë dobie i sjellin këto krerëve të UÇK-së që po gjykohen? Çfarë dobie i sjellin Kosovës dhe ruajtjes së vlerave të UÇK-së dhe të shtetit të Kosovës? Shumë pak!

Alternativa me efekt më të madh është e thjeshtë dhe para syve: ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale për të kufizuar kompetencën lëndore të saj dhe kthimin e rasteve jashtë kompetencës së saj te gjykatat e rregullta të Kosovës. Vet Gjykata Speciale e ka dhënë këtë këshillë. Mirëpo, institucionet dhe spektri politik i Kosovës, të vërbuar nga përçarjet mes politikanëve shqiptarë për pushtet, as që e kanë dëgjuar (lexuar) këshillën.

Në shkurt të vitit 2022, mbrojtja e Hashim Thaçit u ankua se akuzat e ngritura ndaj Thaçit nuk janë të përfshira në Raportin e Dick Martit dhe për këtë arsye janë jashtë kompetencës lëndore të Gjykatës Speciale. Paneli kushtetues i Gjykatës Speciale ofroi një sqarim shumë të thjeshtë. As Kushtetuta e Republikës së Kosovës e as letërkëmbimi mes Kosovës dhe BE-së, të cilin Kosova e ka ratifikuar si marrëveshje ndërkombëtare, nuk e përcaktojnë kompetencën lëndore të Gjykatës Speciale; kjo është e përcaktuar në Ligjin për Gjykatën Speciale. Paneli shkoi edhe më larg duke theksuar se “nëse hartuesit e Ligjit do të kishin pasur qëllimin të kufizonin kompetencën të Gjykatës Speciale vetëm për akuzat specifike të përfshira në Raport, dhe jo për kontekstin e përgjithshëm dhe përfundimet e Raportit, ata do ta kishin bërë këtë shprehimisht në Ligj (if the drafters of the Law had intended to restrict the jurisdiction of the SC to specific allegations contained in the Report, and not the overall context and conclusions of the Report, they would have done so expressly in the Law. Para. 83, rasti KSC-CC-2022-15 i datës 13.06.2022).

Kjo do të thotë se përcaktimi i kompetencës lëndore të Gjykatës Speciale, zgjerimi apo kufizimi i saj, është në duart e Kuvendit të Kosovës. Kuvendi mund ta kufizojë atë në mënyrë specifike dhe taksative vetëm në pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Martit, dhe rastet tjera t’i kalojë te gjykatat e rregullta të Kosovës dhe me gjykim në Kosovë. Me këtë veprim Kosova nuk e shkel as letërkombimin me BE-në, as Kushtetutën, e as nuk mund të akuzohet se po e cenon drejtësinë dhe gjykimin e drejtë. Përkundrazi, Kosova vazhdon të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare dhe kushtetuese duke e mbajtur Gjykatën Speciale me kompetenca të kufizuara lidhur me pretendimet e ngritura në Raportin e Martit, dhe duke gjykuar rastet tjera brenda gjykatave të rregullta të Kosovës.

Kritikët do të argumentojnë se ligji nuk mund të ndryshohet në mes të rrugës. Kjo nuk qëndron. E drejta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe Kushtetuta e Kosovës e njohin parimin e lex mitior, dmth. parimin që ligji më i favorshëm duhet të zbatohet ndaj të akuzuarit. Ndryshimi i ligjit për të kufizuar kompetencën e gjykatës nuk është ndërhyrje, por është një korrigjim i një lëshimi legjislativ në favor të të drejtave të të akuzuarit. Nëse Kuvendi e kufizon kompetencën e gjykatës, ky do të ishte një zbatim i ligjshëm i legjislacionit retroaktiv në favor të të akuzuarve për t’u gjykuar në Kosovë.

Fundja, as politikisht e as moralisht nuk i takon një gjykate të kontrolluar nga të huaj, e cila vetëm sa për sy e faqe vepron në emër të Kosovës, të gjykojë pretendimet e ngritura nga Prokuroria Speciale ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit. Akuza e Prokurorisë është e shumë e qartë dhe e rëndë:

Nga të paktën marsi 1998 deri në shtator 1999, Hashim THAÇI, Kadri VESELI, Rexhep SELIMI, Jakup KRASNIQI dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale kishin një qëllim të përbashkët për të fituar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes mjeteve që përfshinin frikësim të paligjshëm, keqtrajtim, ushtrim dhune ndaj, dhe largimin e atyre që konsideroheshin kundërshtarë.

Anëtarë të tjerë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale përbënin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa liderë politikë dhe ushtarakë të tjerë të UÇK-së dhe të Qeverisë së Përkohshme; liderë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të PGoK-së; komandantë zonash të UÇK-së, zëvendëskomandantë zonash dhe anëtarë të tjerë të stafit të komandave të zonave; komandantë brigadash dhe njësish; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve të policisë dhe inteligjencës të UÇK-së dhe Qeverisë së Përkohshme; si dhe ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të Qeverisë së Përkohshme” (Aktakuza e datës 27.02.2023, KSC-BC-2020-06).

Me fjalë të tjera, sipas Prokurorisë Speciale e tërë UÇK dhe të gjithë pjesëtarët e Qeverisë së Përkohshme janë një ndërmarrje e përbashkët kriminale. Nëse dëshmohet nga një gjykatë e kontrolluar nga të huajt se kjo qëndron, Kosova do të merr goditje dhe njollosje të rëndë politike. Nëse kjo qëndron, atëherë kjo duhet të jetë rezultat i një gjykimi nga gjykatat e rregullta të Kosovës dhe jo nga të huajt. Kjo i jep legjitimet gjykimit, e bën më të pranueshëm vendimin dhe forcon sovranitetin e shtetit, sepse Kosova i përmbush detyrimet e saj në mënyrë ta pavarur e jo nën tutelë të huaj. Nuk ka asgjë të keqe që EULEX dhe kushdo tjetër të vëzhgojë proçesin e një gjykimi në Kosovë dhe të ofrojë kritikën e vet me të gjitha pasojat politike për Kosovën nëse ajo nuk garanton gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Por gjykimi duhet të jetë thelbësisht i Kosovës, e jo vetëm formalisht.

Kështu, në vend të fjalëve të mëdha dhe spektakleve mediatike, institucionet e Kosovës dhe partitë politike shqiptare e kanë në dorë çfarë të bëjnë. Nuk mund të fshihen pas argumentit “nuk patëm çfarë të bëjmë” apo “të huajt nuk na lejuan” apo “ligji nuk na lejon”. Kuvendi i Kosovës dhe partitë politike shqiptare e kanë në dorë të dëshmojnë se sa e kanë seriozisht me thirrjet e tyre për padrejtësinë që vjen nga Gjykata Speciale dhe për ruajtjen e vlerave të luftës dhe të sovranitetit të Kosovës.

Lajme të ngjashme