Gazetarët tanë, ma të mirët në botë
Shkruan: Shenoll Muharremi
Zemra mal ku po i shoh gazetarët tanë duke fitu çmime të ndryshme për punën e tyre. Puna e tyre nuk po vlerësohet sa duhet, e ndikimi pozitiv i tyre nuk dihet nga shumica.
Dje ishte një raund i ri i vlerësimeve, por më herët kishim gjithashtu edhe vlerësimet nga BE e shumë organizata tjera prestigjioze. Kryesisht, janë nga jashtë..
Ka dhjetëra gazetarë që kanë fitu çmimet e që janë prej mediumeve të ndryshme kredibile. Çmimi për raportime kundër korrupsionit, për paqe dhe stabilitet, për ekonomi, për pakica të margjinalizuara, për ambient e energji… sport.
Dje ka fitu çmimin si gazetari i vitit gazetari nga "Buletini Ekonomik" që ka qenë zbuluesi i faktit që ne po paguajmë bartjen e energjisë elektrike për 1 MË gati 800 EUR në disa raste! Ky ndoshta ka qenë zbulimi i vitit e nuk ka qenë e lehtë me ardh deri te kjo.
Kanë fitu gjithashtu gazetarë që kanë sensibilizu për barazitë sociale. Një rast nuk e harroj kurrë kur gazetari ka bë tregim për një futbollist të ri nga komuniteti rom i cili po bullizohej. Çfarë kujdesi, e çfarë nderi i ka bërë Kosovës me tregimin e bukur. Ai djalosh pastaj shkoi deri në klubin e famshëm FC Milan në Itali për një vizitë.
Ka dhjetëra raste. Qindra gazetarë të jashtëzakonshëm. Kam bashkëpunu me dhjetëra prej tyre të mediumeve të ndryshme rreth 25 vite ndoshta dhe eksperienca ime është tepër e mirë dhe cilësore. Nuk mundemi me besu sa të zgjuar, kujdesshëm, profesional dhe modest janë.
Kuptohet, na duhet me qenë të vetëdijshëm për kontekstin ku po jetojmë dhe punojmë. Me ekonominë që ka Kosova, ti nuk ke mundësi me pas media të "pavarura" çfarë dëshirojme ti kemi e të cilat do ti kemi në të ardhmen.
Ku dhe si me u pagu ata në një ekonomi me GDP prej 12 miliardësh, e ku rreth 6 miliardë apo rreth 50% dalin jashtë me deficit tregtar? Kosova nuk ka vlerë ekonomike me pas media të pavarura. Ato janë në hall si me i pagu pagat në fund të muajit dhe ky është një problem jo i tyre individual por i shoqërisë që duhemi me zgjidh.
Ne duhet me rritë ekonominë tonë diku në mbi 25 miliardë euro që me pas mundësi me kriju media të lira dhe të pavarura si duhet. E ka raste edhe kur i thyejnë rregullat profesionale. Ka lloj-lloj gazetarësh gjithashtu, në këtë miks mundesh me gjetë edhe jo të mirë, sikur në çdo industri tjetër.
Por çka duhet me kuptu është që për kontekstin që jemi, shumica e gazetarëve janë të jashtëzakonshëm. Edhe kur e krahason psh me qeveritë, janë dukshëm më cilësor në mesatare.
E bash këta gazetarë janë sharë e përbuzur. Janë bullizuar e çka mos ju kanë bë e thënë. Vetëm kujtojeni rastin me një anëtar të Bordit të KQZ (SK, nga LVV) ku i quan “vrasës me pagesë”. Ku i shtyn me duar dhe i bullizon në mënyrën më përçmuese të mundshme. Në fakt, kishim edhe rastin ku qeveria ju bë presion gazetarëve të RTK-së dhe ku nuk ju siguroj financa për para.. deri në momentin kur presionin publik dhe protestat e arritën qëllimin.
Ka raste kur edhe brenda institucioneve publike janë keqtrajtuar gazetarët (KQZ). Gazetarët më të mirë të mundshëm nuk janë kursyer nga linçimet, fyerjet dhe tentimet me i diskreditu. Me i quajt armiq të shoqërisë e "shkije". Të paguar nga Serbia e Rusia.
Përfundimisht, nuk po pretendoj që Kosova i ka gazetarët më të mirë në botë. Si ka mundësi me i pas kur nuk kemi as ekonomi e as shkollim cilësor me krahasu me vendet tjera? Nuk kemi krijuar kushte ende.
Por kur e krahason kontekstin socio-ekonomik dhe politik, klimën e vështirë që ata punojnë, presionet e kërcënimet, bullizimet… ata janë me të vërtetë yje të vërtetë.
Mundemi me thënë që Kosova i ka gazetarët më të mirë në botë për kushtet ku veprojnë, kur e krahason cilësinë e edukumit që kemi dhe në ekonominë në të cilë punojnë.