Fryma e zgjedhjeve 2025: Drejt balancimit apo ndryshimit? - NACIONALE

Fryma e zgjedhjeve 2025: Drejt balancimit apo ndryshimit?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Shenoll Muharremi

Si dhe kah është fryma e fushatës elektorale/zgjedhjeve? Kjo temë përmendet shpesh këto ditë. “Si, me kë, është fryma?”, “Kush po fiton?” Kjo u intereson njerëzve shumë, por kësaj radhe nuk ka një përgjigje të lehtë dhe të shpejtë, e as një elektorat të përcaktuar. Duket si një shpërndarje më e balancuar kësaj here. Me një fjalë, do ta quaja një 'korrigjim të sistemit' nga viti 2021.

1. Në vitin 2021, fryma ka qenë e fortë dhe e fuqishme për ndryshime, e përqendruar te LVV-ja. Kemi provuar e testuar gjithçka dhe, në fund, të gjitha shpresat ishin te Albin Kurti. Ai fitoi diçka që as Rugova nuk e kishte fituar në kohën e tij. Ishte një ndëshkim i paparamenduar, i cili e rrëzoi "establishmentin" e atëhershëm. Dy partitë LDK dhe PDK, bashkë, morën pothuajse sa gjysmën e votave të LVV-së.

2. Ndryshe nga viti 2021, në fushatën e vitit 2025 nuk ka një frymë të qartë të përcaktuar. As nuk është fryma me LVV-në, e as me opozitën. Fryma është e shpërndarë dhe e fragmentuar. Kjo nënkupton që sistemi po korrigjohet nga rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe po balancohet. Kjo është më se normale dhe do të ndodhte në çdo vend tjetër të botës.

3. Fryma, me gjuhën e popullit, mund të interpretohet kështu: "Elektorati ende e përkrah LVV-në, por jo aq shumë dhe jo për mënyrën si ka qeverisur për katër vite." Së paku, shumica e elektoratit duket se mendon kështu. Kjo nënkupton që fryma nuk kërkon domosdoshmërisht ndryshim, por balancim, rimendim dhe marrjen parasysh të eksperiencave të viteve të fundit.

4. Si përkthehet kjo në rezultate? Ndoshta në një korrigjim të LVV-së, nga niveli i 438,000 votave në 2021 drejt një niveli prej rreth 315,000 votash. Po ashtu, pritet një rikuperim i humbjeve të opozitës nga ndëshkimi i vitit 2021. Me një fjalë, një balancim të sistemit.

5. Si mund të përkthehet kjo frymë në formimin e qeverisë? Me siguri jo duke vazhduar si në katër vitet e fundit. Elektorati ende e do LVV-në si partinë më të madhe, por jo për të qeverisur e vetme. Nuk ka më aq përkrahje. Elektorati po i thotë LVV-së dhe Kurtit: “Bashkëpunoni me të tjerët, mos merrni vendime vetëm. Ju përkrahim ende, por jo kështu”. Mbi të gjitha, elektorati po i jep indikacione LVV-së që të adaptohet dhe të ndryshojë.

....

Në përgjithësi, diplomacia dhe ekonomia e Kosovës nuk mund të vazhdojnë më me këto politika dhe kapacitete. LVV-ja nuk ka demonstruar se ka kapacitetet e nevojshme për të qeverisur me politikën e jashtme dhe për të përkrahur sektorin privat. Ka mbledhur taksa dhe ka shpërndarë ndihma, por këto para kanë dalë jashtë Kosovës, duke krijuar krizë likuiditeti brenda vendit. Asnjë njohje e re nuk është siguruar dhe Kosova nuk ka konsoliduar pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare.

LVV ka arritur suksese në veri dhe në politikat e mbrojtjes, por rritja e çmimeve dhe vështirësitë ekonomike të familjeve kanë zbehur këtë përparim.

Fryma thotë që LVV nuk duhet dhe nuk mund të qeverisë më e vetme. Ajo ose duhet të gjejë dhe të pajtohet me një partner, duke modifikuar politikat e saj të jashtme dhe ekonomike, ose përndryshe do të kalojë në opozitë.

Elektorati dhe fryma po thonë:

-“Mos u armiqësoni më me SHBA-në dhe BE-në, sepse ne dalim humbës, pavarësisht nëse mendojmë se kemi të drejtë apo jo.”

-“Kjo ekonomi nuk funksionon më kështu... Barra dhe presioni financiar nga çmimet astronomike kanë gjunjëzuar familjet dhe qytetarët.” Politikat ekonomike-sociale dhe shpërndarja e ndihmave, në dëm të përkrahjes së bizneseve, kanë thelluar deficitin dhe kanë rritur çmimet edhe më shumë.

Ndoshta kështu duket fryma deri më tani në këtë fushatë zgjedhore. Sistemi po sfidon seriozisht hegjemoninë dhe dominimin e LVV-së nga viti 2021, ndërsa opozita po përpiqet me seriozitet të rikuperojë humbjet dhe të formojë një qeveri pa LVV-në. Me siguri, zgjidhja më e mirë do të ishte një balancim, ku të gjithë adaptohen dhe mësojnë nga eksperiencat e fundit. Në këtë skenar, nëse qeveria formohet ashtu siç rekomandon elektorati, duket se kërkohet një qeveri ende me LVV-në, por me një partner të madh.

Alternativa? Dalja e LVV-së në opozitë.

Por demokracia kërkon kompromise.

Lajme të ngjashme