Figura e Skënderbeut është në themelet e kombit shqiptar
Shkruan: Milazim Krasniqi
Figurat historike dhe ngjarjet historike duhet të vlerësohen në kontekstin e kohës kur kanë vepruar a ndodhë. Natyrisht vlerësohen dhe shfrytëzohen edhe efektet që ato figura e ngjarje kanë lënë si trashëgimi për brezat e tjerë. Sa i përket Skenderbeut, mendoj se fillimisht duhet ta vlerësojmë nga një këndëvshtrim gjeokulturor, ku ai paraqitet shumë specifik. Fjala vjen, përveç arbërishtes, Skenderbeu i fliste edhe këto gjuhë: sllavishten, (serbisht e bullgarisht), greqishten, osmanishten, persishten, arabishten dhe italishten. Skenderbeu ishte gjeneral i sulltan Murat Hanit. Mandej u bë kryetar i Lidhjes së Lezhës. Në projektin e Selisë së Shenjtë ishte projektuar si komandant i Kryqëzatës. Pra, ishte një figurë e rëndësishme në gjeokulturën dhe gjeopolitikën e asaj kohe.
Në fakt, shqiptarët për një kohë të gjatë e kanë pasur atë rol gjeokulturor e gjeopolitik, gjë që mund të kuptohet mirë edhe nga studimi i Noel Malkolmit “Agjentë perandorakë.” Tjetër çështje është si mund të interpretohen episode nga jeta dhe vepra e Skednerbeut, sepse çdo figurë historike, ka dritëhijet e veta. Por si fillim për një figurë të asaj përmase duhet të mësohet se kush ishte dhe çka përfaqësonte. Si efekt afatgjatë, Skenderbeu përfaqëson simbolin e sintezës së mëvonshme të kombit shqiptar, që përbëhet nga ortodoks, musliman e katolik. Pra, duhet të pranohet se ishte një fenomen unik në historinë tonë. Ky fenomen nuk duhet të jetë temë e injorantëve.
Pse? Sepse kryengritja e tij kundër Shtetit Osman nuk është një përjashtim. Kundër Shtetit Osman janë ngritur e kanë luftuar edhe udhëheqës të mëvonshëm shqiptarë, të përkatësisë muslimane, që nga krerët e Lidhjes së Prizrenit ( Sylejman Vokshi, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Mic Sokoli, etj) e deri te themeluesit e shtetit shqiptar (Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Boletini, etj.) Pra, ky nuk mund të jetë kriter për vlerësimin e figurës së tij komplekse e monumentale. Kundër Shtetit Osman dhe Hilafetit të osmanëve, ka luftuar edhe themeluesi i vehabizmit, Muhamed bin Abdyl Vehabi, po nuk është të shpallet armik i Islamit. Kundër Shtetit Osman ka luftuar edhe Sherifi i Mekës, duke shkaktuar dëme largvajtëse për arabët dhe muslimanët në mbarë botën e deri në ditët tona. Ndërsa në rastin e Skenderbeut, ka studiues si Oliver Jens Shmiti që për luftën e tij ka vënë në plan të parë motivin e trashëgimisë së zotërimeve të të atit, e jo motive fetare. Por këto janë debate të stërholluara, vetëm për historianë e intelektualë.
Ajo që vlen në kohën tonë dhe që do të duhej të ishte koncensuale është se kombi shqiptar, në procesin e formimit të vet, e ka shfrytëzuar figurën e Skenderbeut, për t’u afirmuar e pranuar si komb evropian. Kombet krijohen mbi mite dhe mitet ngelin në themelet e tyre. Kombet e forta vazhdojnë të prodhojnë histori, pa i gërvishtë themelet e veta. Edhe ne ashtu duhet të veprojmë. Figura dhe miti i Skenderbeut janë në themelet e formimit të kombit tonë. Nuk kanë pse preken ato themele nga askush. Ne mund të prodhojmë histori aq sa mundemi, por themelet e kombit tonë shqiptar nuk kemi pse t’i gërvishtim.
* Autori është profesor universitar e shkrimtar i njohur.