Fëmijëria pa oborr
Autor: Kushtrim GASHI
Në Prishtinën e viteve 80-ta, oborri i ndërtesës ishte pjesë e pandashme e jetës urbane. Aty bëheshin miqësitë e para, bëheshin lojërat nga më të ndryshmet që sot janë zëvendësuar nga ekranet. Çdo ndërtesë kishte një hapësirë të gjelbër ose një hapësirë të vogël mes ndërtesave, ku fëmijët luanin e qeshnin, ndërsa prindërit mund t’i shikonin nga ballkonet. Ishte një arkitekturë që, me gjithë kufizimet e kohës, e njihte rëndësinë e fëmijërisë.
Prishtina e sotme është krejt ndryshe. Në vend të hapësirave të përbashkëta, ndërtesat e reja rriten si mure pa frymëmarrje. Oborret, janë shndërruar në parkingje, në “gremina” për themele për kulla të tjera, ose thjesht nuk ekzistojnë. Një fëmijë i sotëm duhet të kalojë rrugë pa trotuare, të mbushura me vetura për të gjetur një kënd lodrash. Edhe nëse e gjen, është i vogël, i mbipopulluar dhe i pasigurt nga qen endacak.
Ky fenomen nuk është unik vetëm për Prishtinën. Shumë kryeqytete të botës e kanë përjetuar të njëjtën krizë urbane. Londra dhe Parisi, pas Luftës së Dytë Botërore, panë ndërtimin e shpejtë të banesave që krijuan “blloqe betoni”, ku fëmijët mbetën pa hapësira loje. Ndërkohë, kthesa madhe ndodhi pas viteve 70-ta, duke rimenduar hapësirat publike, duke vendosur fëmijët në qendër, oborre të gjelbra, kënde lodrash dhe hapësira komunitare që i japin frymë jetës urbane.
Prishtina, me moshën mesatare më të re në Evropë, ka nevojë, më shumë se kushdo tjetër, për një kthesë të tillë. Sot fëmijëria kufizohet brenda katër mureve, në ekranin e telefonit apo në rrugët e mbushura me vetura. Mungesa e oborrit nuk është vetëm mungesë hapësire private apo publike urbane, më shumë është mungesë e kujtesës kolektive, e gëzimit të ndarë dhe e rritjes së lirë. Brezi i viteve 70-ta e 80-ta e kujton fëmijërinë në oborre e hapësira komunitare të ndërtesave, ndërsa brezi i sotëm rrezikon të kujtojë vetëm beton, zhurmë dhe mungesë loje e të jetës komunitare. Ky nuk është vetëm problem urbanistik, por problem i së ardhmes, një qytet që nuk u jep hapësirë, loje e zhvillim komunitarë fëmijëve, nuk u jep hapësirë as për të ëndërruar.
Megjithatë, ndryshimi është i mundur. Platforma zgjedhore e Uran Ismailit, ofron zgjidhje konkrete për rikthimin e hapësirave të gjelbra dhe hapësira për jetë komunitare. Një nga premtimet më të rëndësishme është krijimi i një parku jo më larg se 300 metra nga çdo shtëpi, duke siguruar që çdo banesë të ketë qasje të shpejtë në një hapësirë publike, që mund të shërbejë si oborr apo hapësirë komunitare, për lojë dhe aktivitete shoqërore.
Prishtina, ka një nga normat më të ulëta të gjelbërimit për kokë banori në Evropë dhe atë vetëm 2-2.9 m2 për person, shumë më pak se rekomandimi i OBSH-së prej 10-15 m2 dhe se mesatarja evropiane prej 20-30 m2. Qytete si Lubjana dhe Bratislava ofrojnë 67-110 m2 gjelbërim për kokë banori.
Në planin e tij, për të përmirësuar cilësinë e jetës urbane, Ismaili propozon pezullim gjashtëmujor të lejeve të ndërtimit pa kontroll, duke i dhënë mundësi lagjeve të ripërtërihen dhe hapësirat mes ndërtesave të kthehen në zona gjelbëruese dhe hapësira për lojë. Si pjesë e këtij plani është edhe shndërrimi i oborreve të 20 shkollave, si parqe të qasshme jashtë orarit të mësimit, për shfrytëzim të gjelbërimit dhe hapësirave sportive, që do të shërbejnë si terren loje dhe si vend takime për komunitetin. Lagje më të gjalla, me më pak vetura, do të bëhet dhe mundë të bëhen vetëm duke riorganizuar hapësirat qendrore në “superblloqe”, ku trafiku kufizohet e hapësira të përdoret për këmbësor, biçikleta dhe lojëra për fëmijë. Krijimi i korridoreve te gjelbra, në të gjithë qytetin që lidhin lagjet, ku fëmijët mund të lëvizin dhe luajnë pa frikë nga trafiku, është i mundur.
Siguria e rrugëve dhe e trotuareve për fëmijë do të rritet me ndriçimin e mbi 1,000 rrugëve, ndërtim ose riparim të 450 km trotuare dhe vendosje të 200 oficerëve të sigurisë pranë shkollave. Pjesë e planit është edhe trajtimi human i 5,000 qenve endacakë dhe menaxhimi i mbeturinave përmes 60 kamionëve të rinj dhe 2,100 kontejnerëve, duke siguruar hapësira të pastra dhe të sigurta për të gjithë.
Ky vizion e rikthen oborrin si qendër te fëmijërisë urbane, jo vetëm si hapësire fizike, por edhe si vend, ku krijohen kujtime, miqësi dhe lidhje me e shëndetshme me qytetin.
Imagjino një lagje ku oborri apo hapësira komunitare ekziston dhe është i gjelbër, ku fëmijët mund të dalin jashtë pa frikë, të luajnë dhe të ndërveprojnë me bashkëmoshatarët e tyre, ku komuniteti mund të bashkohet për aktivitete sociale. Ky është vizioni që ofron Uran Ismaili për Prishtinën, një qytet ku fëmijëria nuk humbet mes betonit dhe trafikut, por lulëzon në hapësira të sigurta, të pastra dhe të qasshme për të gjithë.
Prishtina ka shansin të rikthejë oborret dhe hapësirat për lojë që dikur ishin pjesë e jetës së përditshme, duke i dhënë qytetit frymë të re dhe komunitetit një hapësirë, ku fëmijëria mund të jetë e lirë, e bukur dhe e përbashkët, duke ja dhënë shansin Uran Ismailit.