Efekti Elon Musk: A e kemi arritur limitin tonë me shefat e tmerrshëm? - NACIONALE

Efekti Elon Musk: A e kemi arritur limitin tonë me shefat e tmerrshëm?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pronari miliarder i Twitter-it mund të mendojë se taktikat e tij do ta lënë atë me punëtorët më të përkushtuar. Provat sugjerojnë të kundërtën

André Spicer, The Guardian.

Nëse të enjten, do të kalonit pranë selisë së Twitter-it në San Francisko, do të shihnit plot fyerje në një anë të ndërtesës: “Elon Musk: fëmijë mediokër, privilegj nën presion, racist i vogël, megaloman…” Brenda selisë, punëtorëve u ishte dhënë një mesazh ku u kërkohej të nënshkruanin një zotim për të punuar me “orë të gjata me intensitet të lartë”, ose për të lënë punën e tyre. Një kërkesë e tillë, erdhi pas largimeve masive të punëtorëve dhe një emaili të dërguar në orën 2:30 të mëgjesit ku thuhej se, “ka shumë mundësi që Twitter nuk do t’i mbijetojë rënies së ardhshme ekonomike.”

Qasja e pahijshme e Musk për menaxhimin e njerëzve është e dokumentuar gjatë. Mund të kujtoni akuzat që janë bërë për sjelljen e tij në Tesla, ku sipas Wired, ai i ka bërtitur një inxhineri:“Ti je një idiot i ndyrë! … Dil dhe mos u kthe! Kolegët e tjerë i thanë revistës se ai poshtëronte dhe ulte publikisht njerëzit, dhe se stafi ishte i dekurajuar të ecnin afër tavolinës së tij, pasi kishte prirje për "tërbime të paparashikueshme".

“Ai po bërtiste se nuk e dija se çfarë po bëja, se isha një idiot, se ai kurrë nuk ka punuar me dikë kaq të paaftë”, ka thënë një ish-punonjëse duke treguar për revistn rreth shkarkimit të saj.

Sado e çuditshme që duket, kjo lloj sjelljeje në vendin e punës nuk është aq e pazakontë sa mund të mendoni. Sipas një sondazhi të koleges sime Amanda Goodall, rreth 13% e menaxherëve në Evropë bëjnë pjesë në kategorinë e "bosëve të këqij". Këta janë njerëz që nuk japin reagime, janë mosrespektues, nuk japin lavdërime dhe vlerësime, pengojnë kryerjen e punës, minojnë zhvillimin individual, ndalojnë ekipet të punojnë në mënyrë efektive dhe nuk u japin punonjësve ndihmën dhe mbështetjen që ata kanë nevojë.

Sondazhet po ashtu kanë treguar se shumë shefa abuzues në të vërtetë mendojnë se taktikat e tyre si të fortë, i shërbejnë të mirës më të madhe – sigurisht Musk beson se punonjësit e tij duhet të punojnë me orë të tëra nëse duan të arrijnë gjëra të mëdha. Por, hulumtimet kanë zbuluar vazhdimisht se kjo nuk funksionon: njerëzit që punojnë për shefat e këqij ose abuzues priren të jenë më pak produktivë dhe kanë shëndet më të keq mendor e fizik.

Megjithatë, ajo që duket se po ndryshon është gatishmëria jonë për të duruar shefat e tmerrshëm – qofshin ata thjesht të këqij në punën e tyre apo në fakt abuzues. Pas ultimatumit të Musk këtë javë, raportohet se qindra punonjës të Twitter do të largohen nga puna.

Firma e konsulencës McKinsey ka vlerësuar se në të gjithë tregun e punës në ShBA, deri në 40% e punëtorëve janë duke planifikuar të lënë punën e tyre.

Ekonomia e tregut të punës ofron një shpjegim të pjesshëm: shpesh ne qëndrojmë me shefa abuzues kur ka pak opsione të tjera në dispozicion, dhe pas pandemisë, tregu i punës ka kaluar një periudhë të shëndetshme. (Në anën tjetër, një studim i kohëve të fundit nga një grup ekonomistësh zbuloi se kur tregjet e punës përkeqësohen, qasjet "jomiqësore" ndaj lidershipit në një firmë bëhen edhe më të zakonshme, pasi shefat janë më pak të shqetësuar për mbajtjen e stafit.)

Sigurisht, shumë njerëz vazhdojnë të qëndrojnë në punë, pavarësisht një shefi të keq – dhe arsyet pse ata mund të qëndrojnë nuk ofrojnë shumë shpresë për Musk dhe të ardhmen e Twitter.

Disa njerëz që punojnë nën një mbikëqyrës abuziv bien pre e asaj që psikologët e quajnë "pafuqia e mësuar". Kur njerëzit përballen me rrethana të vështira, fillimisht ata luftojnë për të shpëtuar, por me kalimin e kohës ata fillojnë ta shohin abuzimin si normal. Ata ndihen gjithnjë e më të paaftë për të ndryshuar diçka dhe bëhen gjithnjë e më pasivë. Kjo do të thotë se ata e humbin mundësinë për ndryshim edhe nëse është e mundur.

Arsye tjetër që njerëzit nuk largohen nga shefat e këqij është se ata fillojnë të identifikojnë veten me ta. Ky është një lloj sindromi i Stokholmit në vendin e punës ku njerëzit fillojnë të shikojnë drejt shefave të tyre abuzues dhe madje të modelojnë veten mbi ta.

E arsyeja e fundit pse disa njerëz që punojnë për shefat abuzues qëndrojnë është sepse ata vetë shfaqin shenja psikopatie. Një studim ka arritur në përfundimin se një avantazh që ka një psikopat mesatar organizativ është se ata "kanë akses në burime më të mëdha psikologjike sesa bashkëmoshatarët e tyre nën mbikëqyrje abuzive".

Pavarësisht një largimi masiv e njerëzve nga puna, Musk mund të mendojë se shumë nga punonjësit e tij më të mirë do t’i rrijnë pranë. Duke gjykuar nga hulumtimi për këtë temë, ka gjasa që shumë nga personat që nuk janë shkarkuar do të largohen. E ata që qëndrojnë ka të ngjarë të jenë më pak produktivë, më pak të shëndetshëm, më pasivë, më shumë adhurues të Musk-ut dhe më shumë gjasa të jenë vetë pak psikopatikë.

Ditët e shefit të keq mund të jenë të numëruara.

Lajme të ngjashme