Drejtësi dhe përgjegjësi - NACIONALE

Drejtësi dhe përgjegjësi

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Para disa ditësh shkrova një artikull ku sqarova arsyen pse kryeministri nuk bën lëshime dhe se arsyet e tij janë legjitime dhe të drejta dhe se sindikata duhej të vinte në dyshim arsyet e kryeministrit dhe të jepte një arsyetim tjetër për vazhdimin e grevës. Ata nuk e bënë atë në mënyrën që kërkohet si përgjigje e duhur ndaj pyetjeve të kryeministrit. Prandaj, do ta bëj për ta. Do të përpiqem të artikuloj një logjikë tjetër që mund të ndërmjetësojë mes këtyre dy palëve pa cenuar dinjitetin e tyre.

Shkruan: Sead Zimeri

Rasti i grevës së mësimdhënësve ka nxjerrë në pah një antagonizëm social që vazhdon të ekzistojë edhe pas ardhjes në pushtet të një partie të majtë, e cila kujdeset për mirëqenien e qytetarëve, veçanërisht të qytetarëve të shtresave të ulëta dhe atyre që nuk arrijnë të sigurojnë kushtet për një jete dinjitoze.

Por tani kemi një sektor të tërë të shoqërisë që ka hyrë në grevë me disa kërkesa, dhe jo të gjitha ekonomike. Por është kërkesa për 100 euro shtesë deri në miratimin e ligjit për paga e cila ka çuar në ngërç të plotë situatën arsimin fillor në Kosovë.

Kryeministri nuk pranon t'ua plotësojë kërkesën sepse po arsyetohet se nuk mund t'i trajtojë mësuesit ndryshe nga punëtorët e tjerë, të cilët madje kanë paga më të ulëta se mësuesit. Pra ai po niset nga një parim i barazisë së punonjësve, prandaj kërkesat e grevistëve po i paraqet si kërkesa të veçanta, madje irracionale dhe të pandjeshme ndaj problemeve sociale të të tjerëve. Kryeministri pra po niset nga një parim që shteti nuk mund t'i trajtojë sektorë të caktuar si sektorë të privilegjuar të shoqërisë. Ndaj ai nuk dorëzohet dhe mesa duket nuk ka ndërmend të plotësojë kërkesat e grevistëve. Shteti nuk mund të shantazhohet, thotë kryeministri.

Nga ana tjetër, mësimdhënësit nuk heqin dorë nga 100 euro, sepse kërkesat e tyre janë për dinjitet dhe jo për lëmoshë. Çdo gjë nën 100 euro duket si lëmoshë dhe jo e drejtë, që i takon qytetarit.

Pyetja që duhet trajtuar seriozisht është kjo: a është trajtim i veçantë nëse mësuesve u jepen 100 euro? Përgjigja varet nga ku vështrohet problemi, por duhet pasur parasysh se kjo kërkesë konsiderohet në kontekstin e kushteve në Kosovë. Natyrisht, punëtorët nuk paguhen sa duhet dhe qeveria e Kurtit po mundohet që përmes paketave të ndryshme ekonomike të adresojë dhe zgjidhë ose së paku t'ua lehtësojë barrën ekonomike punëtorëve. Kjo është një ndihmë e rëndësishme sepse pa të kushtet janë edhe më të rënda.

Megjithatë, kërkesat e mësuesve mbeten legjitime. Mendoj se argumenti i kryeministrit është ideal për kushte ideale por i shtruar në kushte jo ideale; kryeministri ndërkohë duhet të gjejë një zgjidhje ideale për kushte jo ideale. Parimet e barazisë janë ende të rëndësishme, por ndonjëherë drejtësia jo vetëm nuk mund të realizohet plotësisht, por realizimi i saj i plotë resulton në padrejtësi tjera. Mirëpo kur nuk mund të realizohet plotësisht, duhet të realizohet pjesërisht, përndryshe nuk realizohet fare.

Kam përshtypjen se kryeministri, në refuzimin e vazhdueshëm për të plotësuar kërkesat e mësuesve, përjashton mundësinë e arritjes së drejtësisë jo vetëm plotësisht por edhe pjesërisht. Si e tillë, gjendja përkeqësohet për të gjithë, vuajtjet rriten më shumë sesa pakësohen dhe mbështetja në parimet ideale përfundon në një situatë ku askush nuk merr drejtësi.

Tani është pjesë legjitime e sistemit demokratik që punëtorët mund të organizohen në sindikata dhe të luftojnë për të drejtat e tyre të veçanta. Pagat që marrin nuk u ofrojnë atyre një jetë të dinjitetshme me standardin në Kosovë. Prandaj, ata duan që ky sektor të krijojë kushte më të mira për veten e tyre dhe kjo është një kërkesë legjitime. Ata nuk po kërkojnë që të tjerëve të mos u rriten pagat; po ta kërkonin gpnjë gjë të tillë, atëherë realisht do të kishim dilemën që ka kryeministri, pra po kërkojnë diçka që nuk mund t'u justifikohet të tjerëve.

Por a mund të justifikohet kërkesa prej 100 eurosh? Besoj se mund të justifikohet, prandaj e konsideroj kërkesë legjitime, sepse është në përputhje me rregullat e lojës demokratike, dhe njëkohësisht nuk pengon rritjen e pagave për punëtorët e sektorëve të tjerë. Një kërkesë e tillë do t'i delegjitimonte kërkesat e tyre, sepse kërkesat e tyre duhet të jenë të pranueshme, në parim, nga të gjithë qytetarët, edhe kur të tjerët vendosin të mos bëjnë të njëjtat kërkesa. Është e drejta e tyre të organizohen në sindikata dhe të kërkojnë të drejtat e tyre. Por në parim ata nuk mund të dalin kundër legjitimitetit të kërkesave të mësimdhënësve, sepse në të vërtetë ata do t'i mohonin vetes të drejtën për t'u organizuar në sindikatë apo për të kërkuar të drejtat e tyre.

Por kjo çështje ka një dimension tjetër. Punëtorët nuk paguhen të gjithë në mënyrë të barabartë në shoqëri: një ministër merr katër herë më shumë se një punëtor i zakonshëm dhe këto dallime zakonisht justifikohen nga barra e përgjegjësisë që mbajnë ato poste. Një ministër ka përgjegjësi më të mëdha se një shofer taksie dhe do të ishte e padrejtë nëse taksistët do të kërkonin të njëjtat paga si ministrat. Ata nuk kanë të njëjtën përgjegjësi.

Prandaj, barra e përgjegjësisë nuk bie njëlloj mbi të gjithë, edhe kur shoferi është më i lodhur se ministri. Mund të diskutohet nëse ky parim është i drejtë në vetvete, pra nëse pagat duhet të paguhen sipas përgjegjësive që kanë dhe jo vetëm sipas punës që bëjnë, por zakonisht ky është parimi i shpërndarjes së pasurisë publike. Kryeministri paguhet më shumë se ministrat sepse ka një përgjegjësi edhe më të madhe se punonjësit e tij.

Bazuar në këtë parim, është e arsyeshme të shtrohet për diskutim se sa e madhe është përgjegjësia për punën që bëjnë mësuesit. Besoj se të gjithë jemi dakord që është një përgjegjësi shumë e madhe. Menjëherë pas prindërve, mësuesit dhe edukatorët janë njerëzit me përgjegjësinë më të madhe për fëmijët tanë. Në duart e tyre është edukimi intelektual dhe formimi njerëzor. Në duart e tyre është e ardhmja e vendit, kulturës dhe kombit. Në duart e tyre është përgjegjësia e madhe e ndërtimit të njeriut që do të vazhdojë kulturën, traditën, shtetin, etj.

Këta njerëz, kompetentë ose jo, nuk janë të kënaqur me shpërblimet që u jep shoqëria për punën që bëjnë në raport me përgjegjësinë e tyre si mësimdhënës. Përgjegjësia që ata mbajnë për nxënësit nuk shpërblehet dhe nuk njihet nga shoqëria për peshën që ka. Prandaj, kërkesa për rritje të konsiderueshme nuk mund të kuptohet si kërkesë e padrejtë apo jolegjitime, edhe nëse është apo konsiderohet arbitrare, sepse ka të tjerë në shoqëri që janë më të varfër, punojnë më shumë dhe paguhen më pak etj. Drejtësia nuk mund të zbatohet mbi bazën e parimeve të tilla abstrakte, sepse atëherë ose të gjithë duhet të paguhen në mënyrë të barabartë ose rrezikojmë padrejtësi ndaj të gjithëve.

Mësimdhënësit kërkojnë t'u njihet barra e përgjegjësisë dhe kontributi i tyre në shoqëri, sepse në mungesë të një njohjeje të tillë, bie vlera e mësimdhënësve, e shkollës dhe e arsimit. Prandaj, fakti që kërkesa është e veçantë nuk është argument kundër tyre sepse çdo kërkesë, për nga natyra e saj, është e veçantë.

Gjithsesi është e arsyeshme që mësimdhënësve t'u plotësohet kjo kërkesë, që të mos kenë nevojë për lëmoshë por edhe shoqëria të shprehë mirënjohjen për punën e tyre. Nuk bëhet padrejtësi kur një sektori i rritet paga, ndërsa sektorëve të tjerë jo. Për më tepër, fakti që një sektori i rritet paga nuk mund të funksionojë si argument për të gjithë sektorët e tjerë pasi jo të gjithë sektorët kanë të njëjtat përgjegjësi. Do të ishte e padrejtë dhe jashtëzakonisht egoiste që të gjitha kërkesat për rritje të paguhen në mënyrë të barabartë.

Ajo që rezulton nga kjo mënyrë do të ishte një padrejtësi më e madhe, prandaj përmbushja e këtyre kërkesave nuk mund të kuptohet si padrejtësi ndaj të tjerëve, por këmbëngulja për t'u trajtuar si e tillë krijon padrejtësi që nuk duhet të ndodhin. Parimi është: ndihmoni ata që mundeni, hiqni një barrë nga ata që kërkojnë ndihmë, dhe atyre që nuk kërkojnë ndihmë, duhet t'i siguroni që të mos vuajnë për bukë, por kërkesat e tjera shtesë varen nga kontributi i tyre dhe përgjegjësia sociale.

Pra, në vend që të mendojmë për një shoqëri ideale si duhet të jetë, le të nisemi nga ajo që është dhe të mendojmë, së bashku me Adornon, se si nuk duhet të jetë një shoqëri. Nuk duhet të mbahen pagat e atyre që kërkojnë rritje rroge, nuk duhet të bëhet padrejtësi në emër të një drejtësie të paarritshme.

Lajme të ngjashme