Dialogu Kosovë-Serbi: Kthim prapa në vitin 2013
Dialogu Kosovë-Serbi: Kthim prapa në vitin 2013
Avdullah Hoti
- Historiku i dialogut Kosovë-Serbi
Kosova ka histori të negocimit me Serbinë. U negociua në Rambuje dhe u bombarduan forcat serbe në Kosovë, Serbi e Mal të Zi, sepse delegacioni i Kosovës ishte koordinuar me miqtë. U negociua në Vjenë dhe Kosova fitoi pavarësinë, sepse delegacioni i Kosovës prapë u koordinua me miqtë. Pas shpalljes së pavarësisë, Serbia iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e vulosi pavarësinë e Kosovës. Pas këtij vendimi, pavarësisht kundërshtimeve, Serbia e kishte të qartë se Kosova e pavarur ishte realitet i pakthyeshëm, dhe se duhej dialoguar për normalizim të marrëdhënieve, në veçanti pas rezolutës së Këshillit të Sigurimit që ia barti këtë përgjegjësi Bashkimit Evropian.
- Dialogu për normalizim në Bruksel 2011-2017
Më 2011, në Bruksel nisi dialogu për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve që nuk e njihnin njëra-tjetrën. U arritën disa marrëveshje, si për: pikat kufitare, lëvizjen e lirë, tregtinë dhe vulat doganore, drejtësinë, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokale, integrimin e serbëve në polici, kodin telefonik, pavarësimin energjetik, vendosjen e institucioneve qendrore në veri etj. Jo të gjitha këto marrëveshje u zbatuan. Në vitin 2014 nisi Procesi i Berlinit, ku disa nga çështjet e dialogut Kosovë-Serbi u ngritën në çështje të bashkëpunimit rajonal.
A ka pasur Kosova përfitime nga dialogu? Absolutisht po. Mohuesit e përfitimeve vazhdojnë të mashtrojnë opinionin. Falë këtij dialogu, Kosova e nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimit Evropian, si hap i parë formal drejt integrimit evropian. Në veri u vendosën institucionet e rendit dhe ligjit. Autoritetet lokale u zgjodhën sipas ligjeve të Kosovës. U shpërbënë strukturat joligjore. U funksionalizuan pikat kufitare dhe doganore. Dialogu i mundësoi Kosovës hapjen e Zyrës Ndërlidhëse në Beograd.
- Dialogu gjatë Qeverisë Haradinaj 2017-2019
Në Qeverinë Haradinaj, dialogu u bllokua për shkak se u vendos taksa 100% në importin e mallrave nga Serbia. Në atë kohë qarkulluan ide për marrëveshje finale që përfshinte shkëmbimin e territoreve. Kjo gjë u kundërshtua nga opozita e atëhershme dhe nuk kishte as përkrahje nga qendrat kryesore ndërkombëtare. Për arsyet që i di Kryeministri Haradinaj, Qeveria dha dorëheqje.
- Dialogu gjatë Qeverisë Hoti 2020-2021
Dialogu rinisi në Qeverinë Hoti, por tani për marrëveshje finale për njohje reciproke. Para se të niste dialogu, me partnerët u dakord procesi që do të ndiqej dhe të objektivat që do të arriheshin. Nuk u nis dialogu për çështje teknike, sado të rëndësishme që ishin ato, por për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve.
Dialogut i parapriu korniza e parimeve e dakorduar me miqtë, e cila përcaktonte se marrëveshja finale duhet të jetë: (1) në përputhje me Kushtetutën e Kosovës; (2) që ruan integritetin territorial dhe organizimin kushtetues; (3) që përfshinë njohjen reciproke, e cila natyrshëm çon tek njohja nga pesë vendet e mbetura të BE-së, anëtarësimin në OKB, hapjen e rrugës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare; dhe (4) që i adreson të gjitha çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve.
U punua në ndërtimin e kohezionit shoqëror dhe politik për dialog dhe në transparencën e procesit. U organizua “Forumi i liderëve të partive politike”. U themelua “Këshilli i Ekspertëve për dialog”, i mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë, i cili vazhdon edhe sot. U raportua disa herë në Kuvend, ku opozita e atëhershme abuzonte me të drejtën për thirrje të interpelancave. U raportua disa herë para shoqërisë civile dhe institucioneve akademike.
Për të lehtësuar dialogun, SHBA insistoi në nënshkrimin e një “Marrëveshje për normalizim ekonomik mes dy vendeve”, e cila u arrit në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator 2020. Në atë marrëveshje u parapanë projekte infrastrukturore të rëndësisë rajonale, si: autostrada, hekurudha, 5G dhe rrjeti i gazit. Në kohën e Qeverisë Hoti, SHBA-ja iu doli zot obligimeve të veta: (1) ndodhi njohja nga Izraeli; (2) u demarkua de fakto një pjesë e kufirit me Serbinë; (3) MCC-ja e riaktivizoi mbështetjen për Kosovën; (4) nisën negociatat për projektin e gazit, ku një ekip prej dhjetëra zyrtarësh të Qeverisë Amerikane zbarkoi në Greqi dhe në Kosovë për të negociuar teknikalitetet e projektit; (5) u nënshkrua marrëveshja për insentivat e investimeve amerikane në Kosovës dhe qasjen në financa të bizneseve të Kosovës në tregje amerikane; dhe (6) u nënshkrua marrëveshjen për teknologji të sigurt 5G.
Në Bruksel u mbajtën disa takime të nivelit të lartë dhe të koordinatorëve dhe ekspertëve. Këto takime u zhvilluan pasi me partnerët ishte dakorduar korniza e dialogut dhe përmbajtja e marrëveshjes finale, me pikë të parë njohjen reciproke. Mbi këtë kornizë, u përmbyllën dy kapituj të marrëveshjes: për të pagjeturit dhe për bashkëpunimin ekonomik. Ndërkaq, mbetën në gjysmë dy kapituj të tjerë: detyrimet financiare të Serbia ndaj Kosovës (pensionet, dëmet e luftës, kursimet bankare dhe borxhi i jashtëm) dhe kadastri. Në përfundim të mandatit të Qeverisë Hoti, me protokoll iu dorëzua kryeministrit të ri dosja e plotë e dialogut.
- Dialogu gjatë Qeverisë Kurti - nga marsi 2021
Qeveria aktuale e braktisi kornizën e dialogut për njohje reciproke. Dialogu u vendos si prioritet i gjashtë i Qeverisë së re. Ata që kishin dialoguar më parë ishin etiketuar si tradhtarë, por më vonë marrëveshjet e mëparshme nisën t’i zbatojnë duke i cilësuar në interes të Kosovës. Nuk u bë asnjë vlerësim i marrëveshjeve paraprake siç ishte premtuar. Në Kuvend nuk u prezantua platforma për dialog, e as nuk u raportua pas rundeve të bisedimeve në Bruksel.
Parimet e kësaj Qeverie në lidhje me dialogun ishin: (1) nuk ka dialog me Serbinë, por me serbët lokal; (2) nuk ka dialog pa kërkim falje nga Serbia; dhe (3) nuk ka dialog pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Këto parime u harruan. Nuk e pranojnë në dialog një person të delegacionit serb, por në anën tjetër dialogojnë me ministrin e Millosheviqit.
U harruan edhe masat e reciprocitetit, që ishin “çështje javësh pas formimit të qeverisë”. Serbia u kthye në partnerin kryesor tregtar në rajon, duke e tejkaluar edhe Shqipërinë, me 371 milionë euro importe gjatë vitit të kaluar.
Me apo pa vetëdije, dialogu u kthye në interes të Serbisë. Sot Kosova është në pozitën më të keqe të mundshme në dialog. Në fillim të mandatit të kësaj Qeverie, sikurse në Qeveritë paraprake, u pranua letra e Presidentit Amerikan se marrëveshja duhet të ketë njohjen në qendër. Ndërkaq, sot Kosovës i kërkohet të nënshkruajë marrëveshje pa njohje – marrëveshje bazë për të negociuar më tutje, e cila nuk ka dallim me marrëveshjen e vitit 2013. Çfarë ndodhi gjatë këtyre dy viteve të qeverisjes që çoi në ndryshimin e qëndrimit të miqve?
Kosova ka nevojë për një marrëveshje që është: (1) PËRFUNDIMTARE – e jo të ndërmjetme, sepse ndryshe mbetet problem i hapur dhe kjo e rrit pasigurinë politike në rajon; (2) LIGJËRISHT TË OBLIGUESHME – që ratifikohet në Kuvendet e të dyja vendeve; (3) ME GARANCI NDËRKOMBËTARE – ku BE dhe ShBA marrin përsipër obligime të caktuara që burojnë nga marrëveshja, në veçanti lidhur me integrimin euro-atlantik të Kosovës; (4) PËR NORMALIZIM TË MARRËDHËNIEVE – ku adresohen të gjitha çështjet bazuar në standardet evropiane të fqinjësisë së mirë; dhe (5) PËR NJOHJE RECIPROKE.
Është e qartë se plani evropian që tani është pranuar në parim nga Qeveria nuk prodhon një marrëveshje të tillë. Është e qartë se një Kryeministër tjetër do të negociojë marrëveshjen për njohje. Është e qartë se ky Kryeministër ka vendosur të nënshkruajë marrëveshjen pa njohje. Është e qartë se ky Kryeministër ka vendosur të zbatojë Marrëveshjen e Asociacionit, për të cilën ka ushtruar dhunë në Kuvend dhe në sheshe.
Disa muaj më parë, Kryeministri tallej në foltoren e Kuvendit se njohja do të jetë në qendër të marrëveshjes, as në fillim e as në fund. Sot, për të është bazë e mirë një marrëveshje pa njohje, që e parasheh zbatimin e marrëveshjeve paraprake, pra që e parasheh zbatimin e Asociacionit.
Do të vijë shpejt dita kur ky Kryeministër do të deklarojë se çështja e Asociacionit është e mbyllur, siç u deklarua Presidentja për Demarkacionin me Malin e Zi, për të cilën u hodh gaz lotsjellës në Kuvend, u dëmtua ndërtesa e Qeverisë dhe sheshi i Prishtinës nga opozita e atëhershme dhe nga vetë Kryetari dhe Nënkryetari i Prishtinës, si dhe ra në një qeveri.
Kjo Qeveri po e lëshon bajrakun në dialog. Kryeministri po e pranon marrëveshjen pa njohje, po pranon të dialogojë pa kërkim falje dhe pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Shkatërrimi i shesheve të Prishtinës me protesta të dhunshme dhe dhuna e ushtruar në Kuvend është e qartë se kanë qenë në funksion të qëllimi të tij për ardhje në pushtet. Dhe këtë e arriti, duke i futur nën sqetull edhe disa bashkë-mashtrues nga LDK-ja.
- Përfundime
Normalizimi i marrëdhënieve me fqinjin verior është parakusht për paqe afatgjate në rajon. Prandaj, dialogu nuk është çështje e izoluar mes Kosovës dhe Serbisë, por është e karakterit gjeostrategjik. Prandaj ka interesim të BE-së dhe SHBA-së për këtë proces.
Gjithkush që e sheh Kosovën si projekt të përhershëm të realizimit të aspiratave të popullit të Kosovës për pavarësi dhe integrim euroatlantik, natyrshëm e mbështetë dialogun.
Siç është vepruar në qeverinë e kaluar, Kosova duhet t’i qaset dialogut në dy drejtime: (1) duke qenë konstruktive, e vendosur dhe e përgatitur në takimet në Bruksel dhe (2) duke u koordinuar me Uashingtonin dhe qendrat kryesore evropiane.
Shikuar historikisht, konsistenca në qëndrime dhe koordinimi me miqtë ka qenë e vetmja formulë suksesi në të gjitha proceset negocuese me Serbinë.