Detyrimi për ta menduar Lëvizjen
Shkruan: Afrim Kasolli
Sa herë kemi zgjedhje, por kuptohet jo vetëm në një atmosferë të entuziazmit elektoral, mbase është e nevojshme dhe e domosdoshme që te mendohet raporti i atyre që garojnë për ta menaxhuar shtetin dhe shoqërinë. Pra çka keto entite përfaqësojnë koncpetualisht për tema te tilla
Duke qenë se Lëvizja Vetëvendosje aktualisht gëzon një supremaci hegjemonike në raport me partitë tjera në aspektin politik mbase është e udhës që fillimisht të përkufizohet veçantia e saj politike dhe historike. Ku dallon ajo nga partitë tjera? Ky detyrim mund të bëhet i mundur duke reflektuar mbi burimet e saj primare normative, sikur statuti, programi e deri te traktati politik personal i liderit re saj, sepse siç dihet Albin Kurti, është i vetmi kryetar që aktualisht në skenën politik ka një dokument politik se si duhet të fitohet dhe mirëmbahet pushteti. Pra ai ka një raport edhe doktrinar me pushtetin, për dallim nga liderët tjerë. Natyrisht, kjo detyrë mund të plotësohet duke gjurmuar edhe në disa prej teorive filozofike që kanë pasur për fokus fenomenin e Lëvizjeve si organizim politik.
Prandaj, në rastin tonë, më shumë së të themi diçka origjinale, më tepër do të fokusohemi në disa nga përsiatjet e mendimtarit të njohur italian, Giorgio Agamben dhe mënyrën se si ai e ka analizuar këtë entitet.
Kështu, ky mendimtar thotë se është ndjerë i tronditur kur e ka kuptuar që e para Lëvizja nuk përkufizohej kurrë. Sa herë e përdorim këtë nocion vazhdon Agamben, ketë e bëjmë më shumë nga konvencioni, por jo se e kemi një koncept të qartë për të. Diçka që, sipas bindjes time nuk është e rastësishme, sepse siç ka shkruar filozofi i njohur holandez me origjinë hebraike B.D. Spinoza, “çdo përkufizim është mohim”
Prandaj, vetëm duke e ruajtur vetën nga kufijtë e qartë, Lëvizja ka mundësi të ketë vokacion pan-përfshirës. Me këtë rast konstaton Agembeni, në punimin “Movement” është e domosdoshme që të mos e lëmë të vagullt përmbajtjen e këtij koncepti. Kështu “ne duhet të mendojmë mbi lëvizjen, sepse ky koncept është “e pamenduara” jonë dhe për sa kohë që mbetet i tillë, rrezikon të komprometojë zgjedhjet dhe strategjitë tona. Kjo nuk është thjesht një skrupulozitet filologjik që buron nga fakti se terminologjia është momenti poietik, pra krijues dhe prodhues i mendimit; as nuk e bëj këtë sepse është zakoni im profesional të përkufizoj koncepte. Besoj vërtet se përdorimi jokritik i koncepteve mund të jetë përgjegjës për shumë humbje dhe dështime”.
Fillimisht, duhet kujtuar se “koncepti i lëvizjes, i cili në shkencë dhe filozofi ka një histori të gjatë, fiton një kuptim teknikisht të rëndësishëm në politikë vetëm në shekullin XIX. Një nga shfaqjet e para të tij daton në Revolucionin e Korrikut në Francë më 1830, kur agjentët e ndryshimit e quanin veten partie du mouvement (partia e lëvizjes), ndërsa kundërshtarët e tyre partie de l’ordre (partia e rendit). Ndërkohë, “me Lorenz von Stein, një autor që ushtroi ndikim si mbi Marx-in ashtu edhe mbi Schmitt-in, ky koncept bëhet më i saktë dhe fillon të përcaktojë një fushë strategjike zbatimi. Në veprën e tij Historia e Lëvizjes Shoqërore në Francë (The History of Social Movement in France, 1850), von Stein e vendos nocionin e lëvizjes në kundërvënie dialektike me nocionin e shtetit. Shteti është elementi statik dhe juridik, ndërsa lëvizja është shprehja e forcave dinamike të shoqërisë. Kështu, lëvizja është gjithmonë shoqërore, në antagonizëm me shtetin, dhe shpreh epërsinë dinamike të shoqërisë mbi institucionet juridike dhe shtetërore”.
Këtu duhet kujtuar se edhe Hannah Arendt i ka kushtuar një vend të posaçëm fenomenit të lëvizjeve. Në librin “The Origins of Totalitarianism” kjo vëzhguese e drejtëpërdrejte ngjarjeve tronditëse politike ndërmjet dy luftërave botërore, tregon për lulëzimin që e njohën lëvizjet në skenën politike evropiane në saje të kundërvënies strategjike me partitë, pasi edhe këto të fundit kishin hyrë në një krizë.
Mirëpo gjatë gjurmimit teorik të kësaj dukurie, faza më sikletshme konstaton Agambeni ishte kur e "kuptova se i vetmi person që ishte përpjejkur ta përkufizonte këtë term në fushën juridike dhe politike, ishte jurist nazist: Carl Schmitt". Kështu në vitin 1933 “në një ese të titulluar Staat, Beëegung, Volk (Shteti, Lëvizja, Populli), me nëntitullin Ndarja Tripalëshe e Njësisë Politike, Schmitt përpiqet të përcaktojë qartë funksionin kushtetues-politik të nocionit të lëvizjes”. Me këtë rast, teza e tij mund të përmblidhet në tri pika kryesore; shteti, lëvizja dhe populli. Kështu, shteti është aparati që e përfaqëson anën statike të politikës: aparatin e zyrave dhe administratës. Populli, nga ana tjetër – dhe kjo është e rëndësishme – është elementi jopolitik (un-political), ai që rritet në hijen dhe nën mbrojtjen e lëvizjes. Lëvizja është elementi o vërtet politik, elementi dinamik i politikës, i cili gjen formën e vet specifike në marrëdhënien me Partinë Nacional-Socialiste, me drejtimin e saj dhe me Führung-un (udhëheqjen). Pra, dhe kjo është thelbësore për Schmitt-in, Führer-i nuk është gjë tjetër veçse personifikimi i lëvizjes”.
Sidoqoftë, pohon Agambeni, pikërisht kjo epërsi e nocionit të Lëvizjes qëndron” në funksion të shndërrimit të popullit në jo politik. Prandaj, “pasoja e parë e rëndësishme është se lëvizja bëhet koncepti vendimtar politik pikërisht atëherë kur koncepti demokratik i popullit, si trup politik, hyn në rënie. Pra nuk është as i rastësishëm fakti se rreth “Jezusit nuk shfaqen kurrë termat grekë λαός (laós) ose δῆμος (dêmos) – termat teknikë për “popullin” – por vetëm ὄχλος (óchlos), që do të thotë turmë, shumësi, masë, siç e përkthen Shën Jeronimi).
Permbajtesisht, koncepti i lëvizjes presupozon, eklipsimin e nocionit demokratik të popullit si trup politik themelues. Kjo është gjëja e parë për të cilën duhet të jemi të vetëdijshëm sa herë përdorim konceptin e lëvizjes. Përkundër asaj që mendohet zakonisht, e vërteta është, se “populli nuk është më trupi politik themelues, por është shndërruar në popullsi: një entitet biologjik dhe demografik, dhe si i tillë jopolitik, të cilin lëvizja duhet ta mbrojë, ta mbështesë dhe ta lejojë të rritet”. Prandaj, “në teorinë e Schmitt-it, kur gjatë shekullit XIX populli pushoi së qeni një entitet politik dhe u shndërrua në një popullsi demografike e biologjike, lëvizja u bë një domosdoshmëri”.
Kundërthënie të tilla përfundon, Giorgio Agamben, datojnë që nga përdorimi metafizik i lëvizjes me Aristotelin. Ky koncept, për mendimtarin antik shfaqej “si (kínēsis), dhe luan një rol strategjik në fushën e marrëdhënies ndërmjet potencialitetit (dynamis) dhe aktit (energeia)”. Aristoteli e “përkufizon, në mënyrë interesante, lëvizjen si aktin e potencialitetit për aq sa është potencialitet, e jo si kalimin drejt aktit të përmbushur. Së dyti, ai thotë se lëvizja është ἀτελής (atelēs), domethënë një akt i papërfunduar, një akt pa një fund të përmbushur. Në këtë kontekst, sipas Aristoteli “lëvizja është një akt i papërfunduar, i pakryer, pa τέλος (telos), që do të thotë se lëvizja ruan një marrëdhënie thelbësore me një mungesë, me mungesën e vetë telos-it. Lëvizja është gjithmonë, në mënyrë përbërëse, një marrëdhënie me atë që i mungon: me mungesën e një qëllimi, të një ἔργον (ergon) – veprimi ose vepre – apo të një telos-i”.
Është kjo trashëgimi, mbase përfundon Agambeni që Lëvizja të karakterizohet nga “pamundësia, papërcaktueshmëria dhe papërsosmëria e çdo politike. Ajo lë gjithmonë pas një mbetje, diçka që nuk përthithet kurrë plotësisht nga rendi politik”.