Dështimi në Kongres tregon se republikanët janë të paaftë për të qeverisur
Pas fillimit të legjislaturës së re, urdhri i parë i punës për Dhomën e Përfaqësuesve është që të zgjidhet një kryetar ose kryetare. Kjo gjë ka qenë thjesht formalitet për një shekull, pasi partia në pushtet kishte organizim dhe respekt të mjaftueshëm që vendi të lëvizte shpejt për t’u marrë me gjëra të tjera. Megjithatë, të martën, Partia Republikane e këputi këtë rrip të aftësisë, duke dështuar në tri votime që t’i grumbullonte votat për ta bërë kryetar favoritin e supozuar, Kevin McCarthy.
Andrew Gawthorpe
Përderisa grupi i të papajtueshmëve të së djathtës së ashpër, që po e kundërshtonin McCarthy-n, po bëhej më i madh gjatë kalimit të ditës, shpejt u bë e qartë se ai që donte të bëhej kryetar, nuk kishte plan për ta zhbllokuar ngërçin. Nëse ai shpresonte se kundërshtarët do të lodheshin përfundimisht nga simbolizmi dhe do të përkuleshin para realitetit praktik, e kishte gabim, sepse për një grup të madh të ligjvënësve republikanë, veçanërisht për ata të së djathtës ekstreme, Grupi i Lirisë, simbolizmi është i tërë qëllimi për mbajtjen e pozitës. Ata shkuan në Uashington për të shkatërruar, jo për të ndërtuar, dhe rrëzimi i MCCarthy-t është vetëm fillimi.
Spektakli i partisë që nuk mundet as të vendosë se kush duhet ta udhëheqë atë, është ndriçues për votuesit dhe demokratët sigurisht se duhet t’i festojnë këto fatkeqësi republikane. Ishte performanca befasisht e fuqishme e demokratëve në zgjedhjet e vjeshtës që i vendosi republikanët në këtë pozicion, sa për fillim. Të kesh vetëm shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve, nënkupton se McCarthy lehtësisht mund të mbahet peng nga anëtarët më djathtistë të saj – pamje jo e mirë për një parti që tashmë është duke vuajtur nga perceptimi se është ekstreme dhe jashtë realitetit.
Por papërgjegjësia republikane nuk e rrezikon vetëm të ardhmen zgjedhore të partisë – ajo e rrezikon edhe vendin. Amerika ka nevojë për një Dhomë të Përfaqësuesve funksionale me një kryetar të përgjegjshëm për t’i kryer funksionet themelore, si financimi i qeverisë dhe rritja e kufirit të borxhit. Në pyetje janë gjëra të mëdha dhe bllokimi nuk është opsion. Mbyllja e fundit e qeverisë i kushtoi ekonomisë 11 miliardë dollarë dhe dështimi për ta rritur kufirin e borxhit do të mund të ishte edhe më i keq, duke çuar te dështimi i pagimit të borxheve nga ShBA-ja dhe te shpartallimi i ekonomisë globale.
Prapëseprapë, janë saktësisht këto funksione themelore që republikanët duan ose t’i sabotojnë, ose t’i shndërrojnë në armë, proces që, në fund të fundit, do të mund të çonin te rezultati i njëjtë. Edhe pozicioni “i moderuar” republikan, i paraqitur nga McCarthy, është që të refuzohet rritja e kufirit të borxhit pa zvogëlim të shpenzimeve dhe në çfarëdo bisedimesh për këtë çështje, ai do të bëhej shpejt peng i Grupit të Lirisë. Disa prej anëtarëve të këtij grupi janë zotuar se do të kundërshtojnë çfarëdo rritje të kufirit të borxhit në përgjithësi, ndërsa disa të tjerë kërkojnë zvogëlime pa popullorësi të programeve si siguria sociale dhe “Medicare” në këmbim të votave. Kërkesa të ngjashme do të kishte edhe gjatë votimit për financimin e qeverisë. Në të dyja rastet, ka gjasë që rezultati të jetë paralizë përderisa partia po ka vështirësi për ta arritur unitetin.
Një moment tjetër i rrezikshëm do të jetë miratimi i Projektligjit të Fermave, i cili duhet të negociohet më 2023. Ky projektligj, që miratohet çdo pesë vjet, ofron subvencione për fermerë dhe programe të mirëqenies për familje të uritura, ndërsa republikanët po synojnë që të bëjnë zvogëlime të thella në këtë të fundit. Gati 40 milionë amerikanë përdorin çeqe për ushqim falas çdo vit dhe republikanët duan që ta zvogëlojnë në masë dramatike këtë numër duke e ngushtuar programin ose duke vendosur kërkesa për punë. Përsëri, rezultati do të jetë një lojë e “pulës legjislative”.
Këto lojëra nuk do të marrin fund mirë për vendin. Në të gjitha këto raste, ekziston një rrezik i madh që partia që nuk mund të pajtohet as për atë se kush duhet të jetë kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, do të ketë vështirësi për të miratuar ndonjë masë në tërësi. Shumica republikane është aq e ngushtë dhe anëtarët e saj ekstremistë janë aq nihilistë, saqë ka gjasa që ata të dëshmohen të paaftë për t’i përmbushur nevojat më themelore të vendit. Kushdo që në fund bëhet kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, do të jetë në kohë të huazuar dhe subjekt për t’u shkarkuar nga posti, nëse nuk shkon në vijë me kërkesat e Grupit të Lirisë, sepse ka pak gjasa që më shumë republikanët të moderuar të pajtohen me atë që dëshiron e djathta, rezultati do të jetë paralizë – dhe kaos ekonomik.
Në vend të qeverisjes, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve do të kenë prioritete të tjera – më saktësisht ndjekja e një vargu hetimesh absurde ndaj Hunter Biden-it, trajtimi i kryengritësve pas trazirës së 6 janarit (2021) dhe “përdorimi si armë i qeverisë federale”, frazë gjithëpërfshirëse për atë që e djathta pretendon se është politizim i Departamentit të Drejtësisë dhe i FBI-së. McCarthy tashmë është pajtuar që t’ua kthejë pikat në komision Marjorie Taylor Greene-t dhe Paul Gosar-it, të cilëve më parë u ishin tërhequr detyrat për shkak të përfshirjes në retorikë të dhunshme.
Të gjitha këto tregojnë se problemet e Partisë Republikane me ekstremizmin shkojnë shumë më larg përtej personit Donald Trump. Edhe nëse Trumpi do të largohej nga politika nesër, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve prapë do t’i kalonin dy vitet e ardhshme të zhytur në beteje ta pazgjidhshme ideologjike dhe në hetime çjerrëse njëpartiake, ndërsa anëtarët më qesharakë dhe të linjës më të ashpër duke e thithur vëmendjen e medieve.
Partia Republikane do të futet në vitin 2024 me reputacion të zmadhuar për ekstremizëm e paaftësi. Amerikanët vetëm mund të shpresojnë që ajo të mos i bëjë shumë dëm vendit në ndërkohë.
Andrew Gawthorpe është historian amerikan. Ky opinion është publikuar në gazetën britanike, "The Guardian".