Çpopullarizimi i Kurtit ose 5 arsye që VV po abstenon nga gara
Megjithëse amplituda e disponimit mund të ndryshojë gjatë katër javëve në vijim, disa isharate janë të tilla që mund të pohohen qysh tani. Kryeministri, Albin Kurti praktikisht po abdikon nga gara zgjedhore. Solo performanca e tij me 2021, sivjet do të jetë gjysmë performancë ose mungesë performance; diskursi i tij që pëlqen t’i katastrofizojë gjërat, sivjet do të jetë ai i statistikave dhe krahasimeve të dobëta si ishte dikur gjendja dhe si është tani; dhe, më e rëndësishmja, VV-ja nuk po i fryen me kacek asnjë kauze dhe asnjë realiteti frikëndjellës. Është një copëtim (dismemberment) i qëllimshëm i vetvetes për t’u shkëputur nga masiviteti popullor. Me anashnxjerrjen që Kurti po i bën vetes dhe karvanit të tij, kjo nuk do të thotë se sivjet do të ketë më pak ‘Sara Blakqori’, ‘Marigona Fona’ e ‘Alba Murtezi’, pra fantazma kibernetike që e keqdrejtojnë hallkun. Është krijuar një trashëgimi e tillë mitesh e gjysmë të vërtetash saqë diskursi publik nuk imagjinohet pa to, por as nuk dekontaminohet prej tyre sado të vërteta të sillen.
Shkruan: Col MEHMETI
Intervista e fundit në ‘KosovaPress’ e kryeministrit, Albin Kurti, është formati i vetëm i intervistës që arrin t’i shkëpusë atij ndonjë përgjigjje. Rehatia e tij është vetëm aty ku rrëfimi as nuk ndërpritet e as nuk trazohet nga një kundërrëfim. Rrallësia e paraqitjeve nuk është lajm sa është lajm që Kurti nuk po katastrofizon ose po katastrofizon më pak sesa pritet prej tij. Megjithëse paparashikueshmëria e tij mund të bëjë gjithçfarë çudash, janë disa arsye pse Kurti i sivjetmë ka rezignuar nga beteja për të qenë më popullor, madje po e çpopullarizon veten me kast.
1) Mobilizimi partiak. Edhe kur Vetëvendosja ishte vetëm një përqindje skajore e jetës politike, struktura e saj organizative mbahej si më e konsoliduara në peizazhin politik të vendit. Vullnetarizimi i saj e bënte diferencën e saj kilometrike kundrejt partive tradicionale. Por, mobilizimi i tanishëm nuk është as hija e atij që ishte më 2021; edhe vullnetarizimi i paradovitshëm nga diaspora është pothuajse absent.
2) Stalla e ngucakeqëve (Troll farm). Zjarrqitësit e saj fantomë do të vazhdojnë edhe më tej luftën virtuale, dhe Sara Blakqorkat, Marigona Fonkat, Lule Gjelkat, Marigona Cakiqkat dhe Alba Murtezkat do të vazhdojnë të opinionojnë njerëzinë dhe njerëzia të mrekullohen prej tyre. Mirëpo, edhe partitë e tjera kanë krijuar shpurat e tyre digjitale bashkë me mundësitë e reja që ofron inteligjenca artificiale. Kësodore, VV-ja nuk e gëzon monopolin e dikurshëm në botën paralele të internetit. Megjithëse sfera publike do të jetë e kontaminuar nga fishekzjarrje falsitetesh, profilet me grep, domethënë meshkujt që impersonojnë fotografi femrash, nuk janë më dërdëllitësit e vetëm. Së paku, ka pluralitet këtu…
3) Strategët zgjedhorë. Beteja e sivjetme e VV-së duket se nuk do të ketë ustahë kampanjash, siç ndodhi herën e kaluar me operativin politik Arun Chaudhary. Megjithëse ishte vetëm në prapaskenë me video që e përcillnin këmba-këmbës Kurtin, ai qe shndërruar në një senzacion thuajse baraz me vetë Kurtin, për shkak të përvojës së tij në imazhbërje në fushata zgjedhore me Barack Obaman, Bernie Sandersin e Jeremy Corbynin.
4) Nuk ka më ‘lëvizje tenxheresh’ – akti në vetëvete kishte qenë fare simbolik; më 20 mars 2020, në kushtet e izolimit të madh gjatë pandemisë, mbështetësit e VV-së mbajtën një protestë që, me anë të rrapëllimave të tenxhereve e enëve, shprehnin kundërshtinë e tyre ndaj paralajmërimit të asokohshëm të LDK-së për mocion ndaj qeverisë së bashkëdrejtuar me VV-në. Pjesë e kësaj ‘lëvizje’ ishin bërë edhe disa zyrtarë ambasadash perëndimore.
5) Nuk ka spin doktorë të huaj. Vala e madhe e spin doktorëve perëndimorë që e favorizonin Kurtin dhe Vetëvendosjen nuk ekziston më. Këtu nuk është fjala vetëm për rrahje shpatullash mes të majtësh, siç kishte qenë letra përkrahëse ku kishte pasur nënshkrime edhe nga filozofi, Slavoj Žižek apo intelektualë kontroversë si Gáspár Miklós Tamás apo Boris Buden. Larg më ndikuese ishte përkrahja nga media të caktuara gjermane. E tillë pati qenë edhe revista javore gjermane Der Spiegel tek e cila analisti Keno Verseck e vlerësonte me notat më të larta qeverinë e asokohshme mes VV-së dhe LDK-së. I çuditshëm kishte qenë pohimi i tij se qeveria e Kurtit “...nuk u krijua në pazaret e bodrumeve apo nën përkrahjen e shteteve që mbrojnë Kosovën” (sie wurde nicht in Hinterzimmerdeals oder auf Druck der kosovarischen Schutzmächte gebilde). Në të vërtetë, formimi i kësaj qeverie pati qenë rast klasik i praktikave të mëhershme negociale në restaurante, shtëpi private e bodrume (Hinterzimmerdeals). Fundi i këtij idili u pa në nëntorin e vjetmë kur deputeti gjerman Josip Juratoviq, i cili me VV-në ndan profilin e njësojtë ideologjik si politikan i Sozialdemokratische Partei Deutschlands, shprehu zhgënjimin e tij të dukshëm në Kurtin. “Unë e kam mbështetur Albin Kurtin sepse ai premtoi do të demokratizonte Kosovën. Sipas meje, Kurti dhe Vuçiç janë partnerë idealë kur është fjala për Kosovën. Ata kanë nevojë për njëri-tjetrin“, pati thënë Juratoviqi.