Bojkoti i mediave: bileta për aventurë
Kurti e Vetëvendosja nuk po bëjnë asnjë gjë të re nga ajo çfarë kanë bërë vite më parë Arvind Kejriwali dhe AAP-ja në Indi, Erdoğani e AKP-ja në Turqi apo Da Silva dhe Dilma Rousseffi me PT-në në Brazil. Në këto raste e të tjera të ngjashme, mediat kritike dhe debatet televizive janë bojkotuar me arsyetimin për anshmëri e mbulim negativ. Në vende me urrejtje të shprehur ndaj mediave e me kulturë jotolerante, bojkote të tilla kanë sjellë bereqet. A do të replikohet edhe kjo në rastin e Kurtit dhe Vetëvendosjes? Ky shqyrtim numëron një për një dobitë dhe dëmet nga bojkotimi i mediave dhe jep një parashikim për VV-në…
Shkruan: Col MEHMETI
Bojkoti i partisë në pushtet për tre nga emisionet me format debatues — ‘Pressing’ në T7; ‘Rubikon’ në Klan Kosova; dhe ‘Debat Plus’ në RTV Dukagjini — po e konfirmon strategjinë e saj të pashpallur për prani minimale në garën zgjedhore. Derisa bojkoti ndaj mediumeve të caktuara ka precedente të mëhershme në kulturën politike në vend, shmangia e çdo sfidimi në debatet televizive para fushatës zgjedhore po bëhet baneri i Lëvizjes Vetëvendosjes më shumë sesa vetë kredoja e saj “Cep më cep”.
Nga një vështrim krahasimtar, bojkotimet e mediave janë vaki jo kushedi sa të rralla në demokracitë që çalojnë nga liberalizimi. Fjala vjen, më 2015, Partia Aam Aadmi (AAP) në Indi bojkotoi media të caktuara, veçmas Times Now, me pretendimin për mbulim të njëanshëm. Diçka e tillë kishte ndodhur edhe në Pakistanin fqinj, kur partia Pakistan Tehreek-e-Insaf (PTI), më 2018, u cakërrua me plot prej mediave të atjeshme, duke i akuzuar ato për njëanshmëri. Raporte konfliktuale ka pasur edhe Partia e Punëtorëve (PT) në Brazil, nën drejtimin e Luiz Inácio Lula da Silvas dhe Dilma Rousseffit, veçanërisht me media si Globo. Hiç më dashamire me mediat nuk ishte as Partia Popullore Republikane në Turqi (AKP), që njihet për mërinë e saj ndaj mediave kritike si Cumhuriyet dhe Hürriyet.
Në raste të tjera ku ka demokraci të mirëkonsoliduara, janë partitë me ngjyresa antiestabilishment ato që i cakërrojnë brirët me mediat. Si shembull i tillë mund të citohet Partia Laburiste nën drejtimin e Jeremy Corbynit, në Mbretërinë e Bashkuar, e cila bojkotoi media si The Sun apo The Daily Mail.
Ikja nga debatet
Thuajse të njëjtat parti e politikanë kanë bërë emër edhe me bojkotim debatesh apo diskutimesh televivize gjatë periudhës zgjedhore. Më 2015, Arvind Kejriwal në Indi nuk deshi të dëgjonte për ftesën në një debat në Times Now me arsyetimin se partia e tij po mbulohej negativisht nga ky medium.
Në zgjedhjet presidenciale të 2018-s, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan bojkotoi debatet televizive kurdo që i kërkohej të përballej me kundërshtarin e tij kryesor, Muharrem İnce. Në këto vija ishte edhe qasja e Nicolás Maduros gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2013 kundrejt kundërshtarit të tij, Henrique Capriles. Arsyetimi i asokohshëm i Maduros kishte qenë se debatet e tilla nuk i shërbenin interesit të popullit venezuelas.
Derisa dallojnë arsyetimet nga vendi në vend dhe sipas veçantive të konteksteve lokale, bojkotuesit shpeshherë u mëshojnë anshmërisë së mediave ose moderimit jo të drejtë; në raste të tjera ankohen për kushte të pafavorshme debati që, sipas tyre, nuk ua mundëson t’i kumtojnë politikat e tyre.
Raste të sukseshme
Megjithëse perceptimi i zakonshëm për bojkotim mediash ose debatesh televizive është ai si për një akt frikaman, ka edhe raste kur kjo është përkthyer në bereqet elektoral. Gjithnjë në rrethana të caktuara, bojkotet mund ta galvanizojnë bazën mbështetëse të partisë, mund ta ndryshojnë narrativën mediale, apo edhe ta dobësojnë jo pak opozitarizmin.
Hesapi i kishte dalë mbarë AAP-së së Arvind Kejriwalit e cila shënoi fitore vendimtare në zgjedhje. Plot analiza patën vënë në spikamë se bojkoti i saj mediatik i dha paraqitje më autentike e më të lidhur me njerëzit e rëndomtë, duke i shmangur nga kundërthëniet mediatike. Mospjesëmarrja i ndihmonte AAP-së që ta paraqiste veten sikur po luftonte për jetë-a-vdekje kundër ‘estabilishmentit’, pra duke i bërë për vete votuesit që nuk i parapëlqejnë politikat tradicionale.
Bojkoti i përballjes televizive me Emmanuel Macronin më 2017, doli i mbarë edhe për Marine Le Penin e Frontit Nacional (FN). Megjithëse u kritikua për shmangie të konfrontimit të drejtpërdrejtë, shumë nga mbështetësit e Le Penit e panë vendimin e saj si taktikë të qëllimshme për të shmangur ‘kurthet’ e ngritura nga media. Ngjashëm i kishte volitur edhe Erdoğanit në Turqi përballë Muharrem İncesë. Ai e pati portretuar debatin si humbje kohe, duke u ndjerë më rehat me tubime e takime që i mundësonin atij të fliste pa u ndërprerë.
Dobitë eventuale nga bojkoti
Sipas studiuesve të fushatave zgjedhore, nganjëherë bojkote të tilla dalin fitim i mbarë për partinë ose politikanët. Ato janë disafarëshe, duke pasur si ndikim të atypëratyshëm energjizimin e bazës mbështetëse të partisë ose politikanit që bën thirrje bojkotuse. Duke shmangur paraqitjet konfrontuese, politikanë të tillë zgjedhin si formë komunikimi kanalet e tyre me të cilat i përçojnë më me efikasitet narrativat e tyre.
Apelimi te pakënaqësia e mbështetësve.
Kur mediat kundërshtare etikohen si ‘elitare’ ose ‘komplotiste’, votuesi mund të ndjehet i inkurajuar nga partia ose politikani që trumpetohet si kundërshtar i tyre.
Shmangia e skandaleve. Kur mediat opozitare fokusohen te kallabllaku i skandaleve apo aferave të partisë politike në pushtet, bojkotimi mund të jetë një mënyrë efikase për t’iu pëvjedhur portretimit negativ.
Shmangia e momenteve diskredituese.
Paraqitjet në debate, sidomos politikanëve të veshur me përgjegjësi e funksione, mund të sjellin momente të papritura kur gazetari e zë ‘gafil’ politikanin duke ia përplasur ndonjë skandal të ri. Por, me bojkotim të debateve ose paraqitjeve mediatike, një politikan e shmang kurthimin në pozita kompromentuese.
Iluzioni i superioritetit moral.
Politikani bojkotues i stis vetes imazhin e të qenit parimor, meqë refuzon të përfshihet në një sistem mediatik për të cilin është përkujdesur ta njollosë si të korruptuar.
Pritshmëria. Një politikan që u bën bisht mediave apo debateve krijon një aurë misteri rreth vetes, duke bërë që audienca e tyre përkrahëse të ketë përshtypjen sikur çdo mesazh i tij është i veçantë.
Kontrollimi i qasjes. Kur shmangen debatet televizive, politikanët ose partitë i bëjnë paraqitjet e tyre më ekskluzive, që në prapakthim bën që interesi publik të shtohet.
Mobilizimi në terren. Kur politikanë a parti vendosin të jenë jashtë mediave, ata përpiqen ta kompensojnë këtë nëpërmjet orientimit të energjive të tyre në terren: tubime publike, takime me njerëz ose fushata të llojit derë më derë.
Heshtja taktike. Duke refuzuar pjesëmarrje në media të caktuara, dhe duke i targetuar ato me një fushatë damkosëse, politikanët mund të bëjnë që mediat të mbulojnë edhe më shumë mungesën e tyre. Kësisoj, politikani bojkotues mbetet në qendër të vëmendjes edhe pa qenë i përfshirë në debate.
Viktimizimi. Kur mediat kritikojnë një politikan ose parti se po shmangin debatet, kjo mund të përftojë përshtypjen sikur ka njëfarë ‘trajtimi të padrejtë.’ Kjo i arkëtohet politikanit si levë me të cilën sjell simpati për vete.
Si i del hesapi VV-së?
Të konsideruara të gjitha këto, sa janë gjasat që Vetëvendosja të përfitojë nga bojkoti i saj selektiv për tre nga emisionet me format debati? Në një vlerësim realist, bojkoti i saj sigurt do të ringjallë lidhjet e zbehura me porcionet më radikale të mbështetësve të saj.
Ky bojkot do ta lubrifikojë atë prej skandaleve të konsumuara – aferat me Nagip Krasniqin, Martin Berishën apo edhe ato në Ministrinë e Liburn Aliut – duke shmangur përgjegjësinë.
Përfitimi tjetër është ai që Kurtit personalisht do t’i krijojë rehati ideale në kanalet që ai zgjedh për të qenë i pranishëm mediatikisht (emisioni ‘Rrjedha’ me dy mbështetësit e Kurtit, Rron Gjinovci dhe Shkëlzen Gashi, ose media të cilësuara si të padëmshme për imazhin e tij).
Në anën tjetër, këto përfitime nuk do të paguajnë dëmet koleterale që i tejkalojnë vetë përfitimet. Një Vetëvendosje me mungesë pranie mediatike nënkupton një parti që flet më pak dhe diskursi i saj ngushtohet edhe më shumë. Bojkoti i tre emisioneve, e mbase edhe të tjerave, nuk duket se po shoqërohet me alternativa mobilizuese të tipit grassroot.
Sivjet, parafushata dhe fushata zgjedhore ka pasur më pak vullnetarë sesa herave të kaluara; angazhim thuajse pak e hiç të strategëve zgjedhorë; dhe përkrahje tejet minimale nga autoritete morale a intelektuale jashtë ose brenda vendit.